Mesi: Në vitin 2013 dua trofe me ekipin

26 Dhjetor 2012, 11:37Sport TEMA

Lionel Mesi ka dërguar nga Argjentina urimet e fundviditit për tifozët e Barcelonës, duke bërë të qartë se dëshira e tij e madhe sportive për vitin 2013 është të fitojë edhe një herë gjithçka me këtë skuadër.

Duke bërë bilancin e këtij viti, Mesi ka deklaruar për “Mundo Deportivo” se nuk është i kënaqur, ndonëse ka arritur që të thyejë rekorde të panumërta golash e të shënojë shifrën e çmendur të 91 golave gjatë vitit 2012.

“Jam i kënaqur për golat dhe rekordet, por viti mund të kishte qenë më i mirë përsa i përket titujve. E them gjithmonë që të rëndësishëm janë trofetë kolektivë dhe golat e mi, pa tituj, nuk kanë asnjë rëndësi”.

“Shpresoj që të heq nga mendja kujtimin e hidhur të Çelsit. Vazhdoj të mendoj se në ato dy ndeshje e meritonim më shumë të shkonim në finale. Do të punojmë në mënyrë që të jemi përsëri në finale dhe të fitojmë gjithçka. Ky është objektivi që i kemi vënë vetes dhe duhet të përfitojmë nga momenti i mirë që po kalojmë për ta arritur”, tha argjentinasi.

Në fund ai ka falënderuar edhe tifozët argjentinas, ndërsa ka shtuar se rinovimi me Barcelonën ishte një tjetër hap drejt objektivit të karrierës së tij.

“Një arsye shumë e madhe pse mund ta cilësoj të lumtur këtë vit është për shkak të dashamirësisë së treguar ndaj meje nga të gjithë tifozët argjentinas në çdo stadium ku kemi luajtur mekombëtaren. Gjithashtu, të mos harrojmë se kam rinovuar edhe kontratën me klubin. Ëndrra ime është të mbyll karrierën te Barça dhe me këtë rinovim eci një tjetër hap rreth plotësimit të kësaj ëndrre”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje