Manifesti i Doktor Gozhdës

15 Janar 2013, 21:11Blog TEMA

Nga Donald Dikollari

Ndoshta u tregova i pasjellshëm, por zakonisht nuk prezantohem me emër sepse për mua e rëndësishme është ajo që them dhe veprat që bëj. Po, po! Pasi nuk kam mënyrë tjetër për të rënë në sy, pasi po të nisem nga karakteri nuk më lënë paragjykimet. Më fal që e zgjata prapë. Unë jam Dine Kadiu Gozhda. Ç’ne kjo mimikë?!

Po, quhem Dine Kadiu Gozhda. Im atë ka dashur që të bëhem njeri i respektuar, ku emri im të përmendej në çdo bisedë e tavolinë si etalon i dinjitetit dhe i virtytit. Po, mos u çudit. Ndaj më ka vendosur këtë emër. Ka dashur që të bëhem patriot i madh që t’i shërbej atdheut. Sipas gojëdhënave stërgjyshi im ka qenë Kadi i respektuar në këto anë dhe i dëgjohej fjala kudo. Ndaj dhe ne si familje kemi trashëguar këtë mbiemër. Ndërsa im atë më ka vënë këtë emër që të mos humbasë kujtimi i gjyshit tim Dine. Po, Dine Kadiu quhej gjyshi im dhe ka qenë i respektuar nga të gjithë.

Gozhda më kanë quajtur që në fëmijëri, që në bankën e parë të shkollës që jam ulur. E vunë re fytyrën e shtrembër dhe më quajtën Gozhda. Kështu nisi çdo gjë nga aq sa më kujtohet dhe nga ajo ditë unë isha kudo me këtë nofkë në bisedat e tyre. Filluan të kishin shumë paragjykime dhe filluan të më distanconin çdo ditë. Kuptova që kështu nuk mund të vazhdoja dhe vendosa të marr vetë i pari iniciativën. Vura re se ishin me dy fytyra sepse kur i shprehja dashurinë që kisha ndaj tyre, ata ndjenin dhembshuri ndaj meje dhe më afronin. Pavarësisht kësaj, në momentin që largohesha ata ktheheshin në origjinën e bisedave me në krye emrin tim. Në shkollë kam qenë gjithmonë i zoti dhe për këtë më ka ndihmuar dëshira ime për dije sepse po të nisesha nga të tjerët do të kisha ngelur shumë pas. Jam përpjekur të jem gjithmonë i pari në mësime pasi e shikoja si shpëtimin tim nga paragjykimet e të tjerëve ndaj karakterit tim. Them se deri diku ja kam arritur qëllimit. Gjithsesi nuk ndryshonte gjë.

Nofka Gozhda më ndiqte kudo dhe unë kuptova që nuk mund të shpëtoja më. Sa më shumë dije përvetësoja, aq më shumë paragjykime kishte ndaj meje. Edhe pse mundohesha të qetësoja zemrën me përvetësimin e dijes, përsëri vuante sepse arsyeja ime helmohej nga paragjykimet. E kuptova që ishte e nevojshme që unë të gjoja fjalën e fundit në çdo bisedë sepse përndryshe çdo arsyeje mund t’i kundërvihej një tjetër dhe kështu s’kisha për të dalë asnjëherë fitues dhe s’kisha për të plotësuar asnjë herë dëshirë timen, dhe për të arritur këtë vendosa të bëhesha një njeri me pushtet sepse pushteti i zgjidh të gjitha.

Për të arritur këtë qëllim kuptova fillimisht që duhet të kisha mbaruar të paktën shkollën e lartë, ndaj iu përvesha mësimeve dhe dijes. Kurdoherë doja të isha i pari i klasës, pavarësisht paragjykimeve dhe nofkës sime. Aq nxënës i dalluar u bëra, saqë edhe kur më thërrisnin në mësim, më thërrisnin Gozhda. Gjithsesi unë shikoja synimet e mia. Mbarova me sukses gjimnazin dhe fitova të drejtën për studime në universitet. Vitet e universitetit i kisha shumë të ngarkuara dhe pothuajse i humba kontaktet me të tjerët pasi interesi im ishin librat. Doja të isha student i mirë dhe t’ia dilja mbanë aty ku bashkëmoshatarët e mi kishin dështuar. Deri diku ja arrita qëllimit dhe ja arrita ta mbaroj universitetin me sukses.

Vendosa të merresha me rrugën akademike. Vendosa që të përvetësoja sa më shumë dije. Në këtë mënyrë do të bëhesha i aftë në profesionin tim që do zgjidhja dhe do bëhesha i respektuar nga të gjithë. Në këtë mënyrë do rrija larg asaj shtrese njerëz që gjithmonë janë të gatshëm për bixhoz dhe për kurvëri. Mua s’më pëlqen të dukem i dobët ndaj të tjerëve, ndaj vendosa të merrja gradën “Doktor i Shkencave” sepse pas kësaj mendoja se nuk do më krahasonin me personin tim të parë por do të më thërrisnin Doktor dhe ky titull do t’i detyronte të tjerët të më respektonin. Me këtë titull dhe me thjeshtësinë time do të arrija të shkëlqeja, me përulësinë dhe urtësinë time do të arrija të mposhtja ç’do paragjykim dhe me virtytet që do shpalosja, do të arrija të shtypja ç’do kënd që do më dilte përpara me qëllimin për të më penguar rrugën, të cilën e kisha nisur tashmë. Studimet doktorale i mbylla me sukses. Të gjithë ngelën të mahnitur nga zelli im për dijen. Në fund mora gradën e ëndërruar prej meje “Doktor i Shkencave”.

Tani mendoja se më në fund kisha arritur qëllimin tim. Fillova të interesohesha për të ardhmen time akademike. Me titullin që kisha mund të filloja punë kudo. Doja të filloja si pedagog, por nuk ishte e lehtë. Në çastin kur fillova të konkurroja për poste dhe vende pune në botën akademike vura re se kjo botë, pavarësisht se ishte më e ndriçuar me dije se të tjerat, nuk është se bënte diferencim të madh. Duke qenë se më shikonin si  konkurrent filluan të më thërrisnin Doktor Gozhda si analogji e aftësive të mia. Nuk u mërzita sepse në fund të fundit edhe kjo botë përbëhej nga njerëz ku interesi i tyre ishte të plotësonin nevojat e tyre. Gjithsesi për ironi unë tashmë isha Doktor edhe pse këtij titulli i bashkëngjitnin edhe nofkën time në mënyrë që të ja zbehnin vlerën që ai mbartte.

Pasi mbarova doktoraturën dhe fitova titullin “Doktor”, fillova të kërkoja për punë. Ishte shumë e vështirë të gjeje një të tillë dhe pas një farë kohe pothuajse i humba shpresat. Doja edhe unë si gjithë të tjerët të gjeja një punë dhe të bëja një jetë komode. Fundja fundit çfarë kisha unë mangësi që nuk arrija të fitoja një punë, për më tepër që mbaja mbi shpatulla edhe titullin “Doktor”. S’më besohej që të tjerët ishin më të aftë se unë. Fillova të merresha me organizime dhe të merrja pjesë në çdo iniciativë vullnetare si e si të kisha mundësinë të pasuroja CV– në time. Por më kot, shpresat mu shuan sërish. Kuptova që kështu nuk shtyhej ndaj vendosa të futesha në tregun e dështakëve, si e vetmja alternativë e mbetur dhe ndoshta atje do të kisha më shumë mundësi për një vend pune. Fillova të bëhesha pjesë e këtij tregu. Në fillim nuk kuptoja se ku isha dhe pjesë e kujt isha bërë. Fillova të takohesha çdo ditë me ata dhe të bëhesha pjesë e bisedave të tyre. Me sa kuptova niveli i bisedave për ata nuk kishte shumë rëndësi, e rëndësishme ishte të justifikonin dështimet e tyre dhe këtë e arrinin shumë mirë duke përgojuar të tjerët. Si duket ky ishte edhe çelësi i suksesit të tregut të dështakëve, përderisa ishte një treg në lulëzim e sipër. Atëherë mendova se një gjë e tillë nuk do të ndikonte në aftësitë e mia për keq, por se ky treg do të më ndihmonte  shumë për të arritur qëllimet e mia. Në fund të fundit nuk kisha rrugë tjetër, vetëm tregu i dështakëve ishte shansi i fundit pasi i kisha provuar të gjitha. U zhyta thellë në skutat e këtij tregu saqë çdo ditë e më tepër harroja edhe shtëpinë time dhe kë kisha nga pas. Çdo ditë kishim nga një personazh të ri për të kaluar në nivelet e thashethemnajave të tregut pasi vetëm me këtë mënyrë mund të ishim të besueshëm për një masë të gjerë blerësish. Ditët kalonin dhe unë kisha filluar të ndjehesha shumë më mirë sa harrova faktin se isha i papunë. Arrita shumë shpejt të përvetësoja teknikat e suksesit të këtij tregu. Fama ime u rrit shumë shpejt dhe unë isha pikë referimi për këdo në treg. Emri i “Doktor” Gozhdës nuk mund të mungonte në asnjë tavolinë të këtij tregu.

Pas një kohe relativisht të shkurtër dhe pas famës që mora në treg, arrita të siguroj një blerës të mirë, i cili më mori pranë punës së tij. Shkoja çdo ditë në punën e re por nuk ndjehesha shumë rehat në atë ambient. Atje gjithë se kush shikonte punën e tij, ndërsa unë isha mësuar që gjithsecili duhet të shikonte punën e të tjerëve. Nuk arrita të kuptoj se ku isha. Por më në fund blerësi im më shkeli syrin. Kemi një punë për ty më tha. U çlirova që më në fund po bëhesha i dobishëm.

-A je intelektual, më tha.

-Po, i thashë.

-Na shpëtova më tha. Për këtë ditë më duhesh. Na kanë kërkuar nga qeveria një peticion për të firmosur, por duhet me profesion intelektual. Pyeta shefen e kuadrit dhe tha vetëm ty të kemi marrë për këtë punë.

Firmosa pa u menduar. Dhe pas atij moment ka nisur lavdia.

9 komente në “Manifesti i Doktor Gozhdës”

  1. Ester says:

    Nuk e di sa te tjere e kane lexuar kete shkrim, edhe pse shumica lexojne lajmet gossip dhe nuk ndalen ne shkrime te tilla…. Por personalisht dua te them nje BRAVO te madhe per autorin..

    1. melsen says:

      Eshte per te ardhur keq se si edhe shpresa mund te vdese pa u shperblyer ndonje here. Edhe sa kohe duhet te jete keshtu pa u ushqyer me permbushje rinia e ketij vendi.

  2. Genard says:

    Pu pu pu cfare niveli ordiner paska ky shkrim. “Merr nga kopshti e fut brenda” i thone ketij muhabeti. Nuk e besoj qe ekzistojne njerez qe kane guximin te cojne per botim shkrime me kete lloj niveli. Ndoshta nuk e ka fajin artikullshkruesi, por ata qe e botojne i bejne nje atentat gazetarise!

  3. eri says:

    ?! si e ke pershkruar ti Donald i bie qe ky Gozhda te jete intelektuali i vertete…pamvaresisht se firmos peticione te diktuara …

  4. altin says:

    Te lumte, eshte nje satire e holle, por e vertete ne realitin qe jetojme.

    Sot armata e te punesuarve, Saliut e ministrave te tjere i intereson vetem per gatishmerine qe duhet te tregojne per te firmosur cdolloj felliqesirash,qe ju sherbejne atyre, per te vetmin qellim, qe eshte:

    Te rrine sa me gjate ne pushtet per te vjedhur sa me shume.

  5. forza cunat e cez-it says:

    komplimetat e mia per shkrimin dhe vertet me shume humor anglez.urime gaztes tema dhe shpresoj te kete sa me shume shkrime te tilla ne gazeten tuaj se na heqin stresin..
    p.s.ti gerard je xheloz…haha

  6. Ada says:

    Shkrim interesant shoku! Por ne disa vende ja ke fut pak si kot…
    E pse u shoqerove ti me “tregun e deshtakeve”?!!!!!
    Me duket mua apo edhe shume te tjereve qe e ke super mbivlesresuar veten….
    Nejse, urime qe e ke botuar ne gazete…

  7. BARDI says:

    NJE SHKRIM ,MADJE DO ZHVILLUAR ME TEJ.ME PELQEU PA MSE AQ SA MUND TEMARRESH SPUNTO PER TA SHTJELLUAR ME TEJ .NE FILLIM SI NOVEL E ME TUTJE DHE SI NJE RROMAN SATIRIK.E PER SA I PERKET NDONJE TE VARFERI QE FLET DOBET PER KETE SHKRIM,MJAFTON TA ANASHKALOJSH E TE MOS E ZESH ME ME GOJEQE KA DHE NJEREZ TE TILLE QE SKUPTOJN ASGJE DHE QE MUNDOHEN NE CDO RAST TE JENE PROTOGONIST NEGATIV.
    BARDI

  8. joana says:

    Bravo! Satire e
    bukur dhe gozhduese.Ne pritje te shkrimeve te tjera.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje