Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR ka deklaruar pas zgjedhjeve lokale në Maqedoni se ato ishin me konkurrencë të lartë dhe u administruan në mënyrë efikase, por fusha e garimit nuk ishte e barabartë.
“Zgjedhjet u ofruan kandidatëve mundësi për ta zhvilluar fushatën e tyre në mënyrë të lirë e po ashtu edhe fushata ishte aktive,” tha ambasadori Geert-Hinrich Ahrens (Gjermani), Shefi i Misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve.
“Në të njëjtën kohë, misioni ynë pranoi akuza të besueshme për frikësimin e votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve gjatë gjithë fushatës”.
“Me disa përjashtime, në vendvotimet që u vizituan nga vëzhguesit e Kongresit, zgjedhjet u mbajtën në mënyrë të qetë dhe të rregullt, pa incidente më të mëdha”, tha Jüri Landberg (Estoni), Shefi i Delegacionit të Kongresit.
“Ka disa shqetësime sa i përket situatës me mediumet, jo vetëm në lidhje me këto zgjedhje, por edhe në një kontekst më të gjerë. Mediumet pluraliste dhe gazetarët që mund ta kryejnë funksionin e tyre në shoqëri janë vitale për demokracinë”.
Fshirja e rreth 119,000 qytetarëve nga lista zgjedhore e votuesve para këtyre zgjedhjeve, për shkak të mospasjes së letërnjoftimit ose pasaportës biometrike, u përkrah nga të gjitha partitë kryesore.
Shumë palë u thanë vëzhguesve se nuk kishin besim në procedurat për ankimim dhe në gjyqet, dhe kishte numër minimal të ankesave të parashtruara në gjyqe. Mungesa e procedurave të qarta për trajtimin e ankesave parazgjedhore nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor nuk garanton procedurë efektive për ankuesit.
Dita e zgjedhjeve ishte e qetë, edhe pse u vërejtën disa parregullsi procedurale, duke përfshirë rastet e votimit grupor. Shumica e rasteve të numërimit të votave dhe mbledhje e rezultateve u vlerësuan pozitivisht./ep