Sekretari i Përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, tha në një prononcim se përgjegjësia e zgjedhjeve është e qeverisë. Ai komentoi kështu vendimin e Kolegjit Zgjedhor për ndarjen e ZAZ-ve. Sipas Oketës, vota masive e 23 qershorit do të bëjë ndarjen finale nga modele të tilla që abuzojnë me votën.
DEKLARATA
“Kodi Zgjedhor në të gjithë elementët e tij është produkt jotransparent i bisedimeve dhe marrëveshjeve midis dy partive të vjetra politike, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Çdo debat dhe mospërputhje në qëndrimet e tyre gjatë zbatimit të Kodit nxjerr në pah shkallën e lartë të mosbesimit dhe përpjekjeve për të imponuar modele të njëanshme vendimmarrjeje nga një produkt dypartiak konsensual, i cili sipas FRD-së, nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë ligji më i mirë i mundshëm dhe i nevojshëm për stadin aktual në Shqipëri.
Gjithsesi FRD bën publikisht përgjegjës kryesor Kryeministrin dhe mazhorancën në qeveri për të gjithë problematikën e përgatitjes dhe administrimit zgjedhor. Ata kanë përgjegjësinë kushtetuese, kanë deleguar dhe zgjedhur të gjithë hierarkinë e administrimit zgjedhor, kanë detyrime institucionale dhe administrative dhe kanë edhe mekanizmat e nevojshëm për garantimin ose cenimin e integritetit të zgjedhjeve të qershorit 2013.
FRD gjykon se pavarësisht nga roli i Kolegjit apo strukturave të tjera të deleguara direkt apo indirekt, në çdo rast të vendimeve problematike, të njëanshme apo minuese ndaj procesit zgjedhor adresimi i duhet bërë qeverisë dhe se ata duhet të shprehen qartë lidhur me vullnetin real politik për ta larguar Shqipërinë nga lista e vendeve, të cilat edhe prej 22 vitesh nuk arrijnë të bëjnë zgjedhje me standardet e denja për një vend që aspiron Bashkimin Evropian.
FRD garanton anëtarësinë dhe mbështetësit e saj, se pavarësisht problematikave që mazhoranca po krijon në KQZ apo Kolegj, vota masive e 23 qershorit do të bëjë ndarjen finale nga modele të tilla abuzuese me zgjedhjet dhe do të hapë një kapitull të ri për demokracinë në Shqipëri”.