Vidal: Nuk kam pse iki nga Juventusi

27 Dhjetor 2012, 20:31Sport TEMA

Mesfushori i Juventusit, Arturo Vidal, mendon se bardhezinjtë mund të fitojnë të tre trofetë për të cilët janë në garë në këtë sezon. Juventusi ka një avantazh prej 8 pikësh në kreun e renditjes së Serisë A, ndërsa është plotësisht në garë si në Kupën e Italisë, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve.

Ndonëse Vidal pranon se objektivi kryesor është të mbrohet titulli kampion i fituar në sezoni e kaluar, ai sheh se skuadra në të cilën bën pjesë ka mundësi të kërkojë më shumë nga vetja.

“Qëllimi ynë është të kthehemi të fitojmë titullin. Më pas do të mundohemi të bëjmë diçka më shumë në Ligën e Kampioneve dhe në Kupën e Italisë”, tha ai për “Tuttosport”.

“Ne jemi përgatitur mirë për të tre këto turne. Kam shumë ndjesi pozitive rreth këtij sezoni dhe shumë besim se gjithçka mund të realizohet me sukses”.

Vidal, i cili iu bashkua skuadrës së Juventusit nga Bajer Leverkusen në vitin 2011, ka qenë objektivi i merkatos i shumë klubeve të njohura evropiane, por si klubi aktual, ashtu edhe vetë lojtari kanë refuzuar ofertat që u kanë mbërritur.

“Jam i lumtur te Juventus dhe me gjithçka që jam duke bërë këtu. Në vitin tim të parë këtu kam fituar kampionatin dhe Superkupën e Italisë. Dy tituj nuk janë pak, ndërsa skuadra vazhdon të luajë më mirë. Ato që thashë më lart janë objektivat e mi për vitin 2013, që do të jetë i rëndësishëm për karrierën time dhe familjen time gjithashtu”, tha futbollisti kilian.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje