Qendronin në këmbë gjithë kohën, Sandërlendi përjashton tifozët

28 Dhjetor 2012, 11:38Sport TEMA

Tifozët e kampionatit anglez shpesh tallen me kundërshtarët e tyre, duke kënduar në stadium vargjet “Ulu dhe qepe gojën!”. Por deri më sot askush nuk priste që këto lloj instruksionesh t’i përdornin edhe vetë klubet.

Pas “një numri të madh ankesash”, Sandërlend ka vendosur të pezullojë abonimet vjetore të shumë tifozëve të cilët duket se prishin normalitetin e ndeshjes për tifozët e tjerë duke qëndruar në këmbë gjatë të gjithë kohës.

Klubi vendosi një paralajmërim në faqen zyrtare të internetit, duke iu drejtuar tifozëve të tyre që nuk mendojnë për të tjerët që janë rreth e rrotull. Por ata që kanë insistuar në këtë praktikë, kanë parë t’u anulohen abonimet vjetore.

“Ne sigurisht që nuk duam të prishim kënaqësinë e veçantë të tifozëve, pasi kërkojmë që të ketë një atmosferë sa më elektrizuese në stadiumin tonë gjatë ndeshjeve. Por këto janë çështje ligjore me të cilat duhet të përshtatemi gjithashtu. Ne kemi për detyrë të kujdesemi për të gjithë tifozët, përfshirë të moshuarit dhe ata me aftësi të kufizuara, nga të cilët kemi marrë shumë ankesa. Ata janë të shqetësuar sepse njerëz rreth tyre qëndrojnë në këmbë gjatë të gjithë ndeshjes, duke mos i lejuar ta ndjekin atë në rehati të plotë”, u shpreh për “The Guardian”, Pol Ueir, shefi i sigurisë të klubit anglez.

Por lëvizja e Sandërlend për të ndëshkuar këto tifozë “të lëvizshëm”, ka krijuar çudi, edhe për faktin se ky klub është ndër ato që ka më pak tifozë të abonuar për sezonin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje