12 momentet më domethënëse të vitit 2012

27 Dhjetor 2012, 11:21Sport TEMA

Viti 2012 ka qenë mjaft i suksesshëm dhe emocionues për futbollin botëror, me rezultate të papritura por edhe konfirmime të rëndësishme. FIFA ka zgjedhur 12 momentet më domethënëse që sipas institucionit që drejton futbollin botëror, e kanë bërë 2012 të paharrueshme për tifozët në mbarë botën.

12 shkurt 2012, Zambia Kampione e Afrikës

Triumfi i parë i Zambias në Kupën e Afrikës në shkurt është një moment mjaft historik. Vlera e këtij suksesi u shtua nga fakti se në finale mundën favoritët e Bregut të Fildishtë. Nuk duhet harruar se kjo ishte hera e parë që kjo kombëtare luante në Librevill, pak kilometra larg vendit ku në vitin 1993 u rrëzua avioni që mbante ekipin kombëtar dhe humbën jetën të gjithë lojtarët e kësaj përfaqësueseje.

17 shkurt 2012, mrekullia e Fabris Muamba

E gjitha bota përjetoi momente tragjike gjatë ndeshjes së Kupës FA kur të pranishmit në stadium dhe telespektatorët që po ndiqnin ndeshjen Totenhem-Bolton, panë se si Fabris Muamba u përplas në tokë pa frymë. Të gjithë ndoqën me ankth luftën me vdekjen të lojtarit, i cili pavarësisht 78 minutave ku zemra e tij nuk punonte, është ende gjallë sot e kësaj dite të tregojë se si ia doli mbanë.

13 maj 2012, goli në shtesë i Agueros për titullin kampion

Lufta për titullin kampion në Angli u vendos pas minutës së fundit të javës së fundit të sezonit. Shkak u bë fitorja në ekstreme e Mançester Sitit ndaj QPR, kur Mançester Junajtid kishte disa minuta që kishte festuar fitoren ndaj Sandërlend dhe vetëm priste rezultatin e rivalëve. “Djajtë e kuq” po bëheshin gati të hapnin shampanjën, kur Serxho Aguero, në minutën e 5-të shtesë të takimit, shënoi golin e suksesit dhe çoi trofeun e kampionatit në anën tjetër të qytetit, për herë të parë pas 44 vitesh.

19 maj 2012, Drogba rishkruan historinë

Didier Drogba u sigurua se emri i tij do të mbetej mes legjendave të Çelsit kur arriti të barazonte ndeshjen kundër Bajern Mynih në finalen e Ligës së Kampioneve, ndonëse londinezët kishin vuajtur gjatë takimit dhe ekipi gjerman e meritonte më shumë fitoren. Por ky ishte vetëm hapi i parë i sulmuesit, i cili më pas arriti të shënonte me qetësi edhe penalltinë vendimtare, duke i dhënë skuadrës së tij triumfin e parë në turneun më të rëndësishëm evropian për klube.

10 qershor 2012, Tahiti pushton kontinentin

Para këtij vitit, trofeu kontinental në Oqeani nuk ishte larguar kurrë nga Antipodet, pasi Zelanda e re dhe Australia kishin bërë gjithmonë ligjin në këtë zonë. Ndaj ishte një tronditje vërtetë kur Zelanda e Re nuk arriti as të shkonte në finalen e luajtur në Ishujt Solomon. Titulli u vendos në përballjen mes Tahiti dhe Kaledonisë së Re, me golin e Stivi Çong Hue që siguroi titullin dhe një vend në Kupën e Konfederatave për Polinezinë Franceze.

14 qershor 2012, Rejnxhërs mes amatorëve

Pozitat e vështira financiare të Rejnxhërs nuk ishin të fshehta për askënd, por gjithsesi ishte tronditës lajmi se pas 140 vitesh, klubi i famshëm skocez që mban rekordin botëror me 54 tituj të fituar, do të likuidohej. Gjigandët e Gllasgout më pas u reformuan dhe u përfshinë në kategorinë e katërt skoceze, të cilën ata aktualisht e kryesojnë me diferencë, ndërsa kanë thyer të gjitha rekordet për praninë e tifozëve në stadium.

24 qershor 2012, Pirlo tregon si gjuhet “Panenka”

Italia po mundej 2-1 në gjuajtjet e penalltive nga Anglia në çerekfinalen e Euro 2012 dhe Rikardo Montolivo sapo kishte humbur gjuajtjen e tij. Por Andrea Pirlo tregoi se çfarë do të thotë të ruash qetësinë, kur në një moment kaq të tensionuar, transformoi qetësisht gjuajtjen e tij me një “Panenka”, duke shënuar fillimin e kthesës për Italinë që fitoi 4-2 në gjuajtjet e penalltive.

1 korrik 2012, Spanja konfirmohet si më e mira

Ndonëse ishte kritikuar për rrugën e saj drejt finales, duke kombinuar paraqitje bindëse me disa më pak domethënëse, Spanja u kujtoi të gjithëve se pse kjo do të quhet epoka e saj, me një fitore jashtëzakonshme. Iberikët e drejtuar nga Visente Del Boske shkatërruan Italinë me rezultatin 4-0, diferenca më e thellë në një finale të këtij turneu, duke u bërë ekipi i parë evropian që fiton tre turne madhorë radhazi.

6 gusht 2012, Morgan vendos gjysmëfinalen olimpike

Stadiumi “Old Traford” ka qenë arena e shumë ndeshjeve historike, por pak prej tyre kanë qenë aq emocionuese sa spektakli që dhuroi gjysmëfinalja e futbollit të femrave në Lojërat Olimpike Londër 2012 mes SHBA dhe Kanada. Ishte Aleks Morgan që çoi në finale ekipin amerikan me golin e saj në minutën e fundit të kohës shtesë, duke i dhënë suksesin 4-3 skuadrës që më pas do të fitonte edhe medaljen e artë.

14 nëntor 2012, katër gola për Ibrahimoviç

Ndeshja e parë e Suedisë në “Friends Arena” do të kujtohet gjatë për paraqitjen brilante të Zlatan Ibrahimoviç, i cili u bë lojtari i parë pas 915 ndeshjesh që i shënon 4 gola Anglisë brenda 90 minutave. Goli i tij i fundit do të kujtohet gjatë, pasi një gjuajtje me roveshatë nga 40 metra nuk mund të harrohet lehtësisht.

9 dhjetor 2012, Mesi kalon Myler

“Rekordi im qëndroi për 40 vjet. Tani lojtari më i mirë në botë e theu atë dhe jam i lumtur për këtë gjë”. Këto janë fjalët e legjendës Gerd Myler, i cili përgëzoi Lionel Mesin një ditë pasi ky i fundit shënoi golat e tij të 85-të dhe 86-të brenda një viti, duke kaluar rekordin e vendosur nga gjermani në vitin e largët 1972. argjentinasi e mbylli vitin me shifrën e pabesueshme të 91 golave.

16 dhjetor 2012, Korinthians entuziazmon Japoninë

Skuadra braziliane e Korinthians kishte fituar edicionin e parë të Botërorit të Klubeve në vitin 2000, por kohët e fundit ky turne kishte folur vetëm në favor të skuadrave evropiane. Një fakt i tillë e bëri më të ëmbël suksesin e ekipit brazilian që u mbështet nga një turmë prej më shumë se 20 mijë bashkëkombësish në stadiumin e Jokohama, ku një gol me kokë i Paolo Guerrero vendosi takimin ndaj Çelsit./lajmeshqip

1 komente në “12 momentet më domethënëse të vitit 2012”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje