Me heshtjen e shoqërisë nxitet dhuna….

16 Janar 2013, 19:29Blog TEMA

Nga Raimonda Moisiu

Ndërsa koha kalon, dita – ditës shikojmë një realitet të ri të krimit, një botë ku  po lulëzon  agresiviteti, urrejtja, hakmarrja, dhuna fizike, sociale, morale, dhuna mashkullore e shpeshtë dhe e  pandalshme ndaj grave e vajzave, si përgjigje ndaj frustrimeve dhe anktheve, që mbushin jetën mes të përditshmes njerëzore. Në vend që ne duhet  të  kërkojmë arësyet e këtij realiteti të dhimbshme e të mjerë, në vend që  të shqyrtojmë degradimin e dhunshëm të personave që janë pjesë e shoqërisë, përballemi me heshtjen e kësaj shoqërie,  heshtje që  nxit akoma më shumë dhunën. Heshtja ndaj këtij realiteti të trishtë e “të ftohtë”  po ndrydh standartet e mirësjelljes, po kontribuon në mungesën e respektit për shenjtërinë e jetës njerëzore në të gjitha kushtet dhe fazat e saj.Si rezultat i heshtjes të shoqërisë, jeta e grave dhe vajzave të reja është bërë tejet dramatike.Në javën e parë të janarit ishte vërtet e dhimbëshme të lexoje në median shqiptare klithmën e dhimbëshme të gazetares Nikoleta KOVACI: “Krimi i vrasjes në 2012-ën në vendin tonë i kaloi të gjithë parametrat që mund të rrokë arsyeja normale njerëzore. Masakrat e njëpasnjëshme përveç numrit të madh të viktimave, këtë vit kanë patur një veçori të frikshme: në prita nuk janë kursyer gratë dhe fëmijët.” Dhe më pas gazetarja na rikujton shëmbujt e llojeve, të incidenteve të dhunëshme të krimit e vrasjes. Pyetja e parë që  del shpesh kur përballesh me akte të tilla të dhunës,  është PSE ato ndodhin, cfarë i ka motivuar këta njerës të bëjnë krime të tilla? Cilët janë faktorët që shkaktojnë dhunë të tillë të verbër e makabre  në shoqërinë tonë? Ngacmimet seksuale, krime pasioni, pedofilia, pornografia, abuzimi i fëmijëve, incesti,(kam parasysh përdhunimin nga i ati  dhe lindjen e një fëmije prej tij me të bijën  në rrethin e Gramshit para disa vjetëve), varfëria që pjell injorancën dhe imoralitetin, përdhunimet, dhuna, vrasjet, masakrimi i tyre me sopatë, që  është e pamundur të mos dëgjojmë cdo ditë në lajmet, dhe të mos jemi të informuar për veprimet e dhunëshme, duke e pranuar se nuk ka  përgjigje për këto sjellje të dhunëshme. Para së gjithash unë sinqerisht dyshoj se burrat abuzivë e vrasës  që ushtrojnë dhunë ndaj grave, të cilat  përjetojnë forcën fizike të dominancës  mashkullore, duke i rrahur e vrarë ato,  janë “ekspertë” në të paturit e nevojave dhe plotësimin e tyre, që nënkupton;  se ata janë edhe më vetë-tolerues, por që është tejet e  rrëzikëshme, sepse kjo lloj rrace burrash kanë një problem të madh me veten, ata janë aq tepër egoistë, janë të dhunshëm në marrëdhëniet seksuale, privilegjin mashkull, abuzimin me alkolin e lëndëve narkotike, stereotipe negative këto, që sjellin mungesë ndjeshmërie për viktimat e tyre. Dhuna ndaj grave është forma më diskriminuese dhe shkelje e të drejtave të saj njerëzore. Dhuna ndaj tyre shkakton mjerim të pallogaritur, shkurton jetën dhe gra të panumurta që i gërryen  dhimbja, ankthi, nën kërcënim  e frikë për jetën e tyre, fëmijëve  e të familjes. Dominanca e dhunës mashkullore  dëmton familjet në të gjitha brezat, mjeron e varfëron komunitetin dhe përforcon forma të tjera të dhunës në shoqëri, kufizon rritjen ekonomike dhe minon zhvillimin. Shtrirja dhe shkalla e dhunës ndaj grave janë pasqyrimi i diskriminimit që gratë e vajzat shqiptare vazhdojnë të përballen.Shëmbuj të shumtë dhune patëm vitin që kaloi,-biles nga më të tmerrëshmet. Në njoftimet zyrtare të gazetave u dha për disa ditë me rradhë krimi makabër i vrasjes së 18 vjecares, Aishe Vata. E gjora vajzë  u masakrua deri edhe në prerjen e kokës nga një epshëlli plak 80 vjecar, nga një i paburrë, burracak, me mllefe të shfrenuara e impotente në vitet e fundit të jetës së tij, -që përballë jetës së vështirë ekonomike, psikollogjike, varfërisë e mjerimit, mosmundësisë të mosblerjes edhe një fustan apo një palë atlehte të shkonte në shkollë, e dobët fizikisht për shkak të moshës e dobët financiarisht, Aishja e gjorë u përball e vetme  me dramën e jetës së saj, “mbështetur dhe e mbrojtur”  me  errësirën e kobëshme fizike e morale të heshtjes,  deri në eleminimin fizik të saj.  Është tmerrësisht e dhimbëshme, tmerrësisht tragjike, teksa dëgjoje vrasësin pedofil, Shaban Noren të deklaronte në sallën e gjyqit: “E vrava me rrobat që i kisha blerë unë!! Fjalë që të cajnë parzmin e gjoksit nga dhimbja, të therrin deri në kockë. Ky është  stili  i  përballimit  me mjerimin  e trishtimin “të ulur këmbëkryq”  që qan e qesh në shoqërinë tonë, me   implikimet e  kompleksitetit dhe  fuqinë e arrogancës së dhunës mashkullore, të pabarazisë sociale, të varfërisë e injorancës, – të heshtjes qytetare, të asaj heshtje që  ka fytyrën e mjerimit përbindësh e vrasës, heshtje që  nuk e mbrojti Aishen-fëmijë nga duart e epshorit pervers,-por e coi në masakrimin fizik të saj.Heshtje që ka dramën e saj por që nuk do t’ia dijë askush! Më pas krime të tilla kthehen në diskutime të shpjegimeve psikollogjike  të krimit, duke përfshirë një rishikim të marrëdhënieve  ndërmjet personalitetit, intelektit, sëmundjes mendore dhe sjelljes së dhunëshme. Zgjedhje racionale e teori rutinë këto, për shkakun e integrimit të krimit, që bëhen  jo vetëm material për gazetat, analistët, shoqatat jo qeveritare, drejtësinë e politikën, etj., etj.,-por dalin në konkluzionin se të gjitha veprimet e njeriut-duke përfshirë edhe dhunën, vrasjen, masakrimin, injorancën,  pedofilinë, perversitetin-janë produkte racionale të vendimarrjes në nivel individual. Pra, merren disa ditë me të,  si ajo cudia më e madhe që zgjat tre ditë dhe përsëri;- HESHTJE!!! Shoqëria para se të intendifikojë shkakun e dhunës dhe  shkaqet e kriminalitetit, duhet të thyejë heshtjen, që të jetë më mirë e në gjendje për të parandaluar dhunën që në fillesën e saj, ose të paktën të jetë në pozicionin për ta ndëshkuar atë, me  identifikimin e autorëve të dhunëshëm,  trajtimin e rehabilitimin e tyre nëpërmjet disiplinave akademike, duke përfshirë antropologji, biologji, kriminologji, psikiatri, punë sociale, dhe sociologji –teori të vecanta këto, që shpjegojnë më së miri fillimin dhe insistimin e sjelljeve të dhunëshme. Në anën tjetër të spektrit të dhunës e krimit qëndrojnë “krenare” variablat si varfëria, pabarazia sociale, dhuna fizike, sociale e morale, diskriminimi dhe inferioriteti maskilist, injoranca dhe mosarësimimi, papunësia,imoraliteti etj.Sot në përqindjen më të madhe kemi një rini të papunë,- kemi një rini pa të ardhme.Edhe ajo rini që është arësimuar nuk ka ku të punojë, ndërsa vajzat e reja adoleshente dhunohen cdo ditë e orë,  për mishin e tyre të njomë e të bardhë nga epshi hamëshor i elitës së të kamurve, të zengjinëve  pedofilë e perversë në moshë madhore,  që për një unazë, për një fustan në mbrëmjen e maturës apo një nënë e re e divorcuar për një pjatë gjellë e bukë në tavolinë për ëngjëjt e saj, mbyllin sytë  shkojnë në shtrat për një orë apo natë me ta, e më pas i vrasin i copëtojnë,-masakrojnë! A nuk mund të konsiderohen këto si shpjegimi i zanafillës të sjelljeve të dhunëshme? Shoqëria hesht para këtij realiteti të dhimbshëm, mjeran e të trishtë! Qeveria në vend që të merret me politikat sociale-ekonomike, të hapë vende pune  (se kombinatet dhe fabrikat që i punësonte vajzat dikur  u prishën, u shkatërruan  e u vodhën),  për të punësuar rininë, ia ka deleguar të bërit politikë shoqërisë, inteligjencës, popullit, pra kanë ndërruar rolet; -Qeveria dhe klasa politike merret me bisnes, “shtypin” milionat e lekëve në xhepat e tyre,  pasurojnë veten dhe familjet e tyre,shfryjnë epshet me viagra e “blue pills”,  që u irritojnë hormonet, -ndërsa populli i papunë merret me politikë! Kjo lloj dhune  rrit probabilitetin e dhunës sociale!  Ka akoma të tjerë që thonë se burimi i dhunës qëndron në dinamikën familjare, në karakteristikat e lagjes ku jeton apo të miqësisë me njerës të karaktereve të ndryshme, hipoteza dhe gjetjet empirike  këto,  që shënojnë studimin e krimit dhe dhunës. Por mos harroni se fytyra e dhunëshme e shoqërisë, c’organizimi i komunitetit, privimi ekonomik, pabarazia sociale, imoraliteti dhe ndikimi i tendosjes së krimit, janë  fokusi i parimeve  të  fytyrës së shtetit, kontrollit social në nivel individual e shoqëror,  që vërtet sot për sot, është shumë vështirë për të negociuar me rishikimin e rrënjëve të dhunës e shkakut të krimit. Sepse idetë dhe gjuha e urrejtjes që del nga implikimet e mëdha të klasës politike e shtetërore  ndikojnë pafundësisht në rritjen e fushveprimit të dhunës  fizike, sociale e ekonomike, nxitin heshtjen  në  përkufizimin e  krimit e  perspektivave kritike të rolit në marrëdhëniet e shtetit me shoqërinë si vazhdimin e kësaj dhune në jetën e përditëshme.Rrethana të tilla si varfëria, mungesa e  përkrahjes familjare dhe e shoqërisë që i rrethon, shkaktojnë një dhunë të drejtëpërdrejtë. Faktorët e rrezikut të dhunës sikundër; mungesa e shpresës dhe ndjeshmërisë, vetëvlerësim i ulët, mungesa e dukëshme  e mjeteve për të jetuar, varfëria, impulsiviteti, pabarazitë e padrejtësitë sociale, që përfshijnë të rinjtë dhe e  cojnë drejt dhunës e krimit.Për të ndryshuar këtë situatë dhe për të krijuar shpresë të qëndrushme dhe mundësi për gratë e vajzat, të rinjtë e të rejat, shoqëria duhet të besojë në një qasje gjithpërfshirëse dhe të harmonizuar. Pra, të gjithë së bashku si shoqëri të thyejmë heshtjen, të sigurojmë një kontekst social  me strategjinë e fuqizimit në kuadër për të gjitha aktivitetet në komunitet, në shkollat e qendra të ndryshme sociale për edukimin e brezit të ardhshëm, rinisë, mbi modelet e reja të arritjeve,  sigurimin e  fuqisë punëtore  dhe arësimore, të gjitha këto kolektivisht të vlerësohen në mënyrë për të ofruar mbrojtjen  me të prekëshme e të mundëshme në parandalimin e  dhunës.  Prevelenca  e vazhdueshme e dhunës kundër gruas  është dëshmi e faktit se shoqëria jo vetëm duhet të thyejë heshtjen, por është  domosdoshmëri e angazhmit të klasës poltike, shoqërisë civile, kastës qytetare e intelektuale. Dhuna kundër grave nuk është  as e pandryshueshme as e pashmangëshme, mund të reduktohet me vullnet politik, social qytetar, intelektual,  dhe burimet e nevojëshme. Shoqëria të mos heshtë, por të identifikojë mënyrat për të mbyllur hendekun e kësaj heshtje e plage, mes detyrimeve morale, sociale, shtetërore, të drejtës për të qënë të lirë në një botë të lirë, ta sjellë në vëmendjen e publikut, të shoqatave  të grave  (jo qeveritare). Shteti të marrë përgjegjësitë e veta sipas normave dhe standarteve, me instrumentet politike të   zbatimit, sensibilizimit dhe përpjekjet për të crrënjosur dhunën  kundër grave dhe krimin,  duke e bërë prioritet kryesor e të  rëndësishëm  në nivel kombëtar.Me heshtjen e shoqërisë nxitet dhuna. Thyeni Heshtjen, t’i themi;NDAL DHUNËS!

