Deri në fund të shkurtit Gjykata Kushtetuese do të shprehet nëse e shkel ose jo Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë kërkesa, e firmosur nga mbi 60 mijë qytetarë me të drejtë vote, për referendum kombëtar lidhur me ndalimin e importit të mbetjeve. Deri në mes të prillit, pak para fillimit zyrtarisht të fushatës së zgjedhjeve parlamentare, Presidenti do të shpallë ditën e kryerjes se votimit për referendum, e cila normalisht do të jetë jo më larg se vera e vitit tjetër. Kështu për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar do të kemi një referendum të kërkuar nga populli për një çështje jo politike, për një çështje që i intereson në mënyrë absolute çdo qytetari që jeton sot në Republikën e Shqipërisë dhe brezave të ardhshëm, përfshi edhe vetë ata pak vetë, që e duan importin e mbetjeve sot thjesht për të bërë ca para, para të cilat mund t’i përdorin për vetëkurim shkaktuar nga ndotja e shtuar e importit të plehrave.
Futja e dy neneve të importit të mbetjeve në ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve (MIM) veç të tjerash është jo e drejtë nga pikëpamja ligjore. Ligji presupozon se është në përputhje të plotë me direktivën e BE-së për Menaxhimin e Mbetjeve. Në fakt në direktivë nuk flitet për import të mbetjeve, por direktiva i referohet rregullores përkatëse të BE-së për importin e eksportin. Në guidën për Përafrimin e Legjislacionit Mjedisor të Bashkimit Europian shkruhet: “atje ku legjislacioni i BE-së për sektorin mjedisor përmban një përzierje të direktivave me rregulloret, vendet duhet të bëjnë një kujdes të veçantë për të siguruar që masat kombëtare për zbatimin e direktivave të jetë e integruar në mënyrë të plotë dhe të mos konfliktojë me rregulloret e BE-së”.
Në ligjin shqiptar, jo vetëm që nuk është bërë kujdes që rregullorja të integrohet në mënyrë të plotë me direktivën (pra në rastin e Shqipërisë me ligjin MIM), por rregullorja është injoruar fare dhe nuk ekziston. Pra, nenet e importit të plehrave që janë futur arbitrarisht në këtë ligj funksionojnë pa rregulloren e detyrueshme, që do të thotë që të gjitha rrugët e keqpërdorimit janë të hapura. Kjo hapje ndaj importit të plehrave, dhe pse me disa barriera të vendosura në ligj, rrezikon të dizintegrojë të gjithë ligjin, thjesht se mund të orientojë përpunuesit e mbetjeve drejt mbetjeve të importit, siç po ndodh, duke braktisur kështu përpunimin e mbetjeve të vendit e në të njëjtën kohë, duke i shtuar ndotjes ekzistuese në vend dhe ndotjen nga përpunimi i mbetjeve të importit. Kjo në mjedisin delikat shqiptar çon në një pikë ku ndotja bëhet e pazhbëshme.
Në realitet, e sidomos në realitetin e sotëm shqiptar, zbatimi i 2 neneve të importit komprometon të gjithë ligjin, objektin dhe qëllimin e tij.
Të gjitha qeveritë në këto vite të demokracisë, sidomos pas ratifikimit të Konventës së Aarhusit në vitin 2000, që njeh të drejtën e publikut për të marrë pjesë në vendimmarrje me impakt në mjedis, nuk e kanë marrë në konsideratë opinionin publik për ndonjë vendimmarrje, me një përjashtim, atë të ndërtimit të inceneratorit të plehrave në Kashar, që do punonte me plehrat e importuara nga Italia në vitin 2004.
Nuk u morr në konsideratë, madje krejt arbitrarisht nuk u lejua të bëhej referendumi i firmosur nga 14 mijë qytetarë të Vlorës kundër ndërtimit të Petroliferës e TEC-it në Gjirin turistik të Vlorës në vitin 2005. Rezultati: u groposën 100 milion euro të taksapaguesve shqiptarë dhe u bllokua zhvillimi i turizmit në një ndër territoret bregdetare më të bukura në gjithë Adriatikun. Nuk u përfill reagimi i qytetarëve kundër prishjes së Kopshtit Botanik, kundër prerjes së pemëve të parkut të Liqenit në rrugën e Elbasanit, nuk u përfill reagimi për plan alternativ të rrugës së Arbrit, ndaj variantit masakrues që shkatërroi monumentin natyror të kanioneve të Lumit të Tiranës. Nuk u morën parasysh protestat qytetare për heqjen e neneve të ligjit që lejon importin e plehrave. Këshilli i Bashkisë së Tiranës nuk e mori në konsideratë opinionin e shumë analistëve, në vijim të shumë reagimeve ndër vite për një Plan Rregullues të Tiranës, që veç të tjerash mbron mjedisin dhe trashëgiminë kulturore të qytetit.
Pse ky injorim i mendimit qytetar, marrja në konsideratë e të cilit është dhe detyrim ligjor? Një përgjigje për këtë e gjen të freskët tek publikimi i e-maileve të znj. Argita Malltezi me biznesmenin pakistanez Ansar, kur për një vepër si TEC-i 120 MW, që kërkon me detyrim ligjor pjesëmarrjen e publikut qysh në fazën e konceptimit të projektit znj. Argita me bindje të plotë i shkruan atij se: “aprovimi i projektit nuk do të përbënte problem” (edhe pse në atë kohë pati një lëvizje të fuqishme të komunitetit kundër ndërtimit të TEC-it të Vlorës), mjafton që paratë të “qarkullojnë”.
Tjetër. Shumë afër marrjes së lejes së ndërtimit të një inceneratori për djegjin e plehrave në Fier, në mos e pat marrë, ishte tashmë i mirënjohuri, peruani Miller, i kërkuar nga Interpoli. Për këtë vepër që mund të bëhej funksionale vetëm nëpërmjet importimit të plehrave urbane nga Italia, jo vetëm publiku, por as edhe deputetët nuk kishin informacion.
Këto pak raste që cituam, krahas shumë e shumë të tjerëve tregojnë se vendimmarrja e qeverisë as nuk e llogarit fare ligjin që i jep forcë qytetarit në procesin e vendimmarrjes.
Vërshimi i plehrave të importit me leje ka filluar në Shqipëri. Shumë kanë marrë leje e shumë të tjerë presin leje. Plehrat e Shqipërisë janë aty ku ishin e shtohen edhe me shumë çdo ditë me ato që vinë nga importi.
Në një terren të tillë, ku publiku injorohet në vendimmarrje, e si pasoj importimi i ndotjes është sfida mjedisore më e madhe që ky vend ka përpara, hapja rrugë e referendumit të kërkuar për heqjen ose jo të neneve të importit në ligjin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve do të ishte shenjë e një kthese dhe shpresë të madhe për një qeverisje të vendit sa më afër standardeve europiane.
Shtoni edhe keto dy plehrat:
http://imazheshqip.blogspot.com/
Shyqyr qe u kthyet prap tek plehrat sepse sala i shtyn gjerat me qellim sa te harrohen dhe pastaj vazhdon me qetesi per ti bere gjerat ashtu si do ai. Popull ai na mbyti na mori frymen si komb. Duhet menduar ne cdo sekonde si do shporret ai plehere qe e katandisi ate popull ne ate derege.I pa fytyre , kriminel, pa shpirt qe mendon ne cdo secone vtem si te qendroje ne pushtet.
Duhet te bashkohemi