Roberto Mançini ka hedhur poshtë spekulimet rreth pasigurisë së të ardhmes së tij, duke insistuar se çdo trajner në Angli duhet të frikësohet për vendin e punës nëse Mançester Siti e shkarkon nga puna.
Ish-mbrojtësi Deni Mills ka deklaruar një ditë më parë se Mançini do të humbë vendin e punës nëse eliminohet nga Lids në Kupën FA dhe përgjigja e Mançinit ishte mjaft polemizuese.
“Me siguri këtë e kanë thënë lojtarët që kanë fituar shumë trofe në historinë e klubit”, ishte komenti i tij ironik.
“Ne e kemi filluar projektin tonë tre vite më parë. Në tre vite, ne jemi gjithmonë në krye, luftojmë për titull, kemi fituar tre trofe dhe kemi shanse për të fituar të tjerë në këtë vit. Të gjithë njerëzit që flasin rreth shkarkimit tim nuk e kuptojnë futbollin”.
“Nëse Mançester Siti më shkarkon nga puna, atëherë edhe 20 skuadrat e tjera në kampionatin anglez duhet të mbeten pa trajner”, ishte deklarata e Mançinit që duket se nuk ka hequr dorë nga lufta për titullin kampion, edhe pse ka një diferencë mjaft të ndjeshme nga Mançester Junajtid që kryeson renditjen.
“Nuk mendoj se ka mbaruar. Nuk e mendoj kështu, kurrë. Unë kam një mentalitet tjetër, të mendoj gjithmonë se mund të fitoj gjithçka. Kemi 12 ndeshje të mbetura dhe nuk e meritojmë të jemi 12 pikë larg. Mendoj se Junajtid e meriton të jetë në krye por gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt në futboll, mjaftojnë 3-4 ndeshje”, ishte paralajmërimi i tij ndaj Mançester Junajtid.