Për dallim nga kaçakët mes dy luftërave botërore dhe nga luftëtarët nacionalistë shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, trupat që e quajnë veten Armata Kombëtare Shqiptare (AKSH) shfaqen në rrethana krejtësisht të tjera, historike, politike dhe teknologjike.
Këta burra shfaqen pa asnjë shkas real, pos një mijë arsyeve virtuale, financiare dhe psikologjike. Shfaqja e tyre është absurditet politik pas një lufte të fituar në aleancë me Perëndimin (Kosova) dhe pas dy rebelimeve të intensitetit më të ulët, për liri e drejtësi (në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës) duken krejtësisht grotesk dhe po të mos kishte sherr dhe rrezik të lartë për interesat e Kosovës, në këtë mesele, do të mund të thuhej se janë vetëm hajgarexhinj!?
Një ushtri virtuale ka qarkulluar në internet që nga paslufta në Kosovë. Por ndikimi i saj ka qenë modest në UÇK në Maqedoni dhe në UÇMPB në Luginë të Preshevës, të dyja këto formacione politike-ushtarake kanë ditur në masë të mirë t’i hartojnë dhe lokalizojnë objektivat e tyre në terrenin operacional dhe diplomatik. Kurse “ushtria e re” operon me hartat e vilajeteve shqiptare nën Perandorinë Otomane.
Ndoshta edhe pa faj, sepse përditë i dëgjojnë palaço-historianët dhe palo-burrat e analizës politike dhe gjeostrategjike, e së fundi sikur morën leje nga kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, që vajtonin ato vilajete me pretendimin për t’i rikthyer.
Ndoshta më 1912 ky pretendim edhe ishte legjitim.
Pa dashur t’ia cenoj askujt krenarinë e ndërtuar nëpër betejat e viteve 1998-99, e më pastaj në dy rebelimet e viteve 2000, apo mbi postulate psiko-sociale dhe mite, dhe pa më të voglin qëllim për t’ia lënduar ndjenjat patriotike asnjë qytetari të Kosovës, si dhe pa ia mohuar asnjë shqiptari vullnetin për të bërë vepra të mëdha dhe heroizma në interes të lirisë dhe atdheut, këto trupa virtuale-mediatike, që shfaqen në publik sipas modelit të kërcënimit të paqes rajonale, thjeshtë dhe fort, i kanë cenuar themelet e lirisë dhe të sigurisë në shtetin e ri kosovar dhe para së gjithash kanë shkaktuar shqetësime të panevojshme tek qytetarët kosovarë.
Po si do të veprojë nesër shteti kosovar nëse tipa të maskuar si këta burrat që kërcëllinë armët në Vushtrri dalin për të mbledhur haraç nëpër popull e biznese në emër të një armate fantome kombëtare e cila do t’i bashkojë trojet etnike shqiptare?
Për një Shqipëri të madhe!?
Për cilën? Atë gjeopolitike, reale apo atë qiellore – virtuale, mitike dhe mentale.
Një Shqipëri e kujtesës…
Jashtë kontekstit të politikës rajonale amerikane dhe evropiane, jashtë aleancave dhe rreshtimeve, si dhe angazhimeve të Perëndimit në rajonin tonë, nuk do të ketë kurrfarë Shqipërie të madhe, dhe kurrfarë shtetesh të tjera të mëdha;
Sepse kjo lloj lufte e mësymjeve shtetomëdha është ndalur dhe ndëshkuar njëherë në Evropën hitleriane dhe përsëdyti në Ballkanin e diktuar nga Milosheviqi, pra këto mësymje janë shkatërruar nga F-117-shat e ShBA-së së bashku me aleatët evropianë, fillimisht në Bosnjë e më vonë në Kosovë gjatë viteve ’90.
Koston e hartave të tilla gjeopolitike nuk është në gjendje ta paguajë askush sot në kushtet e globalizimit të tregut dhe politikës, ndërsa hartat e tilla mentale vetëm sa shkaktojnë kaos të brendshëm, cenojnë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë brenda Kosovës, pra e bëjnë fragjile sigurinë e saj, të përgjithshme, duke qenë se siguria e brendshme gjithnjë reflekton në atë të jashtme.
Këta burra goxha barkaçokë, me tesha të kombinuara kamuflazhi ushtarak dhe me kombinezone si të ish-kombinatit ndërtimor industrial “Ramiz Sadiku” e me kollanë n’mes, me nga një allti dasmash n’shokë, e shfaqin imazhin arkaik të bajraktarëve shqiptarë, si konstantë e pandryshueshme e “cubave” dhe “kaçakëve” që nga vakti i turkut e pastaj Serbisë…
Në kohën kur ky vend ka një Kushtetutë në fuqi, ka ligjet dhe sistem politik demokratik (Republikë Parlamentare), pra edhe mekanizma kushtetues të sigurisë dhe të mbrojtjes, shfaqje të tilla shpalosin kontekstin e mosfunksionimit të shtetit ose të paralizimit të segmenteve të sigurisë në Kosovë. Këto pamje që erdhën përmes mediave nga Vushtrria, siç u tha, nuk janë marrë në një shtet afrikan si Mali i trazuar dhe këta nuk janë rebelët islamikë që po duan ta marrin shtetin nën kontroll.
Këto pamje vijnë nga odat ose kafehanet e Kosovës, vend pretendent për t’iu bashkuar bllokut të vendeve evropiane (BE-së) dhe në këtë kontekst, këta burra, qofshin edhe idealistë të pastër si loti, ose po duan të bëjnë hajgare me shtetin, ose e bëjnë nga padija, pa i njohur dhe respektuar interesat jetike të Kosovës dhe tërë hapësirës që e kontrollojnë shqiptarët në rajon.
Se për rebelim nuk kanë biçim.
Kosova nuk ka nevojë për Hezbollah, sepse është nën ombrellën e NATO-s, madje me trupat e saj në kufi.
Dhe nëse dikujt i shkon mendja se kështu balancohet frika (duke e trembur Serbinë) edhe në këtë aspekt e ka keq. Tashmë shoqëritë e Evropës Juglindore kanë hyrë në fazën e modernizimit dhe evropianizimit, ku vlen parimi i balancimit të dinjitetit e jo frikës dhe në këtë periudhë Kosovës i duhen liderë të pakorruptuar, të guximshëm por të arsyeshëm. Që analizojnë në mënyrë racionale trendët rajonalë dhe gjithevropianë dhe në ato përvijime të politikave, qoftë të shteteve veç e veç, qoftë të organizmave mbinacionalë si BE-ja, NATO etj., i gjejnë dhe klasifikojnë interesat imediate kombëtare duke ruajtur aleancat e arritura dhe duke bërë për vete aleatë të rinj, përmes politikave aktive, në kushte paqësore, duke reflektuar sa më shumë siguri, pra edhe duke prodhuar siguri e jo në njërën anë vetëm duke konsumuar siguri (KFOR) e në anën tjetër duke e cenuar atë.
Gabim fatal. Nëse dikush hala mendon se prapa diplomacisë së fuqishme (negociatat me Serbinë janë në rrjedhë) duhet të qëndrojë një forcë, atëherë dakord, kjo forcë është Kosova shtet demokratik, me stabilitet të brendshëm, paqësor dhe bashkëpunues në të gjitha nismat rajonale dhe më gjerë. Kjo forcë qëndron në respektimin e ligjeve dhe të Kushtetutës, në etikën e pushtetit, në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarëve, në përmbushjen e standardeve themelore të NATO-s për ta avancuar FSK-në në ushtri kosovare, brenda vitit 2013, dhe marrjen e detyrave mbrojtëse, si dhe në depolitizimin, profesionalizimin dhe pajisjen me teknologji të lartë të efektivave të Policisë së Kosovës dhe mbi të gjitha në mospërdorimin e policisë së shtetit për nevoja partiake, zgjedhore dhe për ndjekjen e oponentëve politikë.
Hartat mentale të luftënxitësve ballkanikë janë gjithmonë të mëdha, mësyjnë që të lyejnë me ngjyrat etnike sa më shumë tokë, territore dhe mundësisht pa njerëz që perceptohen si të tjerë, që nuk përkasin në “ne”, pra këto harta mentale të fiksuara edhe në mendësinë shqiptare dëshmojnë se hartuesit e tyre më së paku mendojnë për humanitetin, për njerëzit e thjeshtë, të cilët mezi mbijetojnë nga fukarallëku, e lëre më të ndërtojnë jetët e tyre në mirëqenie.
Harta të tilla i kanë themelet në nacionalizmin si “streha e fundit e horrave”, në mendësinë kolektive, si harta shpirtërore, në mite e legjenda, por të përpunuara nga ideologjia marksiste – leniniste, që gërshetohet me “revolucionin permanent” të Law Trckyt, përkatësisht nga maoizmi. Ato harta mentale gjithnjë joshin turmat, sepse individë të paarsimuar dhe të pashpresë rëndom shkrihen në turmë, në të vetmen kështjellë ku ndihen të sigurt dhe të dobishëm.
Por liderët e emancipuar politikë dhe ushtarakë modernë nuk guxojnë të gjykojnë kurrë e aq më pak të veprojnë me zemërimin e turmave.
Është simptomatike mendësia shqiptare e paspavarësimit të Kosovës, e cila në kushte të lirisë po rrëshqet pikërisht në terrenin e nacionalizmit, ku të fituarit shfaqen të viktimizuar, e humbësit janë ata që gjithmonë kërcënojnë!?
Së këndejmi, Enver Hoxha si maoist e kombinonte vijën terroriste të Partisë Komuniste me nacionalizmin. Fatkeqësisht shumë shqiptarë ende bien nën kurthin e këtyre teorive, jo pse i kanë studiuar dhe i njohin, porse i bartin të ngulitura nga elitat politike dhe kulturore të proviniencës enveriste, nga interpretimet ideologjike të historisë. Dhe disa shqiptarë folklorikë ende mendojnë se sa herë del dushku u dashka një ushtri e re, një luftë e re dhe në emër të këtij rrengu ata janë në gjendje të vrasin.
Vrasja është shndërruar në folklor!
Po çka po ndodh në prapaskenë?
Tashmë po pranohet edhe nga Prishtina zyrtare se negociatat tashmë janë politike.
Dhe në negociata palët fillimisht marrin pozicione të forta, me platforma e rezoluta ose “vija të kuqe”, edhe kjo dihet.
Mirëpo në thelb, që të dyja palët do të lëshojnë pe. Që të dyja palët do ta pranojnë realitetin, Serbia Kosovën e pavarur, kurse Kosova parimet e Pakos Ahtisaari, të cilat, jo që kanë mbetur të paqarta për serbët kosovarë, por duket se nuk i kanë zbërthyer as vetë politikëbërësit shqiptarë.
Serbia madje me gjysmë zëri edhe me rezolutën e miratuar u çoi selam serbëve kosovarë se po ua ndal grazhdin, porse paradoksalisht mban qëndrimin se nuk e njeh shtetin kosovar e në anën tjetër kërkon autonomi për serbët!?
Autonomi në autonomi!
Kjo mendësi sovjetike-serbe nuk ka përkthim në anglisht!
Siç nuk ka mundur kurrë të përkthehet solucioni “kombet dhe kombësitë”!
Por në anglisht mund të përkthehet Kushtetuta e Kosovës, që parasheh një pushtet autonom lokal nën juridiksionin e Prishtinës (njëlloj autonomie politike – financiare të komunave serbe në veri), pra zgjidhje joterritoriale. Kompromisi i dhimbshëm i Prishtinës zyrtare, që aq dendur dhe pa arsye po përmendet tani, ka ndodhur që në negociatat e Vjenës 2006. Në këtë raund bisedimesh Prishtina s’ka më ç‘të japë dhe as që do t’i kërkohet nga Brukseli filantropi politike.
Beogradi është ai që do të japë: shpërbërje të strukturave ilegale administrative dhe të sigurisë në veriun e Kosovës.
“Ata po na bëjnë presion nëpërmjet Bashkimit Evropian, ndërsa ne nuk i lëmë në Kombet e Bashkuara. E çfarë, a duhet kështu të shtyhemi me vite?” – ka thënë kryeministri serb Daçiq, duke bërë me dije se për karrige në OKB Prishtina duhet të japë diçka!?
Daçiq e di se Prishtina e ka dhënë tashmë “atë diçka”, por lufta e tij është që “ajo diçka” të jetësohet. Ajo diçka tashmë dihet: mbrojtja e veçantive etnike, historike dhe fetare e serbëve të Kosovës dhe kjo mbrojtje është legjitime përderisa të mos dominojë koncepti i deetnizimit të shtetit kosovar dhe arritja e një cilësie të re të kombit-shtet, (njësi e rritur) sipas modelit të shtetit qytetar dhe jo kombit etnik.
Kryeministri serb Daçiq e pranoi botërisht dhe para deputetëve të Skupshtinës serbe se duhet pranuar realiteti lidhur me Kosovën, sepse sovraniteti i Serbisë në Kosovë të thuash nuk ekziston. Ai më në fund, i trandur nga ethet nacional-shoviniste, tha se mitet dhe përrallat nuk duhet që të jenë themel për negociata.
E në Kosovë, kur dalin në televizor burra me maska dhe harta përpara, që për jetësimin e tyre duhet shkatërruar pesë shtete ballkanike të bëra ose të sponsorizuara nga Perëndimi, folklori shpërthen, jep emocione të forta, kryesisht tek shtresat më të paarsimuara të popullsisë. Ata kallëzojnë përralla në TV, e askush nuk i interpreton ato. Prokuroria dhe organet e ndjekjes heshtin me krye në zall para “rikuperimit” mediatik të një organizate të shpallur terroriste nga administrata e George W.Bush dhe e pasuar nga Barack Obama. Politika s’guxon, sepse humbet ndikim ose tek njerëzit me ndikim të korpusit nacionalist ose tek turmat që politikës i qasen me emotivitet e jo me racionalitet.
Është për të qarë se shqiptarët ende në dekadën e dytë të shekullit 21 kanë sentiment për kaçakët, e këta kaçakët modernë bëjnë kërdi në internet.
E pastaj turma e hipnotizuar nga kleronacionalistët bëhet e rrezikshme për sigurinë e vendit dhe të qytetarëve.
Po lërini përrallat, sepse “arusha nuk tutet me tupan!”
Po kush duhet ta thoshte këtë në Prishtinë?
Kryeministri!?
Ai s’ka guxim prej burrështeti!
BRAVO!Matosh si gjithmone je nje nga zerat me te emancipuar te shoqerise kosovare.Ndjej kenaqsi kur lexoj shkrimet e tua .
bravo matosh! je trapi me i madh i gazetarise shqipfolese!
Bravo per perceptimin e sakte te aktualitetit, po nje bravo akoma me e madhe per kurajon qe ka per ti dale kundra kesaj rryme idioteske, qe ne nje vend te banuar nga shqiptare, quhet tradheti kombetare.
Z.Matoshi e ndjen veten te ftuar si inkuizitor, sa here qe shqiptaret flasin per kombin dhe jo per ruajtjen e kufijve ashtu sic jane sot.Gjithcka shqiptare eshte per Zoterine “shpella e fundit e horrave”.
Komunista,maoista,injorante,te painformuar,te pashprese.!!!!Shume titullime perdor ky “gazetar”, ky “yll i Kosoves” per ata qe iu shkon ndermend te mendojne se ideja e bashkimit kombetar mund te jete dicka e mire.!!!
Imagjinoni nji Kosove vetem me shqiptare si Halit Matoshi. Do ishte vertete nje shpelle e horrave.!!!!
Bravo gazeta Tema se sa here ka ndokund nje artikull antishqiptar ne nje tjeter gazete e botoni dhe Ju.Falemnderit
ti me dukesh do te jesh nga ata frikacake qe ri fshehur ferave dhe ne kohen e luftes ne Kosove ishe nen mbrojtjen e Milloshevicit .Se edhe atehere trimat e UCK i quajten teroriste e iredentiste por kur mori pesha e peshores nga ta ju bene krah e i dhane ndime .Pasaj nuk kemi nevoje te na beje moral nje mercenar.
Sa per te informuar, o ivani i madh,z. Matoshi gjate luftes se Kosoves nuk ishte i fshehur ferave por ishte i burgosur politik ne Serbi.
Te pershendes.
Duhen,perderisa naziskinë ne jug dhe cetnikë në veri mprehin thikat.Natyrisht,nëse nuk veprojnë negativisht për popullin e vet dhe zbatojnë kodet e “luftës”,nese ajo shperthen edhe si zjarr i papritur nga cetnikët,Agimi i Artë!..Asgje te keqe nuk ka.Bosi ne Itali i tregoi shtetit italian se ka gati 10 milion ushtarë të ndaj edhe me luftë Padanian.Matoshi,i keni parë ushtarët me uniformë të gjelbër të Bosit?Une kam shume miq të tij ushtarë që presin urdhrin….I lexon ndonjehere gazetat italiane,sidomos “Padania”?Mbase italianet e veriut qe demonstrojnë forcë nuk jane virtualë dhe me duket se Italia eshte ne Nato…Mbase do kem respekt per shkrimet qe s’ke shkruar ende!…
Matosh,
Ne gjithcka zhgarravit pena jote prej gazetari te “emancipu” s,gjen gja tjeter vecse mllef e urrejtja ndaj kombit shqiptar,bashkimit kombetar,Shqiperise etnike,Shqiperise faktike, Republikes se Kosoves,qeverive te te dy vendeve e vete kryeministrave.Sejcili subjekt prej tyre cuditerisht te pengon dhe duhet te eleminohet,o te pakten te kthehet permbys ose si i thone anglezet, up side down(apsajd daun).Ty nuk te mjafton qe kombi shqiptar ashte i ndare ne gjashte shtete,por kerkon dhe qe ta fshishe ate ne mbi gjysmen e vet, duke kriju artificialisht kombin kosovar e duke i kthy shqiptaret tjere autoktone qe jetojne ne tokat e tyre, ne kombas maqedone, malaziajs,serb e grek.Sherbim ma te mire, qe besa, s,ke si me iu ba dashakqinjve tane ne Ballkan.Ty nuk te pengon cfaqia e asaj ushtrie virtuale ne internet,po hallin e ke se e di mire qe pas saj ekziston ose mund te lindi ne cdo kohe nje organizate reale e armatosur,
qe ne cdo moment mund tua prishe planet ogurzeze bosava ne favor te te cileve ti mbush faqet e shtypit shqip.
Bashkekomentuesit e shkrimit tand japin mendime kontardiktore se ku mund te jeshe ndodh ti gjate kohes qe Kosova digjej flake dhe mbi 1500 djem nenash dhane jeten per clirimin e saj. Dikush thote se ishe fshef diku ne perendim,tjetri thote nder miqte tuaj rreth e rrotul Kosoves,ma ekstremisti shprehet se ke qene nen mbrojtjen direkte te Milloshevicit,po thone dhe se paske qene i burgosutr politik ne Serbi.Po e marr te mireqene kete varjantin e fundit, vec mos te te vije keq te them se serbet e regjimit te Millosheviqit nuk kane qene fort burra te mire e njerezor. Ata te detyronin me zor me e hanger qofte dhe nje luge te vetme corbe te prishur dhe pastaj me e vjell ate gjithe jeten.