Bashkimi i ‘shkruar’ opozitar

18 Janar 2013, 20:55Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

 

Apel për plebishit

Nëse hiqet një paralele mes zgjedhjeve të qershorit dhe atyre të 1992, e përbashkëta ka gjasa të jetë vota plebishitare. Si atëherë, por tashmë me PD pjesë të problemit, nuk bëhet thjesht fjalë për rotacion rutinë por për rishikim apo ‘reebot’ sistemi sepse ky që kemi nëpër këmbë, pavarësisht etiketës së NATO apo aspirantit për në BE, tingëllon fyes për perëndimin të klasifikohet demokraci funksionale pasi është shpërfytyruar  tejmase dhe katandisur në një sistem autokratik me reminishenca monarkike-moniste që nuk i lë mangët, as në shtrirje kohore, sistemeve që lamë pas.

Sikurse më 1992, sërish del në pah nevoja ekzistenciale për votën e lirë, pronën e mohuar prej dekadash, shtetin ligjor dhe mentalitetin demokratik në qeverisje të cilat klasa politike e tranzicionit dhe së fundi PD, me moton ‘pas meje, qameti’, ia mohuan mbarë shoqërisë.

 

Për meritë apo diferencë!

Kjo mazhorancë me datë skadimi të tejkaluar, është dëshmi si e papërgjegjshmërisë në qeverisje ashtu dhe e aksionit të debatueshëm opozitar për të mbrojtur në kohë dhe me efektivitet interesat e shoqërisë përmes zgjedhjeve të parakohshme, duke parandaluar apo frenuar kësisoj provokimin apo tjetërsimin pakthim të vlerave demokratike, sociale apo kombëtare. Ndërkohë, të merresh gjatë sot me opozitën është luks dhe pavarësisht perceptimit për votimin e saj për meritë apo diferencë, kohë për të ndërruar ‘kuajt’ ka kaluar dhe ajo mbetet e vetmja shpresë për më tej.

 

Luksi i dilemës!

Ndërsa opozita duhet të çlirohet nga hipnoza e fitores në ‘xhep’ (asat nën mëngë dhe alkimia elektorale e PD janë unike) ambicja e saj për fitore që mundëson reforma në kushtet e një ligji zgjedhor që pjell mazhoranca të brishta, presupozon unifikim të aksionit opozitar. Një lëvizje e ‘shkruar’, e imponuar nga një mazhorancë që të mbin në derë dhe ku çdo ngurrim apo iluzion nga çdo forcë politike që kërkon ndryshim pa bashkëpunim, shpie ujë në ‘mullirin’ e statukuosë dhe kthehet në bumerang për të vetë.

Ndërsa PS e bëri gjestin e saj me apelet për bashkëpunim, topi është tek AK dhe FRD për të demonstruar me vepra zellin për ndryshim. Ato nuk e kanë më luksin e dilemës sepse njëlloj si më 1992, aleancat ideologjike janë inferiore ndaj aleancës për rregulla në demokraci. Për më tepër kur në tezat e PS (me lidership dhe nga Lëvizja e Dhjetorit) spikasin çështja kombëtare, prona legale, integrimi dinjitoz i të përndjekurve, privatizimi efikas dhe transparent i ekonomisë etj sensibilitete të djathta etj sikurse në vetë partitë e djathta vërehen teza me inspirim të majtë. Në qershor nuk është në lojë identiteti partiak (që nuk cenohet në një front pro-demokraci) por identiteti demokratik, pa të cilin ai partiak është i pavlerë.

 

Dekalogu i zgjimit demokratik

Bashkëpunimi PS-AK-FRD për Abc-në e demokracisë nuk duhet të paragjykohet si shkrirje dhe zhbërje e identitetit partiak sepse të gjithë kanë nevojë për të gjithë pikërisht për simbolikën specifike që çdo parti bart. Vetëm përmes bashkëpunimit PS-AK-FRD etj mundësohen:

(1) krijimi i frymës dhe entuziazmit të duhur për ndryshim dhe sfumimi i panikut dhe fatalitetit të provokuar nga mazhoranca me gjasa masivitet dhe votë plebishitare pro-opozitë

(2) monitorimi dhe ruajtja efektive e votës, minimizimi i firove dhe alkimisë elektorale

(3) një zë autoritar dhe i besueshëm në perëndim në rast nëpërkëmbje të votës

(4) shpalosje efektive e mesazhit elektoral në massmedia dhe çdo njësi elektorale

(5) shanset për fitore plebishitare si premisë për shndërrimin e retorikës opozitare në reforma reale

(6) partnership efektiv gjatë qeverisjes me perëndimin, pavarësisht ngjyrimeve politike, dhe mbështetje në reformimin mbi baza meritokracie të institucioneve

(7) gjasat për stabilitet social dhe mosparagjykim qeverisjeje si e majtë apo e djathtë teksa qeveria e koalicionit do të shihet si zëdhënëse e të gjithë shtresave duke nënkuptuar si mirëkuptimin për reformat ashtu dhe kohën e duhur për këtë qëllim

(8) gjasat për të marzhinalizuar tentativat për ‘ngrirje buzëqeshjeje’ të pritshme nga PD dhe aleatët e saj në opozitë, si përmes adresimit dhe bërjes për vete të një pjese të elektoratit të PD, imunitetit ndaj spekulimit ideologjik, ashtu dhe përkrahjes perëndimore për kursin e reformave në vend

(9) krijimin e një klime tolerance dhe harmonie sociale teksa pretekstet ideologjike dhe bashkë me to, ato krahinore apo historike, do të sfumoheshin si arsye për paragjykim në shoqëri dhe

(10) gjasa për transparencë efektive dhe rivendosje drejtësie për çdo abuzim qeveritar për më tepër në prani të institucioneve deri më sot të paragjykuara të prokurorisë, gjykatës, presidencës etj.

 

Trimi i mirë, me shokë shumë

Nëse gurin e parë e hedh ai që nuk ka mëkatuar, refuzimi apriori i bashkëpunimit me arsyetimin e trashëgimisë së tranzicionit është i debatueshëm teksa të gjithë janë trashëgimi e tij. Bashkëpunimi FDR, AK dhe PS, secila me prioritetet respektive, është mëse i natyrshëm në kushtet e krizës dhe vetëm pasi vendi të jetë futur pakthim në rrugën e demokracisë funksionale, palët mund të kenë luksin e ‘trimit të mirë, ndonëse tek pull’. Deri atëherë, prioritetet nuk janë prerja majtas apo djathtas e timonit qeveritar por qeverisja me timon.

Në këtë kontekst, nuk bëhet fjalë për koalicion butaforik ku PS absorbon, lë pa identitet apo vasalizon këdo pranë por për një entitet opozitar që ofron dhe gjeneron më shumë shpresë dhe entuziazëm për ndryshim se çdo parti për hesap të vet. Një qasje kjo ‘e gjitha flet më tepër se shuma e të veçantave’ në analogji me një ekip fitues ku sesa talenti individual, vlen loja në ekip.

Ndërkohë, koha e LSI për t’u bërë pjesë e zgjimit demokratik, erdhi dhe kaloi dhe çdo tentativë e mëtejshme për joshje, përveçse patetike, perceptohet si karshillëk ndaj votuesit opozitar. Ndërsa LSI duket konsistente për të vijuar në një barkë me PD, është koha e faturës politike dhe jo e ‘mblesërisë’ PS-LSI, me ndikim në ngurrimin e FRD ndaj PS dhe vetë kohezionin opozitar. Ky bashkëpunim nuk do të paragjykohej vetëm nëse do të shoqërohej me dorëheqjen apo rikandidimin e lidershipit të përfshirë në demonizimin reciprok, proces ky që edhe nëse pranohet, kërkon kohë dhe me zgjedhjet në prag mbetet i pamundur me të vetmen gjë në dorë, ndaljen e flirtime zhgënjyese për këdo.

 

Akull për t’u thyer

Opozita duhet të marrë iniciativën në dorë duke ngjizur kësisoj makthin dhe panikun e humbjes në kampin e mazhorancës, pa rënë më pre e lojës së saj të vetëkompleksimit. Me fokus kauzën e votuesit dhe zgjimin e demokracisë, është koha për të thyer akullin e bashkëpunimit opozitar dhe bërë realiste shpresën për ndryshim. Opozita është e ‘dënuar’ të gjejë gjuhën e përbashkët dhe nëse jo në opozitë dhe në këtë moment kritik për demokracinë, vallë kur?

1 komente në “Bashkimi i ‘shkruar’ opozitar”

  1. SADIKU says:

    ASKUSH MOS TE PRESE GJE NGA BAMIR TOPI.AI KERKON PUSHTET DHE NE FUND TE VOTIMEVE KA PER TU BASHKUA ME SALI BERBYTHEN,MBASI JA KA PA HAJRIN PUSHTETIT.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje