“Ndaj Shefit të Krimeve qëlloi vetëm Fitim Alla”

16 Janar 2013, 12:54Kronika TEMA

“Personi që qëlloi ndaj punonjësit të policisë ishte Fitim Alla”. Këto janë deklarimet e personave që u arrestuan në tentativë për të kryer dorëzimin e municioneve disa shtetasve kosovarë, ku mbeti i plagosur rëndë Shefi i Krimeve në Burrel, Musa Skura.

“Nuk kemi qëlluar me armë zjarri ndaj policisë. Në momentin që janë afruar disa persona, duke qenë se në atë orë ishte errësirë, ne kemi dyshuar se kanë qenë disa persona, të cilët do të na kapnin në befasi dhe do të na qëllonin. Besonim se dikush ishte vënë në dijeni se ne ishim duke trafikuar municione dhe donin të na eliminonin”, kanë deklaruar të arrestuarit Vilson Milkuri dhe Edison Lleshi, teksa kanë pohuar se i armatosur ka qenë vetëm 19-vjeçari Alla.

Ndërkohë kolegët e Skurës pohojnë se ata kishin marrë një telefonatë, dhe siç shkruhet në gazetën Shqip, janë njoftuar se do të bëhej shkëmbimi i parave me municionet.

Policia ka synuar të arrestojë edhe blerësit dhe ka pritur deri në momentin që të bëhej takimi i dy grupeve.

Ndërkohë që në momentin e ndërhyrjes jo gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve, kështu që ndonëse është thirrur NDAL!POLICIA!, i riu ka qëlluar në drejtim të shefit Skura, i cili ka marrë dy plumba dhe është dërguar drejt Italisë për trajtim më të specializuar.

Të rinjtë kanë rrëfyer se me ta ka qenë edhe Riza Barçi, i cili ka drejtuar automjetin dhe ka pasur kontakte me shtetasit kosovarë.

Ata pohojnë se në këtë rreth veprojnë disa banda që tregtojnë municione dhe kanë besuar se mund të jenë në kurthin e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje