Redknap: Më ofruan blerjen e Shnajder

4 Janar 2013, 13:28Sport TEMA

Pavarësisht deklaratave të “dashurisë” së Uesli Shnajder për Interin, duket se mesfushori apo edhe vetë klubi italian vazhdojnë të jenë në kërkim për një sistemim të mundshëm të holandezit gjatë janarit. Emri i fundit që ka dalë në skenë është ai i QPR, sipas asaj që ka konfirmuar vetë trajneri i skuadrës angleze, Herri Redknap.

“Një menaxher më telefonoi dhe më pyeti nëse isha i interesuar për të blerë Shnajder. Sigurisht që dua! Por ai paguhet rreth 200 mijë paund në javë dhe tani dëshiron të vijë të luftojë për mbijetesë me QPR? Nuk do të bëj publik emrin e menaxherit, por më duket se një marrëveshje e tillë është thuajse e pamundur”, tregoi trajneri.

Në fakt, rroga vazhdon të jetë problemi më i madh për Shnajder, i cili nuk pranon të ulë pretendimet e tij financiare, si në rastin e rinovimit të kontratës aktuale me Interin, ashtu edhe nëse transferohet te një skuadër e re. Kjo është edhe arsyeja pse gjatë javës së kaluar, mediat angleze raportuan se klube si Arsenal e Çelsi kanë refuzuar të vazhdojnë bisedimet me përfaqësues të lojtarit, për shkak të kërkesave të tij të larta ekonomike./lajmeshqip

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje