M
arrja e talentit Mario Gëtze nga ana e Bajern Mynih, ka trazuar ambientin në klubin e Borusia Dortmund, sidomos tifozët, të cilët nuk e prisnin këtë largim. Por, drejtori sportiv i Bajernit, Matias Samer, shprehet se Bajerni nuk kishte pse ta njoftonte Borusian për marrjen e 20-vjeçarit, duke qenë se ata kanë paguar klauzolën prej 37 milionë euro për Gëtze.
“Sigurisht, publikimi i këtij transferimi nuk ka qenë në momentin ideal. Ne dëshironim të bënim gjithçka publike pas përfundimit të ndeshjeve gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Nuk kemi komunikuar ende me Borusia Dortmund rreth këtij transferimi. Po përse duhet ta bëjmë një gjë të tillë? Mario Gëtze ka një klauzolë largimi në kontratë dhe kërkon ta shfrytëzojë atë”, tha Samer.
Sipas tij, Gëtze ka refuzuar oferta të çmendura vetëm që të kalonte tek Bajerni.
“Duhet të jeni të ndërgjegjshëm që Mario Gëtze ka pasur oferta të tjera të pabesueshme. Ato oferta ishin me të vërtetë të çmendura”, u shpreh Samer./b.l