“Një notë për veten? Një 7 në total, pasi Interi ka treguar, edhe duke ndryshuar shumë, që mund të bëjë të lindë një projekt i rëndësishëm”. Këto janë fjalët e Andrea Stramaçionit, trajnerit të Interit, i cili e vlerëson me nota pozitive vitin që po mbyllet, një vit ku ai ka kaluar nga një person thuajse i panjohur, në trajnerin e një prej ekipeve më të njohur në botë.
“Nëse mendoj se ku isha në janarin e fundit dhe ku jam tani, mendoj se disa ëndrra kam arritur t’i realizoj. Sot jam tërësisht i përfshirë në detyrën e re që kam në klub, por kjo vazhdon të jetë një ëndërr për mua, pasi nuk e harroj nga ku kam ardhur. Kam deklaruar se as unë nuk do të kisha emëruar veten te Interi dhe një gjë të tillë e përsërit”, u shpreh trajneri duke falënderuar klubin dhe presidentin Morati për besimin që i ka dhënë.
“Mund të them me plot gojë që viti 2012 ka ndryshuar jetën time. Momenti më i vështirë ndoshta ka qenë dita e parë në dhomat e zhveshjeve. Më i bukuri ka qenë kur Morati më tha: ‘Nuk më shqetësojnë opinionet e të tjerëve, tani ti je trajneri i Interit’. Presidentit i kam premtuar një dhuratë për vitin 2013 po më mirë t’ia lëmë kohës ta zbulojë atë”, tha tekniku i zikaltërve.