INTERVISTA/ Matlija: U mbush kupa! T’i kthehet sovraniteti popullit

8 Mars 2013, 21:31Politika TEMA

Flet avokati Dorian Matlija, që ka mbrojtur përpara Gjykatës Kushtetuese kërkesën për referendum kundër importit të plehrave

Bisedoi: Lindita Çela

 

Z. Matlija, ju keni qenë avokati që keni mbrojtur në Gjykatën Kushtetuese të drejtën e zhvillimit të referendumit kundër importit të mbetjeve. Sot u publikua vendimi që pranoi kërkesën tuaj. Si e komentoni këtë vendim?

Vendimi është pozitiv në dy aspekte: Së pari, sepse për herë të parë po kalon vendimmarrja tek populli, kur ky vetë e kërkon. Ka pasur tentativa edhe në të kaluarën që të realizohen referendum për çështje të ndryshme, por kanë mbetur rrugës për arsye të ndryshme. Katër prej tyre kanë mbërritur Gjykatën Kushtetuese, por vetëm kjo nismë kaloi më tutje. Kështu, vendimi i sotëm është një precedent shumë i mirë për të treguar rrugën që duhet të kalojë një referendum për t’u bërë realitet. Së dyti, vendimi është pozitiv sepse dha një përgjigje zyrtare që argumentet e qeverisë, që shfuqizimi i dy neneve krijon probleme të vetëmjaftueshmërisë së ligjit dhe liberalizon importin e mbetjeve, nuk ishin bindës. Kur këtë e thonë 7 nga 8 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të jep arsye të mjaftueshme për ta besuar që vërtet argumentet e qeverisë nuk qëndrojnë.

 

Cilat ishin argumentet që përdori qeveria?

Qeveria, përmes përfaqësuesve të Ministrisë së Mjedisit dhe Kryeministrisë ngritën shqetësimin se duke shfuqizuar nenet që lejojnë importin e mbetjeve, ky import mund të mos ndalohej gjithsesi. Ata ngritën pretendimin se nenet e diskutuar rregullonin mënyrën sesi importohen mbetjet dhe sesi kontrollohet ky proces nga qeveria. Është e njëjta bazë që i ka dhënë mundësinë qeverisë të miratojë një listë të gjelbër ku janë listuar ato mbetje, të cilat mund të importohen.

 

Por vërtet, nëse shfuqizohen këto nene, dhe nuk ka një shprehje të qartë në ligj për të ndaluar importin, a është e mundur që importi të liberalizohet?

Në një pamje të parë, nëse e mendojmë se mbetjet trajtohen si çdo lloj malli tjetër, duket sikur funksionon parimi që gjithçka që nuk ndalohet është e nënkuptuar që lejohet. Kjo vlen për çdo lloj malli që qarkullon lirisht në treg, si perimet, pajisjet elektronike, veshjet, etj. Ky rregull nuk vlen për mbetjet. Ato janë mallra jashtë qarkullimit civil dhe lejimi i tyre bëhet vetëm duke respektuar protokolle shumë të rreptë ndërkombëtarë. Për këtë punë nuk vlen vetëm referenca në ligjin shqiptar, por edhe në konventat ku Shqipëria është palë. Aktualisht Konventa e Bazelit përcakton qartë kuadrin rregullues sesi funksionon importi i mbetjeve. Që të nisë një eksport nga një vend tjetër drejt Shqipërisë, nuk mjafton që vetëm që shteti ynë të mos e ndalojë. Duhet të jepet shprehimisht leja nga ligji shqiptar dhe duhet patjetër të autorizohen operatorët ekonomikë, pra kompanitë private që do të kryejnë importin. Pa këto leje, asnjë shtet nuk nis dot as edhe 1 kg mbetje drejt Shqipërisë. Është pikërisht këtu ku është fokusuar ndërhyrja jonë, që të hiqet mundësia e qeverisë shqiptare që të japë këto leje, pa të cilat importi është i pamundur.

 

Por Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, u shpreh në media se edhe më parë ka ekzistuar Konventa e Bazelit dhe nuk është bërë i mundur frenimi i importit të mbetjeve në Shqipëri. Ka rrezik që importi të vijojë gjithsesi, pavarësisht kufizimeve që vijnë nga Konventa e Bazelit?

Ministri nuk ka të drejtë në këtë rast. Edhe më parë, përkrah Konventës së Bazelit, ka ekzistuar një kuadër ligjor i ngjashëm që lejonte shprehimisht importin e mbetjeve. Ligji për mbrojtjen e mjedisit, i miratuar në vitin 2002, në nenin 22/3 ka lejuar importin e mbetjeve njëlloj si nenet që neve sot kërkojmë të shfuqizojmë. Ky ligj tashmë është shfuqizuar dhe menjëherë më pas u miratua ligji aktual. Pra, gjithmonë importi i mbetjeve është lejuar shprehimisht dhe gjithmonë kompanitë private kanë marrë autorizimin e Këshillit të Ministrave për importin. Tashmë ne duam ta zhbëjmë këtë kompetencë të Këshillit të Ministrave.

 

Ju thatë që rregullat e Konventës së Bazelit imponohen ndaj shteteve të tjerë për eksportin drejt Shqipërisë. Po sikur të ndodhë që mbetjet të nisen nga një shtet që nuk është anëtar i Konventës së Bazelit, çfarë do të ndodhë?

Konventa e Bazelit ka anëtarë pothuaj të gjithë shtetet e botës, por edhe sikur të ndodhë kjo që thoni ju, përsëri kjo është e ndaluar për shtetin shqiptar. Sipas konventës, ne nuk lejohet të importojmë mbetje nga një vend jo anëtar i konventës. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë autoritetet doganore dhe kufitare duhet të ulin traun e doganës dhe mos i lënë të kalojnë këto mbetje. Nëse e bëjnë, atëherë kjo do të ishte shpërdorim detyre për këta funksionarë dhe ata do të përgjigjen para ligjit.

 

Po sikur të ndodhë që të shpërfillen këto rregulla?

Sikur të ndodhë edhe kjo, atëherë ligji aktual parashikon qartë që çdo person që importon mbetje në mënyrë të paautorizuar, përballet me sanksionet ligjore, me gjoba administrative të rënda. Pra, nuk ka asnjë shans që importi i mbetjeve të lëvizë brenda ndonjë kornize ligjore. Ai mund të kryhet vetëm në mënyrë të jashtëligjshme dhe këtu pastaj vlejnë të gjitha sanksionet përfshirë edhe ato penale siç ndodh me trafikun e drogës.

 

Cila është procedura e radhës që pritet të kryhet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

Tashmë fillon afati 45 ditor për Presidentin e Republikës që të caktojë datën se kur do të mbahet referendumi. Data që pritet do të jetë në vitin 2014 pasi referendumi nuk mund të zhvillohet 6 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit deri 3 muaj pas nisjes së punimeve të Kuvendit të ri. Vitin tjetër referendumi mund të mbahet vetëm pas 15 marsit, pasi kështu dikton ligji.

 

Ju thatë që është shumë e vështirë që të zhvillohet një referendum, ndërkohë që brenda një kohe shumë të shkurtër u prezantuan dy të tillë, një për mbetjet dhe një për 3 ligjet. A nuk duket ka një interes edhe nga politika që të trajtohen çështje të ndryshme me referendum?

Interesi i politikës për 3 ligjet është vetëm i momentit. Këto dy dekada është demonstruar që politika nuk dëshiron të kalojë vendimmarrjen tek populli. Nuk u pa e arsyeshme as për ndryshimet kushtetuese dhe sigurisht që hedhja në referendum e rregullores së parlamentit është tregues që politika e përdor referendumin për interesat e veta dhe jo për ato të popullit. Aktualisht sistemi është shumë frenues, sepse numri i firmave që kërkohet në raport me popullsinë është shumë më i lartë se vendet e tjera, procedura është shumë e ngarkuar dhe Gjykata Kushtetuese është frenuese për shkak se ligji i ka dhënë kompetenca të tjera përveç sa ka dëshiruar vetë populli në Kushtetutë. Sa më shumë nisma të kalojnë me referendum, aq më mirë është, dhe për këtë nevojitet një ligj i ri për referendumet, por mbi të gjitha është e domosdoshme një amendim i vetë Kushtetutës për të kaluar vendimmarrjen tek vetë populli, pavarësisht se partitë politike, të majta apo të djathta, tashmë të kontrolluara fort nga bizneset, vijojnë të përpiqen të mbajë në dorë të drejtën e vet popullit. Këtë javë u shitën 4 HEC-e dhe askush nuk u kujtua që ta shtrojë edhe këtë çështje me referendum, por u gënjye populli me 100 milion euro, që fundja janë 30 euro për shqiptar, ndërkohë që për të gjithë ne janë 4 HEC-e më pak. Sipas nenit 177 të Kushtetutës, amendamentet kushtetuese edhe sot mund të hidhen për t’u miratuar me referendum po e kërkoi 1/5 e deputetëve, por asnjë forcë nuk ka treguar interes. Trendi i ri i krijuar me dy nismat e fundit duhet të shërbejë si një pikënisje për një shpresë të re të popullit që e ndjen logjikisht veten të papërfaqësuar. Edhe importi i mbetjeve është lejuar nga të dy partitë kryesore, nga PS në vitin 2002 dhe PD në vitin 2011. Tashmë u mbush kupa, duhet t’i kthehet sovraniteti popullit.

8 komente në “INTERVISTA/ Matlija: U mbush kupa! T’i kthehet sovraniteti popullit”

  1. Telendari says:

    Hahahahah! Keta referendaret me duket se tani e kuptuan qe ia kane futur si kau peles! Shkuan per vetulla dhe nxoren syte!! O zot sa budallenj jane shqiptaret!! Ky trapi me mjeker ben edhe si avokat tani dhe sillet kot si pordha neper breke tani qe i ka ardh veza kryq!! Popull mbeturine!

    1. Argita_B says:

      Katnari vogel, ate e morem vesh te pakten se çdonte te thoshte , po ti ça doje me thene se ske lidhje fare me ça shkruhet!! Kane bere rezistence, lufte kunder korrupsionit mafies qe do te sjelle plehra ne Shqiperi e te helmoje femije, pleq e çdo banor te atij vendi. Po kur je katnar je mesu me samarin ne kurriz, ste ben pershtypje.

  2. Pavarësia says:

    Tek pyetja e fundit që, me të drejtë pyet gazetari, aty flenë lepuri i Gjykatës Kushtetuese që kotrollohet nga Saliu. Gjykata, me këtë lojë, do të miratojë dëshirën e Saliut për referendumin e tre ligjeve që, sipas Saliut na pengokan me shkue në Evropë. Të shohim, a do tia arrijë edhe këtij qëllimi të lig.

    1. Meleku says:

      Mire qe fle lepuri aty, po zagari ç’ben? Gjuhe pensionistash!

  3. Agroni Detroit MI says:

    Bukur,shume bukur ke fol o avokat.
    Cdo fjale si gur-themeli te qendron.
    Thjesht dhe qarte, pa na ngaterruar me numrat e ligjeve dhe pikat/shkronjat e neneve.
    Te lumte dhe suksese.

    By the way…you look good , …sikur meqene tamom avokat ?

  4. Stef Staku says:

    ANALIZE : Urime, urime urime urime.
    Ndoshta kjo eshte fitorja me e madhe qe ka arritur shoqeria civile ne betejat kunder Mafies e krimit te organizuar.
    Shpresojme qe z. Arvizu te kujtohet per ti informuar FBI…
    Ky eshte mesazhi me i bukur, i paster, qe Shqiperia dergon direkt e ne Bruksel.
    Kjo fitore vlen shume me teper se 12 perrallat me kushte te z. Fyle…
    Ju lumte e brezat qe do vijne pas jush do ju jene mirenjohes !!!

  5. valter says:

    Bravo ju lumte!!! Urime edhe per fazat e ardheshme, gjithe populli eshte me ju!

  6. dajti says:

    kUSH ESHTE KY MATLIJA MER JAHU QE NA E BENI TITULLIN SIKUR FLET MRETI? MEDOEMOS DO E NJOHIM TE GJITHE??

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje