Ngjarja tragjike e 21 janarit 2011 ku humbën jetën 4 demonstrues paqësorë të opozitës është trajtuar herëpashere nga këndvështrime të ndryshme. Opozita me të drejtë e quan atë një krim shtetëror. Sepse, vrasjet ndodhën pikërisht në momentet kur fuqia e turmës ishte fashitur pas ndërhyrjes së Gardës me gazin që të merrte frymën.
Qeveria dhe veçanërisht Berisha e kategorizojnë si një “puç”. Stisën për atë ngjarje shumë armë alla- Xhejms Bond, por që kurrë s’i gjetën. E bombarduan opinionin publik me idenë se atë ditë do rrëzohej ai bashkë me qeverinë, se kishte një plan operacional ku ishin të implikuar veç organizatorëve, edhe Presidenti, Kryeprokurorja dhe Kryetari i SHISH-it, të tre këta të fundit tashmë ish.
Kemi pastaj një sërë veprimesh nga ana e Berishës që për të mbuluar krimin ndërhyri në serverin e kamerave, zhduku çdo lloj gjurme të armëve dhe vonoi me dashje një sërë këqyrjesh në vendngjarje, thirrje dëshmitarësh apo persona të marrë nën hetim.
Por, të gjitha këto janë thënë, kush më shumë e kush më pak, gjatë këtyre 2 viteve. Të cilët ende s’mjaftuan për të nxjerrë para drejtësisë autorët dhe urdhërdhënësit e vërtetë të asaj ngjarje.
Përpos faktit që Berishës dhe të gjithë grupit drejtues që ishte në aksion dhe përgjegjës për dhënien apo zbatimin e urdhrave antiligjorë do i vijë dita që do përgjigjen për çka bënë, duhet thënë se jo vetëm për këtë, Berisha vijon të dalë i humbur nga kjo ngjarje. Kjo, pasi ai s’lë rast pa e anatemuar atë demonstratë e cila, ndonëse i kaloi disi caqet e një proteste paqësore, nuk u pa kurrë që të kishte qëllime për t’ia marrë pushtetin me dhunë. Megjithatë, duke qenë se aty mpleksen edhe vrasjet, Berisha po e demonizon kaq shumë demonstratën aq sa kjo realisht duhet parë si diçka mjaft pozitive. Dhe ja pse.
Pas trazirave të vitit 1997, Shqipëria u mundua të futej në rrugën e saj të stabilitetit ndonëse ajo çka hoqi atë vit la pasoja shumë të rënda për disa vite rresht. Dhe, në ato kushte të vështira në të cilat ndodhej Shqipëria, ndodhi që më 12 shtator të vitit 1998 të vritej deputeti Azem Hajdari. Marrë shkas nga kjo, Berisha, si një mjeshtër i përfitimit nga situata me ndjeshmëri të lartë publike, e përdori atë ngjarje për të sulmuar me armë kundra-tank dhe kallashnikovë selinë e Kryeministrisë e një sërë institucionesh të tjera. Bile arrit të rrëmbejë edhe tanket e Gardës. Atij iu la dorë e lirë të bënte ç’të donte, t’i vinte zjarrin kryeministrisë dhe të shtinte në dorë Televizionin publik, mjaftueshëm për t’u karakterizuar si Grusht Shteti. Por asnjë plumb që u shtie fillimisht në ajër, nuk përfundoi në mish njeriu. Ditë më pas të gjithë i mbajmë mend mitingjet që ai organizonte nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të bulevardit të cilat përfundonin me hedhjen e shisheve me benzinë (bomba Molotov) në dritaret e ministrive.
Nisur nga kjo, duhet thënë se Berisha ka qenë gjithnjë i rrezikshëm gjatë opozitës së tij. Kjo, pasi ai ka grupin e tij që janë ende me mentalitetin tribal të mbështetjes qorrazi të prijësit. Dhe për prijësin janë të gatshëm të vetëflijohen. Opozita që bën Berisha është që të provokojë qeverinë deri në marrjen e shkakut për të mësyrë si rrjedhim i pasojës.
Parë nga kjo anë, mendoj se Berisha i pas 23 qershorit, kur shqiptarët do e rrëzojnë me votë atë dhe partinë e tij, do jetë shumë i lehtë për t’u menaxhuar. Sa herë ai do guxojë që të nxisë një tubim antiqeveritar, s’do mundet dot t’i kalojë kufijtë. Instinkti për të kundërshtuar me dhunë institucionet kur të mos ketë më pushtet do i rindizet dhe ky do jetë një lajm i keq. Por, fryma dënuese që ai vijon t’i bëjë demonstratës së 21 janarit (që është ku e ku më paqësore se ajo e 14 shtatorit), mendoj se është një lajm i mirë që nesër, Sali Berisha, të dijë se ku përfundon liria e tubimit dhe ku nis zbatimi i shtetit ligjor. Të paktën për këtë kemi boll material filmik për t’ia mbyllur gojën nga ballafaqimi me ato çka vetë ka deklaruar…
Dihet se emërimi i Adriatik Llallës si kreu i ILDKP-së qe bërë në Kuvend me konsensusin e të dy forcave politike, PD- PS. Aq i fortë ishte ky konsensus sa Berisha e përdori edhe kur zoti Llalla u propozua në detyrën e Kryeprokurorit. Opozita u detyrua të abstenojë gjatë votimit duke mos qenë dakord vetëm me anën procedurale të shkarkimit të zonjës Rama e jo se kishte gjë më zotin Llalla. Por, çfarë e bëri zotin Llalla një emër të kaq pranueshëm në ish- detyrën e kryekontrollorit të pasurive? Asgjë më shumë se mos ardhja e tij nga radhët e politikës. Karriera e tij e gjatë në prokurori dhe mos qenie objekt i ngjarjeve të mëdha ku pleksen interesat politike, i dhanë atij mbështetje maksimale.
Me emërimin në një detyrë tjetër, vendi i tij mbeti bosh. Mund të mendohej se mazhoranca do vijonte të mbante të njëjtin konsensus duke gjetur një emër, në mos nga radhët e prokurorisë, të paktën të ishte njëri i brendshëm i ILDKP-së i cili ka avantazhin se e njeh në brendi stafin dhe punën dhe di se ku çalon ajo.
Por, mesa duket, nuk jemi më në kohët më të arta të mazhorancës. Ajo numëron mbrapsht ditët që i kanë mbetur në pushtet dhe padyshim do që të lërë njerëzit e saj në institucionet kyçe. Dihet se ILDKP-ja ka një rol thelbësor në hetimin e pasurive të fshehura të politikanëve. Ajo është hallka e parë që investigon e më pas ia çon çështjen prokurorisë. Nëse ka vullnet të mirë dhe dëshirë për t’i shkuar gjërave deri në fund, e ka shumë të lehtë t’ia gjejë fijet mafies qeveritare se ku i ka tjetërsuar pasuritë e vëna në mënyrë abuzive duke shfrytëzuar detyrën. Dhe jo vetëm të zyrtarit të lartë, por edhe të fëmijëve të tyre që kanë përfituar nga ndonjë firmë e artë 3 përqindëshe e babait pushtetar.
Në këto kusht, mazhoranca zgjedh një përfaqësuese të saj politike në krye të këtij institucioni, duke bërë prapa ktheu në hapat e dikurshëm. Në këtë rast, lajmi i keq është se e zgjedhura është një ushtare besnike e partisë në pushtet që do punojë me mish e me shpirt që të fshehë për disa kohë pasuritë e pista të qeveritarëve nga radhët e të cilëve ajo vjen. Lajmi i mirë është se ajo nuk plotëson në mënyrë ekzemplare kriteret ligjore që të punojë në atë detyrë. Një arsye mjaft e lehtë që pas 23 qershorit ajo t’ia lirojë vendin dikujt që e di se detyra e militantit përfundon plotësisht sapo nis detyra e ligjzbatuesit.
Altin ti ja fut kot. Nje shkrim pa koke, pa prapanike dhe pa kembe. Vetem ke hedhur germa kuturu. A e di se ku ngaterrohesh? Ja ta them une, ligji gjithmone i ka denuar veprimet e dhuneshme kunder shtetit, si ne 97, si ne 98, si ne 2011, pra ne cdo kohe. Por ne Shqiperi ligjin e ka bere dhe do ta beje Maliqi. Prandaj nuk ka as lajm e as lajm te keq dhe keto qe shkruan ti nuk vlejne per azgje.
pse mo din kruja???spo te marr vesh s\te pelqen shkrimi apo muhabeti??
s’te pelqen e verteta???
urime pr shkrimin altin