Në Kërçovë, aty ku nuk u shpërnda as vaji dhe as mielli fituan shqiptarët. VMRO u zemërua, LSDM hesht ndërsa për shqiptarët fillon një histori e re. Nëse e kuptojnë fuqinë e votës së tyre, mund të ndikojnë edhe në pushtetin qendror
Nga Agim Popoci*
Që nga momentet e para të fushatës zgjedhore në Maqedoni, shumë parti shqiptare akuzuan njëra-tjetrën se po “blejnë” vota duke shpërndarë vaj dhe miell. Zhvillimet që do të pasonin, dëshmuan se “blerja” nuk është arma kryesore e fitores së shqiptarëve në Maqedoni, ndërsa rezultati përfundimtar në Kërçovë do të hapte një faqe të re të historisë shqiptare në këtë krijesë evropiane të lindur nga Marrëveshja e Ohrit dhe të rritur me vuajtje shqiptare. Në pritje të përcaktimit të fituesve në Tetovë dhe Gostivar, sot Struga merr frymë më lirshëm, nesër do të jetë shqiptare por numri i votave shqiptare në Maqedoni, jep edhe një mesazh të ri, për bashkimin ose rishpërndarjen e votave.
Sot Kërçova…
70 vjet pas gjirokastritit Fejzi Alizoti, në krye të Kërçovës më në fund vjen një shqiptar, ai është Fatmir Dehari. Sot Kërçova me të drejtë feston, Gruevski është mërzitur më kot, sepse mesazhi që ai i dha popullit shqiptar duke përqafuar LSDM-në, ishte vendimtar për rezultatin përfundimtar në komunën më të rëndësishme për shqiptarët në këto zgjedhje. Nuk dihet se si do të përfundonte raundi i parë i këtyre zgjedhjeve, por strategjia elektorale e dy partive më të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM mobilizoi elektoratin shqiptar i cili e kuptoi se nëse në nivelin qendror nuk mund të ndodhin çudira, për atë lokal nuk vendos as vaji dhe as mielli, por vota e tyre, si armik i vetëm i VMRO-DPMNE dhe LSDM-së.
Për Kërçovën dhe fitoren e shqiptarëve në këtë komunë, do të vazhdojnë të rrëfehen histori të ndryshme, si ajo për vendosmërinë e kërçovarëve në mërgim për të mos braktisur procesin e votimit, por fitorja në këtë qytet e Fatmir Deharit nga BDI i adresohet vetëm bashkimit të votës shqiptare. Bashkim të cilin nuk e kishte llogaritur as mjeshtri i madh i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili arriti ta ofrojë në emër të kauzës antishqiptare edhe partinë më të madhe opozitare, LSDM, por jo edhe të fitojë në komunën për ndarjen territoriale të së cilës kishin folur kohë më parë shumë ekspertë të pushtetit lokal. E sot ai është i lirë të mërzitet së bashku me maqedonët e sojit të vet në Kërçovë: “E kuptoj zemërimin dhe revoltën te njerëzit pasi ai është edhe zemërimi im edhe revolta ime. Ata kanë probleme tani, kanë sfida, ato janë edhe sfida dhe probleme të miat dhe prandaj jam këtu!”
Ata që fituan, vazhduan festën pa e vrarë mendjen për fjalët e Gruevskit, ndërsa ata që humbën e quajtën tradhtar dhe spiun, njeriun që sot gëzon 56% të votave të elektoratit në Maqedoni, që humb në Kërçovë, dhe shkakun e identifikon tek plaga më e përfolur ndër vite, ndarja territoriale: “Situata është krijuar në vitin 2004 kur u bashkuan pesë komuna në të cilat shqiptarë janë rreth 28 mijë, ndërsa maqedonas rreth 16 mijë”.
Dhe derisa Gruevski vajton kot për ndarjen territoriale me të cilën kishte administruar plot 9 vjet edhe Kërçovën, Struga përfundimisht do të bjerë në duart shqiptare, me 16 nga gjithsej 27 këshilltarë komunalë të cilët i ka përcaktuar raundi i parë, dhe kryetar shqiptar për të cilin është arritur konsensusi shqiptar për raundin e dytë.
Po nesër …
Fitorja në Kërçovë, strategjia e LSDM-së, publikimi i rezultateve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për rang kombëtar dhe në qytetin e Shkupit do të prodhojnë një garë elektorale në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Nëse në zgjedhjet lokale të 24 Marsit, VMRO-DPMNE vazhdon të kryesojë dhe ka gjithsej 403 mijë vota kundrejt LSDM-së me 288 mijë vota, ndërsa nga ana tjetër të gjitha partitë shqiptare arritën të mbledhin 240 mijë vota, ky rezultat dhe fitorja e Kërçovës jep një mesazh të qartë mbi rëndësinë që kanë zgjedhjet lokale për shqiptarët në Maqedoni.
Fillimisht për pushtetin qendror. Me këtë nivel mobilizimi dhe këtë pjesëmarrje, nëse bashkimi i votave shqiptare nuk e kalon as partinë e dytë në Maqedoni, atëherë për këtë nuk mund të fajësohen as sllavomaqedonët dhe as LSDM, e cila hapur është shprehur se në mes të Gruevskit të keq dhe shqiptarëve, do të përqafonte Të Keqin. Duke pasur gjithmonë rolin e votës shqiptare në nivel qendror, partitë shqiptare, për të mirën e vetë shqiptarëve, domosdoshmërisht duhet të veprojnë si pozitë dhe opozitë e Maqedonisë, me përjashtim të çështjeve madhore. Duke pasur parasysh rivalitetin VMRO-LSDM, zgjedhjet presidenciale ndryshojnë tablonë e përfaqësimit të shqiptarëve në zgjedhje. Nga përvoja e zgjedhjeve të zhvilluara deri më sot, është e qartë se vetëm një votë e bashkuar shqiptare mund ta ketë kuptimin e saj real. Ndryshe, si Gruevski ashtu edhe Cërvenkovski do të jenë presidentë të Maqedonisë që në asnjë moment nuk do të mendojnë për mirën e shqiptarëve.
Dhe në fund zgjedhjet lokale, jetike këto për shqiptarët në Maqedoni. Nëse bashkimi i votës mund ta zgjedhë lehtësisht një kryetar shqiptar si në Kërçovë ashtu edhe Strugë, duhet të identifikohen të gjitha ato komuna në të cilat, kjo formulë elektorale ngadhnjen mbi shovinizmin sllavomaqedon. Gruevski mund të mërzitet, Cërvenkovski të heshtë, por shqiptarët nuk kanë nevojë të lexojnë vetëm histori, se si në vitin 1943, Fejzi Alizoti ishte në krye të komunës së Kërçovës, dhe me ardhjen e çlirimtarëve komunistë, ky fakt të shihet vetëm në ëndërr.
Për të mos harruar qytetin e Shkupit, aty ku bazuar në nivelin e pjesëmarrjes, shqiptarët duhet të vendosin njëherë e përgjithmonë, ose do të vazhdojnë të jenë patericë e VMRO-DPMNE-së e LSDM-së, ose do t’i përqendrojnë forcat e veta në këshillin bashkiak. Nëse shqiptarët aktualisht janë të pakënaqur me kryetarin e sotëm të Shkupit dhe kandidatin e VMRO-DPMNE-së, Koce Trajanovski për një mijë e një arsye, ai në raundin e parë kishte 133 mijë vota, ndërsa kandidati i LSDM, Jani Makraduli vetëm 77 mijë vota. Ky balotazh në pamje të parë i pakuptimtë, nuk i jep kuptim as garës për raundin e dytë, pavarësisht se kandidati i opozitës maqedonase bën llogaritë në votën shqiptare. Kjo llogari elektorale ndoshta edhe do të kishte kuptim, por nesër, shqiptarët kurrë nuk do ta harrojnë urrejtjen që ngjizi LSDM në Kërçovë. Kjo është demokracia, askush nuk e ndalon dashurinë me Gruevskin. Ta gëzojnë…
*Revista Klan