Qeveria ka në plan të rrisë moshën e daljes në pension pleqërie në 67 vjeç për burrat e 63 për gratë, sipas gazetës “Shqip”. Është folur shpesh për rritjen e kësaj moshe, por që ka mbetur peng i efekteve negative elektorale që ajo sjell.
Skema e derisotme vijon të sjellë humbje të mëdha për Buxhetin e Shtetit. Kjo, pasi me të ardhurat që qeveria mbledh nga derdhja e kontributeve për sigurimet shoqërore, nuk arrihet të mbulohet fondi i pensioneve. Vrima gjigande përballohet nga të ardhura të tjera të cilat realisht duhet të investoheshin në infrastrukturë, arsim, shëndetësi etj. Duke mos e përballuar dot këtë lloj shpenzimi, është gjetur forma tjetër, ajo e rritjes së moshës.
Sot, kemi një kategori që paguajnë sigurime, të cilat, në vetvete, janë kontribute që jepen për brezin e sotëm të pensionistëve. Ashtu sikundër, brezat e ardhshëm do kontribuojnë për ne të tjerët që atëherë do jemi në moshën e pensionistëve të sotëm. Por qeveria duket se ka dështuar në rritjen e numrit të kontribuuesve. Ende sot në tregun shqiptar të punës gjen njerëz të (vet)punësuar në të zezë. Ka të tjerë që paguajnë kontribute më pak se sa realisht ata paguhen. Dhe më keq akoma, ata që s’kanë mundur të gjejnë dot një punë.
Do isha përkrahës i rritjes së moshës nëse realisht s’do kish më qytetarë që i shmangen kontributit në derdhjen e detyrimeve për sigurimet shoqërore. Tek e fundit, nëse vërtet s’do kish sukses nga pagesa e të gjithëve ne, atëherë e vetmja alternativë do të mbetej rritja. Duke qenë se informaliteti është njëra anë e medaljes dhe papunësia është ana tjetër, gjykoj se një rritje e re vetëm sa mund ta shtyjë në kohë rëndimin e mëtejshëm të Buxhetit, por nuk e zgjidh problemin. Dhe, meqenëse rritja e derisotme s’ka ndikuar aq pozitivisht në këtë drejtim, mendoj se zgjidhja duhet të arrihet:
Së pari, duke rritur kontrollin ndaj subjekteve privatë. Punëdhënësit, për të ulur shpenzimet e tyre, u shmangen deklarimit të punonjësve. Sot gjobat arrijnë deri në 500 mijë lekë. Por, përpara se sa të arrihet deri te ky ndëshkim financiar (që është rrënues për biznesin), do ish më mirë që qeveria të ndërmerrte një fushatë të gjerë sensibilizimi mediatik. Ato pará që harxhon për spote televizive që i bëjnë llustër dështimeve të saj, t’i vërë në shërbim të ndërgjegjësimit të subjekteve private të cilave t’u bëhet e qartë se sa rrezikojnë nga mos sigurimi i punëmarrësve. Po ashtu, kjo fushatë të shërbente edhe për vetë punëmarrësit se çfarë përfitimesh kanë ata nëse këmbëngulin për t’u përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore.
Së dyti, duke çliruar tregun nga sistemi monopol duke krijuar pra një treg të konkurrencës së lirë e të ndershme. Kjo padyshim do të gjeneronte vende të reja pune e cila rrit vetvetiu numrin e kontribuuesve në skemë.
Një shoqëri që sot për sot është parazitare dhe nuk kontribuon, nesër në pleqëri sërish do vegjetojë në kurriz të buxhetit duke përfituar nga skemat e përkrahjes sociale. Dhe këto janë bombat e reja sociale që do u vijë dita të pëlcasin, ndonëse sot askush s’e çan kokën se ç’do sjellë e nesërmja për ta…
Më mirë një vezë sot, sesa një pulë mot
Personazhi në fjalë, B.L., është diku tek të dyzetat, por pamja e tij e tregon nja 10 vjet më të madh. Ai është një nga pjesëtarët e kolonisë së të papunëve. I duhet të rrisë dy fëmijë. Për momentin jeton vetëm me të ardhurat e invaliditetit të së shoqes. E trishtueshme ta mendosh se si u dalin një grusht të hollash për të patur një jetesë normale.
Ai m’u lut ta shoqëroja tek një subjekt privat, pasi e dinte se unë kisha një farë njohje me pronarin. Isha më shumë si garanci për seriozitetin e B.L. në punë dhe ndershmërinë si njeri. Në fakt, për të tillë e njihja, paçka se sot është vështirë ta vësh dorën në zjarr për dikë. Puna që i ofrohej s’ish më shumë se roje objekti, por kur të zë halli, edhe 5 lekë më shumë të duken flori. Ranë në ujdi për kushte e punës dhe pagën mujore e cila përfshinte brenda edhe pagesën për sigurimet shoqërore e shëndetësore. B.L. pyeti se sa shkonte në total i gjithë kontributi dhe u mërzit që ai përbënte 30 për qind të pagës së tij ose e barabartë me 10 ditë pune.
-A s’mi jepni të thata në dorë ato lekë e mos më fusni fare në sigurime?, shtoi aty për aty.
-Absolutisht jo, ndërhyri punëdhënësi. Rrezikoj gjobë nëse inspektorët të kapin të pasiguruar. Veç kësaj, dua që çdo shpenzim ta kontabilizoj, ndryshe s’më njihet.
Ky punëmarrës, në fakt, përbën shembullin më klasik të zbatuesit korrekt të ligjit, por jo gjithnjë gjen të tillë të ndërgjegjshëm.
Rrugës po i thosha B.L. se të jesh i siguruar është gjë e mirë, sepse investon që në të ardhmen të përfitosh një pension pleqërie. Ndërkohë ai më dha një përgjigje që e kisha dëgjuar me dhjetëra herë nga shumë të tjerë: ”Po i kapa 55-60 vjetët në këtë jetë, do jem njeriu më i lumtur në botë. Kurrë s’kam për ta kapur moshën e pensionit. Më mirë t’i marr e t’i përdor sot, sesa të mos i gëzoj kurrë ato lekë.”
Argetohuni pak me Gaz Pajen ne takimin e FRESSH:
http://www.youtube.com/watch?v=r0Mi4jWMeGU