Disa aspekte politike të Masakrës së Tivarit

2 Prill 2013, 19:59Rajoni TEMA

Mali i Zi, nëse dëshiron t’i intensifikojë marrëdhëniet me Kosovën dhe ta avancojë statusin kushtetues të minoritetit malazias në Kosovë, së pari duhet të bëjë vetë një hap të rëndësishëm: t’i zbardhë të gjitha faktet rreth masakrës së Tivarit, të kërkojë falje, t’i kompensojë viktimat dhe të ngrejë një memorial për të rënët. Edhe shqiptarët e Malit të Zi kanë obligim të sqarojnë se kush nga qytetarët e Tivarit, përveç ushtrisë, shtiu mbi kosovarët

Nga Mehmet Kraja

 

Shumë kohë përpara, ndërsa lexoja romanin më të mirë të Milan Kunderës, “Lehtësia e padurueshme e qenies”, i cili bën fjalë për “Pranverën e Pragës”, më kishte bërë përshtypje një detaj: në një nga situatat e romanit, personazhi kryesor, Tomasi, shkruan një ese për mitin e Edipit dhe komunizmin. Ky ese do të bëhet arsyeja kryesore e pësimeve të tij. Ja se çfarë thotë Kundera, përmes personazhit të tij: Edipi bëri një krim të shëmtuar, nga më të shëmtuarit që njeh raca njerëzore: vrau të atin dhe u martua me të ëmën, por kur e kuptoi se çfarë kishte bërë, Edipi ndëshkoi veten me verbëri të përjetshme, pra, ia nxori sytë vetes. Ky është miti antik, i cili, përmes tragjedisë së Sofokliut, i mbijetoi të gjitha kohët. Mirëpo, në këtë pikë, komunistët bëjnë përjashtim, thotë Kundera: ata vrasin baballarët, flenë me nënat e tyre, por për këtë fare nuk i bren ndërgjegjja, as e pranojnë krimin dhe fajin, madje as duan të mendojnë se kanë bërë një shëmti morale. Ky detaj nga letërsia, nga romani i Kunderës, më sillet ndër mend sa herë që bëhet fjalë për krimet komuniste dhe për indiferencën, me të cilën janë sjellë aktorët e këtyre krimeve edhe në rrethanat e mëvonshme. Komunistët tanë, bie fjala, edhe pas rënies së komunizmit në krejt botën lindore, nuk shprehen asnjëherë keqardhje për atë që kishte ndodhur në Kosovë, në Shqipëri dhe në Tivar në ditët e marsit dhe të fillimit të prillit të vitit 1945; nuk shprehën keqardhje, nuk kërkuan falje dhe nuk nxorën në dritë asgjë nga faktet që mund të dinin ata për këtë ndodhi, qoftë edhe në formën e shfajësimit. Kjo nuk ndodhi vetëm me udhëheqjen politike të Kosovës, për shkak të embargos ideore që mund të ketë vënë Jugosllavia, kjo ndodhi edhe me udhëheqjen politike të Shqipërisë. Raportet, dëshmitë, kabllogramet dhe dokumentet  e tjera të kohës flasin qartë se për vrasjen e shqiptarëve të Kosovës ka qenë në dijeni e gjithë udhëheqja politike dhe ushtarake e Shqipërisë, madje se këto vrasje kanë vazhduar edhe me të ashtuquajturit eshalonë të tjerë, pas njoftimit që ka marrë kjo udhëheqje për masakrën e ndodhur në Tivar. Apo, le ta përditësojmë këtë situatë: Cila është arsyeja, pse një komision parlamentar i Kuvendit të Shqipërisë, i themeluar për të raportuar për ngjarjen, nuk dha ndonjë rezultat? Përse arkivat e Shqipërisë, pjesa sekrete e tyre, nuk hapen as për këtë ngjarje, kur dihet se këto arkiva janë të vetmet që mund të zbulojnë me paanësi të vërtetën për masakrën? Arsyet, çfarëdo qofshin ato, mund të jenë vetëm politike, pra nuk janë as shtetërore, nuk janë as historike. Ky është niveli më i lartë i politizimit negativ të një ngjarjeje historike, kur klasat politike të dy shteteve, ndonëse me qëndrime të kundërta për shumë çështje, i dalin krah njëra-tjetrës, madje edhe pas vdekjes së aktorëve kryesorë, kur bëhet fjalë për një ngjarje historike që i implikon negativisht të dyja palët.

Tani le t’i kthehemi kësaj çështjeje, në kuptimin e politizimit të saj për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë kohore, në historiografi dhe në kujtesën e popullit, e tillë siç paraqitet ajo e shikuar nga kjo perspektivë.

Masakra e Tivarit kishte mbetur në kujtesën time gati si një rrëfim që kufizohej me rrëfimet popullore. Që herët, nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë, kam mësuar dy gjëra: E para, se një familje e katundit tonë kishte mbajtur në shtëpi disa njerëz nga Kosova, më saktësisht nga Suhareka, me të cilët i kanë vazhduar miqësitë familjare edhe bijtë dhe nipat e tyre. Për këtë fakt në katund flitej nën zë dhe kjo mund të ketë qenë arsyeja pse mbi këtë familje për një kohë qe ushtruar një terror i vërtetë, derisa pushteti nuk arriti ta thyente përfundimisht. E dyta, atëbotë, gjatë udhëtimit që bënim këmbë për në Tivar, diku nën Maje të Shkallës, kështu quhej vendi, rruga i binte të kalonte midis disa shtëpive të një katundi të vogël malazez-boshnjak dhe, ndërsa kalonin andej, njerëzit e Krajës i pushonin bisedat, i shpejtonin hapat dhe u grahnin mushkave në heshtje. Nga im atë pata mësuar se banorët e atyre shtëpive, nga dritaret, kishin vrarë shtatë-tetë kosovarë, të cilët i kishin shpëtuar masakrës dhe kishin marrë përpjetë malin e Rumisë.

Rreth kësaj situate dua ta tërheq vëmendjen edhe për një gjë: Në kujtimet e dëshmitarëve thuhet se mbi kosovarët kanë shtënë me armë jo vetëm ushtria, e cila që më parë ishte vendosur në Tivar në pritje të eshalonëve, por edhe qytetarët, pra banorët e Tivarit. Është e ditur se Tivari i ri atëbotë ka qenë shumë rrallë i banuar, me ndonjë godinë administrative dhe me portin ende fare të vogël. Por, më anë tjetër, ka qenë Tivari i Vjetër me Mëhallën e Nënkalasë dhe me Zalefin afër, me Tugjemilin dhe katunde të tjera përreth. Atëherë, kush kanë qenë këta banorë që vritnin kosovarët? Më 1966 për herë të fundit kam shkuar këmbë në Tivar, nga Maja e Shkallës, dhe në Tivar atëbotë flitej shqip kudo, në pazar, në çdo dyqan, këtë e mbaj mend shumë mirë. Thënë shkurt, rreth 20 vjet pas ngjarjes, ende pa filluar ndërtimi i portit të ri, shumicën e popullsisë së Tivarit e përbënin shqiptarët, pastaj shqiptarët e boshnjakizuar dhe një numër shumë i kufizuar malazezësh, të cilët erdhën me shumicë pas fillimit të ndërtimit të portit. Pyetja shtrohet: Kush ishin këta që vranë kosovarët, përveç ushtrisë, natyrisht? Vetë shqiptarët dhe shqiptarët e boshnjakizuar, pra banorët shumicë, apo vetëm disa prej tyre, pra malazeztë dhe ata që tashmë kishin përqafuar ideologjinë komuniste, të cilët kosovarët i konsideronin si mbeturina të reaksionit? Mendoj se këtë çështje duhet ta sqarojnë vetë tivarasit dhe shqiptarët e Malit të Zi, sepse atyre iu mbetet barra kryesore për këtë.

Tani le t’i kthehemi shqyrtimit historik të çështjes. Sikundër është e njohur shteti, pra Jugosllavia, që herët u përpoq të vinte embargo mbi të vërtetën rreth masakrës së Tivarit. Po të ishte vërtet një incident tragjik, siç do të thuhet nga komunistët jugosllavë dhe kosovarë, shteti nuk kishte arsye ta mbante të fshehtë një ngjarje të këtillë, përkundrazi, mund t’i jepte shpjegimet përkatëse. Por të gjithë e dimë se komunistët nuk vepronin kështu: ngjarjet e këtilla ata përpiqeshin t’i fshihnin nga opinioni, e para, për të treguar se ata ishin të pagabueshëm; dhe, e dyta, nga gabimet e veta ata krijonin argument për të ndjekur kundërshtarët e tyre politikë. Kështu ndodhi edhe me këtë rast. Më anë tjetër, në mungesë të shpjegimit të dokumentuar, ose për shkak të synimit për të fshehur faktet, në opinion, në popull, filloi të jetonte që herët varianti jozyrtar (popullor) i ngjarjes. Natyrisht që në këtë variant, përveç politizimit të paevitueshëm, do të ndodhë edhe një ekzagjerim i tragjedisë, me qëllime politike gjithsesi. Këto qëllime politike ende nuk janë fashitur.

Në kontekst të këtij politizimi, mjafton të lexojmë literaturën e shkruar për masakrën e Tivarit që nga vitit 1990 e prapa. Nga leximi i kësaj literature nuk mund të nxirret as përfundimi më elementar: numri i saktë i të vrarëve. Kjo ka ndodhur, në radhë të parë, për shkak të qëndrimeve të kundërta që ka pasur shteti dhe populli rreth ngjarjes. Dy shtetet komuniste, Jugosllavia dhe Shqipëria, gjatë gjithë kësaj periudhe janë përpjekur ose ta heshtin ngjarjen, ose t’i minimizojnë përmasat e masakrës. Populli, opinioni, bashkë me viktimat, për të krijuar argumente jo vetëm antikomuniste, por në radhë të parë për të treguar pamundësinë e bashkëjetesës së Kosovës në të njëjtin shtet me sllavët, i kanë mëshuar me forcë argumentit të vet politik: se masakra e Tivarit ishte e planifikuar mirë, se ajo kishte prapavijë politike gjenocidale dhe se numri i të vrarëve në këtë masakër së paku ishte dhjetëfish më i madh nga versioni zyrtar, pra 450 me 4.500. Ky qëndrim i kundërt, me prapavijë politike, vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Në të vërtetë, që nga tragjedia e çifutëve në Luftën e Dytë Botërore dhe prapa, viktimizimi paraqitet si argument politik i fuqishëm, vetëm se tepria në këtë drejtim dekurajon një popull të tërë, madje në disa raste paraqitet si poshtërim për viktimat. Në kontekst të kësaj ngjarjeje, natyrisht nuk duhet ndryshuar faktet, por interpretimin: Nuk duhet lënë me një anë faktin se kolonat e kosovarëve, që nga Prizreni e deri në Tivar, janë rebeluar herë pas here, disa kanë sulmuar rojat, duke vrarë ndonjërin prej tyre, disa kanë tentuar të ikin, dhe kjo është krejt e natyrshme për njerëz normalë, që vihen përball rrezikut të vdekjes. Eshalonët prej rreth tetë mijë vetash nuk janë përbërë prej njerëzve të ç’burrëruar deri në poshtërim.

Tani vijmë te rrethanat e sotme: Çfarë të bëjmë me këtë masakër, si ta trajtojmë, si ta bëjmë histori të mirëfilltë dhe ta zhveshim gradualisht nga tepritë politike? Është e qartë se ne ende gjendemi në fazën e refuzimit reciprok: ndërsa njëra palë insiston se bëhet fjalë për gjenocid, pala tjetër jo vetëm që hesht me ngulm, por le të nënkuptohet se as sot nuk është penduar për këtë akt të shëmtuar. Por, mbi të gjitha, paraqitet e domosdoshme që Mali i Zi, nëse dëshiron t’i intensifikojë marrëdhëniet me Kosovën, krahas kërkesës së vazhdueshme për të avancuar statusin kushtetues të minoritetit malazias në Kosovë, duhet të bëjë edhe vetë një hap të rëndësishëm: t’i zbardhë të gjitha faktet rreth kësaj masakre, të kërkojë falje, t’i kompensojë viktimat dhe të ngrehë një memorial për të rënët.

Mbase këto akte do të shënonin fillimin e zhvillimeve normale edhe në këtë anë të errët të botës.

9 komente në “Disa aspekte politike të Masakrës së Tivarit”

  1. Meleku says:

    Njehere duhet t’ja nisisn shqiptaret (andej dhe kendej kufirit) z.Kraja, me pas malazezet.

    Me siguri se arkivat shqiptare fshehin ende shume sekrete.

  2. tani says:

    PER TE PASUR NJE STRATEGJI KOMBETARE DUHET TE KEMI NJE VEND AM KOHERENT DHE TE FORT GJE QE ME KET LLOJ KOPESH TRADHTARESH NE QEVERI DO KEMI DEMAGOGJI DHE PSEUDONACIONALIZEM PER AT TE KEQ .ARMIKU ME I MADH I YNI JEMI VET NE

  3. ata qe kane vra kosovaret jane shqiptaret boshnjake_turq e asimilum te malit te zi ne bashkepunim me malazezet. Eshte njesoj si te kerkosh sot pergjigje nga kjo kategori shqiptaresh gjakprishte asimilum perse urrejne kaq shume shqiperine e shqiptaret ?

  4. zqk says:

    O zotni Kraja,

    Permbledhja me pelqeu dhe thashe se ja ku qenka dikush te hedhe drite mbi kete ngjarje te dhimshme, pa interpretime politike, se per ato jemi mjeshtra vete. Por artikulli me zhgenjeu. Vec gam-gameve politike nuk mesova ndonje gje te re. Me pare “komunistet” shanin “reaksionaret”, tani e njejta medalje, por e kthyer ndryshe.
    Nuk na the gje o Mehmet efendi.

  5. Kulla says:

    Pushtetaret komuniste jane te perlyer ne krimin e porositur qe ato ta ndihmonin te kryhej. Prandaj ato nuk mund ta bejne shfajqesimin edhe tani. Ato qe pritej ta benin jane historianet profesioniste, te cilet po njesoj duhen çuar ne gjygjin kombetar; keto palo historiane vazhdojne ta japin historine si thashethem dhe per kete shperblehen.

    Arkivat shqiptare apo ish-jugosllave nuk hapen sepse ne to jane urdherrat qe pushtetaret komuniste shqiptare dhe ato jugo9sllave moren prej britanikeve. Dhe ka akoma me shume qe nuk duan te zbulohet: ne te njjejten muaj qe kryheshin masakra shfarosese (genocidi) e Tivarit dhe te tjerat ne viset shqiptare ne ish-Jugosllavi, ne Çamëri zbatoheshin te njejta genocide ndaj shqiptareve me porosine dhe pranine e britanikeve.

  6. kolonjari says:

    Me keqardhie duhet te pranojme se ne shqiperi udheheqin forcat pro ruse ne kohen qe populli eshte mbi 85% pro perendimor. Reshtimi ne krahun sllav pas luftes eshte hije qe do te paguajn haracin edhe disa breza shqipetaresh E djathta shqipetare e penalizuar per 50 vjet pothuaj eshte inekzistente. Bashkimi i kombit si e vetmia alternative shpetimi u duk se u afrua per nje moment por forcat anti shqipetare e shtyne per ne kalandrat greke

  7. BARDHYLI-FR says:

    Per masakren ne Tivar kam pasur rast te degjoj nga kusheriri im Cerkin Salihu,i cili e kishte perjetuar kete masaker me shpirt dhe lekuren e vet por,siç thote populli,shpirtin nuk mund ta merre askush pa thene Zoti andaj,kishte shpetuar duke kaluar peripeti trishtuese deri sa,e kishte pranuar nje familje e rrethit te Shkodres,e cila e kishte mbajtur,ne kopshtin e tyre ne menyre ilegale tre vjet.Cerkini,zbulohet nga kolaboracionistet shqiptare te Serbise ne Kosove,pas nje letre te cilen e kishte derguar ilegalisht,per t’i treguar familjes se vet se, ishte gjall ne Shqiperi.Organet e shtetit shqiptar sigurisht,ne lidhje me ato jugosllave,e arrestojne dhe ua dergojne organeve te Jugosllavise,te cilat e denojne 8 vjet burg,te cilat i ka mbajtur ne burgun famekeq per shqiptare”KPD”ne Nish.Keta rreshta i shkrova per dy arsye:1. Per te treguar antishqiptarizmin e vete shqiptareve ne Shqiperine Etnike dhe 2.Per t’i denuar edhe krijuesite shqiptare te te gjitha arteve,te cilet nuk kane bere shume,per t’i perjetesuar keto viktima:ne pikture,muzike,vepra letrare,kinematografi etj.Shqiptaret,sot per fat te keq,tere energjine personale dhe klanore e kane drejtuar,ne luften per pushtet,benefite ndersa,per kombin dhe shtetin,qe duhet t’i kene primare siç bejne,japonezet,izraelitet etj.thua se,ua lene gjeneratave tjera.Sa absurd !

  8. ILIRET says:

    E habiteshme dhe e paspjegueshme eshte ajo, te cilen e pohon dhe autori i ketij shkrimi.
    Kuvendi i Shqiperise ngriti para dy vitesh nje komision hetimor per masakren e Tivarit.
    Ky komision filloj punen dhe fillimisht ka dhene ndonje informacion. Por ka mbi nje vit e gjysem qe ky komision ka frenuar punen dhe mesa dime eshte urdheruar te heshte. Pse?
    – cfare zbuloi komisioni qe u detyrua te terhiqej?
    – kush nga drejtuesit e larte shqiptare apo kosovare prekej nga zbulimi i dokumentave sekrete?
    – cili pushtetar qe sot ndodhet ne krye te shtetit dha urdher qe te nderpriteshin hetimet?
    – interesat politike dhe agjenturore te cilave strukturave shqiptare dhe te huaja binin ndesh me zbulimin e te vertetes?
    – Pse kryeministri Berisha e nisi me entusiazem fillimin e punes se ketij komisioni dhe befasisht urdheroi heshtjen totale?
    E verteta mbi masakren e Tivarit do te dale vetem atehere kur ne politiken shqiptare ketu dhe ne Kosove, por edhe ne Mal te Zi, te vije ai brez politikanesh, i cili nuk ka asnje fije te lidhur me te kaluaren qeverisese apo te sherbimeve te huaja.
    Dhe ne fund opinioni duhet te kerkoje llogari edhe parlamentit shqiptar. Cfare ndodhi me komisionin hetimor te ngritur nga ky i fundit?

  9. KRYEZIU says:

    shka jeni tu thane bre ? ja mor burre se i kane pas vra fadil hoxha ,enver hoxha ,memet sheji ,shefket peci ,ceno begi e ku di une .mos mor burra flisni marrina .ata kosovart nuk i kane grumbullue shqiptaret e jugit te shqipnies se nuk i ka pjerdh kush por bash shqiptart qe kane punue per shtetin e serbies dhe te shkies .une jam kene bash ku vendi ku jane vra n’at hon mbi bar(tivar )njat dobrovodes (ujt e mire ).si ne shqipnie si ne kosove ne qeverie kane msy bash njata spiuj te serbies njitash pas demokracies,dhe salihi asht njani prej tyne .nuk m’konvenon mue .kurre nuk kan mu zbulue .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje