Thaçi: Serbia do tregohet më e përgjegjshme më 2 prill

26 Mars 2013, 10:14Rajoni TEMA

Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, ka raportuar përpara anëtarëve të qeverisë në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Siç raporton Koha Ditore, Thaçi tha se edhe të mërkurën kishin një shans të mirë që të mbyllnin marrëveshjen, por kjo gjë nuk u arrit.

Megjithatë kreu i qeverisë beson se Serbia do tregohet më e përgjegjshme në takimin e 2 prillit, ku shpresohet të arrihet një marrëveshje për çështjen e nxehtë të veriut.

“Ishte një mundësi e mirë e mërkura e kaluar që të lëvizim drejt përmbylljes apo arritjes së marrëveshjes në mënyrë që të kalojmë nga faza një shekullore e konfrontimit në mes të Kosovës e Serbisë në një fazë të re, atë të bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë. Dua të shpresoj që ai rast i së mërkurës së kaluar do të përmirësohet me 2 prill”, tha kryeministri.

“Presim që më 2 prill të tregohet vullnet i mirë, përgjegjësi për rrethanat, kushtet dhe ambientin e ri që jetojmë në rajon dhe Serbia të kuptojë dhe respektojë rrethanat e reja, të tregojë gatishmërinë e saj për fqinjësi të mirë edhe me Kosovën, të tregojë gatishmërinë e saj për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë”, vijoi Thaçi./ep

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje