E pamë se ç'forcë ka vota e lirë, arma jonë

28 Qershor 2013, 19:47Blog TEMA

Nga Ahmet Kamberi

 

23 qershori 2013 duhet të shënohet si një datë historike.

Është data që na provoi se vota individuale, kur e përdor me mend dhe pa frikë, është një armë shkatërrimtare për çdo fuqi që kujton se është e pamposhtshme, për çdo fuqi arrogante e primitive që i mbushet mendja se është e patundshme, për çdo fuqi paranojake që i mbush mendjen vetes se është e pazëvendësueshme; për çdo fuqi makute që beson se ajo që është e mirë për të duhet të jetë e mirë për të gjithë, për çdo fuqi të lajthitur që kujton se gjithë mençuria është përqendruar te ajo dhe të tjerët rreth e rrotull presin si floririn çdo trushkuluri që del prej gojës së saj, për çdo fuqi të çakërdisur që sillet me paret e popullit dhe pasurinë e vendit sikur t’ia kishte falur asaj një i luajtur nga fiqiri, për çdo fuqi që ligjin e njeh kur i volitet asaj dhe e shpërfill kur nuk i hyn ose i prish punë, për çdo fuqi që vret qytetarët e lirë që dalin në rrugë kundër saj, për çdo fuqi që vrasjen e qytetarëve për faj të makutërisë së rrethit të vet nuk e ka për gjë; për çdo fuqi që marrëzitë e mbrapshtitë e veta i quan arritje dhe mburret me to. Një mësim edhe për laroshët.

Është një mësim. Një mësim i madh për të gjithë ata që çmojnë drejtësinë para së gjithash. Për të gjithë ata që çmojnë lirinë dhe qeverisjen e ligjit. Për të gjithë ata që çmojnë realizmin në vend të fantazisë. Por duhet të jetë e të bëhet një mësim i madh për të gjithë ata, të cilëve u besohet qeverisja. Të mbajnë mend se populli është si ai kali i mirë që të mban në kurriz në rrugë të mira e të këqija edhe kur është i lodhur e i rraskapitur nga mundimi, por që kur ia sjell në majë të hundës, mu atëherë kur ti vazhdon të fluturosh në fantazitë tua, me një vërtitje vrik përpjetë të vërvit në theqafje. Zotërinjtë e mirë që populli u dha besimin për ta qeverisur, duhet të ushtrohen në përulësinë. Ata duhet të kënaqen me privilegjet që u jep detyra, por nuk duhet të ushtrohen në grykësi, nuk duhet të ushtrohen në shkelje të drejtësisë e të ligjeve. Ata duhet të ushtrohen në djersitje për kryerjen e detyrës. Ata duhet të ushtrohen në vlerësimin e interesave kombëtare para së gjithash. Ata duhet të ushtrohen në qeverisjen me kursim e mençuri të parave të këtij populli. Ata duhet të ushtrohen në dashurinë për njeriun. Ata duhet të ushtrohen në dashurinë dhe vlerësimin e çdo milimetri katror të këtij vendi. Ata duhet të ushtrohen në neveritjen e servilizmit e kompleksit të inferioritetit ndaj joshqiptarëve. Ata duhet të ushtrohen në vlerësimin e përparimtares. Në një vend me kaq probleme, siç është ky i yni,  ata duhet të përcaktojnë me mençuri përparësitë e zhvillimit. Ata duhet të ushtrohen në fshirjen e gjurmëve të përçarjes së popullit. Ata duhet të ushtrohen në fshirjen e çdo elementi armiqësimi të shqiptarëve me njëri-tjetrin. Ata duhet të ushtrohen në mbjelljen e kultivimin e vëllazërimit e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve.

Nëse kërkojmë të gjitha këto prej tyre, ne të tjerët, duhet të ushtrohemi në qytetari, të ushtrohemi në respektimin e ligjit, të lirisë e të të drejtave të tjetrit, të ushtrohemi në kërkesën për fëmijët tanë që të pajisen me dije e jo me diploma analfabeti a gjysmë-analfabeti, të ushtrohemi në mbrojtjen e organizuar të lirive dhe të drejtave tona.

Të mbajmë mend se e kemi në dorë t’i japim mësimin e duhur atyre që u dhamë besimin të na qeverisin po nuk i përmbushën kërkesat tona dhe premtimet e tyre. Kjo është demokracia e zhvilluar. Ta mbajmë mend. Ta mbajnë mend.

2 komente në “E pamë se ç’forcë ka vota e lirë, arma jonë”

  1. Vlora says:

    vote e forte por perseri eshte e frikshme pasi keto shtesa vote jane kryesisht per lsi-ne.

    dhe tani dihet qe votusit e lsi-se nuk eshte se e hodhen voten per bindjet e tyre,,,,por e hodhen sepse lsi pagoi dhe shume premtoi.

    dhe premtimi i lsi-se ishte sistemimi i te gjithe votuesve te saj ne vende pune.

    kjo do te jete veshtirsia e qeverise se re te rames,,,pasi nuk mund te mbaje dot premtimet me ortaken lsi.

  2. nandi says:

    Me votat qe thone se i ka blere lsi (50,000 -pesedhjete mije leke nje vote) dhe marreveshjen parazgjedhore ne parapaskene per kalim pushteti midis rames dhe berishes nuk mund te behet shqiperia.

    Kazani po derdhet. Mafjozet e ketij vendi te majte dhe te djathte, pjella te ndyra te komunizmit, katundare te gjithe dhe te zgjebosur me moralin me te ndyre nga komunizmi i enver hoxhes, duhet te cohen te gjithe si jane prapa hekurave me pranga hekuri ne BURG.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje