Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se partitë në Kosovë drejtohen nga sundimtarë. Këtu përfshihet edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Duke folur për “Kosova Sot”, ai tha: “Mendoj se në të gjitha partitë politike shqiptare kryetarët janë bërë sundimtarë. Është çështja e njerëzve që e rrethojnë, nëse pranojnë apo jo diçka të tillë. Unë kam thënë që PDK-ja nuk udhëhiqet në mënyrë demokratike dhe nuk respektohet debati i brendshëm, si dhe nuk respektohet përzgjedhja e kuadrove të saj mbi bazën e angazhimeve të tyre, por edhe nivelit të përgatitjes së tyre intelektuale dhe profesionale”.
Sipas kryeparlamentarit Krasniqi, shumë zyrtarë në kabinetin qeveritar, por edhe në institucione të ndryshme të pavarura, janë vendosur pa pasur kapital politik, intelektual dhe as profesional.
“Dhe mendoj që vendosja e njerëzve të papërgatitur në institucione të rëndësishme të shtetit është në dëmtim të interesave të atij shteti”, tha Krasniqi./ep