Nga Raimonda MOISIU

Hartford CT USA

Janar 2013

 

 

 

6 komente në “Me heshtjen e shoqërisë nxitet dhuna….”

  1. mirel says:

    mire mire, po ke flur ca si shume.
    Sa per analize i bejme te gjithe kesaj e asaj, po konkretisht moj zonje cfare sugjeron.

  2. alban4eva says:

    mire e ke ti z.Raimonda, por mos harro qe fytyra e femres ne Albanistan perfaqsohet nga “gra” te tilla si Zhellefina, qe “te kap prej zhellesh dhe te qit jashte”, nga “top-modelet” e tipit Vorpsi, qe del dhe ha edhe ajo jashteqitje per aresye kar-riere. nga femra te tipit Mesile, Selvie, etj etj etj, rrugace qe jane ne krye te politikes shqiptare..

    me keto lloj femrash ne krye, eshte shume e veshtire te perndjesosh (sensibilizosh) shoqerine e ndrydhur shqiptare.. nuk lahet muti me shurre, pra, nuk mund te ndryshosh mentalitetin e dhunes te meshkujve shqiptar ndaj femrave, me keto lloj femrash harbute dhe rrugace qe kemi ne pushtet..keto qe kemi ne pushtet, eshte veshtire ti quash gra, keto jane harbute, rrugace, kerma femra…

  3. Vasil says:

    Eshte nje shkrim mjaft cilesor dhe mbi te gjitha mjaft aktual dhe i realizuar duke i bere nje sherbim mjaft te madhe shoqerise dhe kohes

  4. Jona says:

    shkrim shume i dobishem; te reflektojne e te reagoje shoqeria atje ne Shqiperi per te siguruar te ardhmen e tyre, mbi te gjitha te femijeve te tyre; kur lexojme cpo ndodh ne Shqiperi nuk me behet me te shkel kembet ne ate vend;

  5. mirel says:

    Shkrim leshi.
    Pa emocion dhe pa vlere.
    Vetem llap llap si ne raportet e Komitetit Qendror.
    Si duket nuk del dot nga stili klasik i mbledhjeve te asaj kohe.
    Pa evolim.

  6. SIMBAD MARINARI says:

    Une nuk mund te kundershtoj asgje prej fakteve dhe shifrave te nxjerra qe sikurse e theksonedhe autorja jane jo vetem alarmante pèor perpjestimet qe po merr krimi po behet i frikshem. E pergezoj autoren qe ka kapur nji nga faktoret kryesore qe i behet barriere krimit- mos qenurit indiferent ndaj kesaj situate me nji fjale : TE MOS HESHTIM ! …Dhe eshte me se e vertete ky shqetesim. Por une do te theksoja se kjo nuk eshte thjesht nji ” pasion i natyres se individeve te vecante”- por eshte vete shoqeria e shtypjes mizore te njeriut nga njeriu qe e ka ngritur ne piedestal krimin. Eshte e vertete se ka plote shoqate, organizma dhe shume individe qe jane radhirur me forcat e progresit…. por erresira e krimit eshte kaq e madhe sa vete strukturat e larta te shtetit jane zhytur ne te dhe e frymezojne apo e e stimulojne ate… Raste ???!!::: Qindra e qindra te cilat ngelen pa ndeshkuar. Ne jetojme ne shoqerine e krimit te dukshem e te padukshem !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje