Vota e 23 qershorit imponon si urimin dhe respektin ndaj sovranit që ndaloi të tatëpjetën dhe i dha vetes shansin e ringritjes, ashtu dhe urimin e inkurajimin e fituesit, për më tepër pas asaj fitoreje të ‘frikshme’ jo vetëm për ikanakët, por dhe ata që e ‘korrën’ kur mendon pritshmëritë që apeli i rilindjes zgjoi dhe katrahurën që trashëgojmë.
Dalldisja e festës i lë shpejt vend sëkëlldisë së pushtetit me sfidë të parë leximin e votës plebishitare që sikurse 1992 e 1997, sesa majtas apo djathtas, ishte votë për shtet ligjor dhe ‘reboot’ apo rizgjim demokratik. Dhe që premtimet elektorale të mos shndërrohen në bumerang për fatin e rilindjes, dilema e parë e qeverisjes duhet të jetë identifikimi i ‘levës së Arkimedit’ që në trinomin ‘votë-pronë-shtet ligjor’, krijon premisa për gjithçka më pas.
‘De-Maliqizimi’ i shtetit ligjor
Tek ‘Dimri i vetmisë së madhe’ fshesaxhiu Remë priste që ta lironin. ndonëse u kap në flagrancë tek tentonte të përmirte pemën e mbjellë nga Hrushovi. Por ja që oficeri i dezhurnit “…nuk mund të kuptonte dot se si për një veprim, për të cilin akoma përpara tri ditësh mund të dënoheshe shumë rëndë, tani mund të faleshe. Ligjet dhe nenet ishin po ato … Pas pak një maqinë e policisë po e çonte të arrestuarin në Burgun provizor të kryeqytetit …”
Dikur, bashkë më monizmin, u godit edhe respekti ndaj ligjit duke bërë demokracia e brishtë të degradonte në tranzicion pafund me sinonim abuzimin politik, arbitraritetin dhe dekurajimin e vlerave qytetare. Përballë korrupsionit të kultivuar dhe nepotizmit tradicional të ‘veshur’ me pushtet, sfida e shtetit ligjor duhet të lërë pas retorikën duke ngjizur frymën e tij si përmes episodeve të thjeshta që flasin shumë (nga gjobat dhe karrotreci për makinat e deputetëve në trotuar) ashtu dhe rishikimin e Kushtetutës për të garantuar institucione të pavarura dhe sistem drejtësie efikas.
Rilindja premtoi dhe kapitalizoi në nevojën për drejtësi për një seri bëmash antidemokratike dhe antikombëtare – Gërdeci, 21 janari, abuzimi me buxhetin, marrëveshja e ujërave, abuzimi i votës etj. Qeveria nuk merr hak por garanton që drejtësia ta japë atë duke e çliruar prej intimidimit politik përmes reformave kushtetuese, konsolidimit të statusit të gjyqtarit, krijimit të institucionit të jurisë sipas modelit anglosakson etj. Duke i mundësuar, pa komplekse, kujtdo më pas – qeveri, grupim apo qytetar qoftë, të apelojë me besim për drejtësinë e privuar deri sot.
Nëse të kaluarës i vihet kapak pa e parë çfarë ka brenda, vetë ‘kali’ i betejës opozitare shndërrohet në demagogji dhe në mos mefshtësi, mund të paragjykohet si riciklim i abuzimit sipas preçedentit post 97 kur anashkalimi i përgjegjësisë për anarkinë tragjike, përkoi me abuzimin ‘rozë’ dhe riciklimit më pas të vetë ‘blusë’ së vjetër që duke spekuluar me ‘shkarjen e këmbës’ së qeverisë dhe sloganin e ‘duarve të pastra’, rifitoi terren duke krijuar aq probleme më pas.
Vota për votën e lirë
I pyetur për sekretin e suksesit, Richard Branson (biznesmen me famë në Britani) u përgjigj ‘delegimi’. Një filozofi kjo që stonon ndaj retorikave populiste dhe voluntariste të tranzicionit ‘unë ju premtoj… ju garantoj…’ që pa një garant ligjor, institucional dhe elektoral, degradojnë rëndom në abuzimin ‘çohu ti, të ulem unë’.
Vota e lirë nuk ngjall panik tek politika e përgjegjshme ndaj ajo duhet të çlirohet nga ‘pengmarrja’ e ligjit spanjoll që e redukton votuesin në ratifikues të kulisave partiake me ndikim në përgjegjshmërinë parlamentare dhe qeverisëse më pas. Vetëm përmes saj, barra e filtrimit të parlamentit prej ‘diktatorëve’, ‘servilëve’, ‘bukëshkalëve’, ‘ish’-ave, ‘hajdutëve’, ‘vrasësve’, ‘tradhtarëve të kombit’, ‘qypave’ etj i ‘delegohet’ votuesit dhe jo konjukturës dhe detantave stresuese politike të rastit.
Duke i dhënë kështu prioritet raportit të deputetit me votuesin (dhe jo me liderin partiak si më sot) përmes formulave zgjedhore nga STV irlandez, mazhoritari me dy raunde, gjerman etj. Parlamenti ‘kukull’ nuk i hyn në punë kërrkujt veç një qeverie që abuzon ndaj për një qeveri të rilindjes që kërkon të bëjë histori, ai veç prish punë.
Një ligj i ri zgjedhor domosdon një kod sjelljeje zgjedhor. Ku prioritet merr argumenti duke i dhënë fund delirit dhe adrenalinës së mitingjeve të kushtueshme, banalitetit në media etj. Nëse duhet ‘imituar’, praktika anglo-saksone, veçanërisht ajo në Irlandë apo Britaninë e Madhe (këtu zgjedhjet zhvillohen në mesjavë dhe dominojnë takimet individuale dhe diskrete të liderit me votuesin, pasqyrimi etik mediatik, debati racional etj) është ‘kova e ujit’ që i vjen për shtat kokave të ‘nxehta’ që tërbojnë të gjithë.
Me shumë shpresa, 23 qershori do të jetë plebishiti dhe hera e fundit që dufi i shoqërisë akumulohet në përmasa si sot. Garancia dhe valvula rregullatore mbetet vota e lirë. Duke filluar nga partia (vetëm rotacioni partiak dhe ai në qeverisje e sipër mund të shmangë rotacionin elektoral), vetëm ajo të rifut e të mban sërish në garë.
E djathta nuk humbi në këto zgjedhje. Veçse rifitoi shansin e ngjizjes së identitetit pas dy dekadash abuzimi ‘surrogato’ me të ndaj e çliruar nga pengjet e së shkuarës, rilindja e saj është rilindje e demokracisë.
Prona si sipar zhvillimi
Ndërsa premtimi i legalizimit falas për zonat informale duhet mbajtur pavarësisht kostos juridike e ekonomike (e drejtë do të ishte ndërmjetësimi për kredi të butë bankare e kalkulimi i pronave nga vinë), pronari historik duhet të gëzojë pronën duke reduktuar burokracinë qoftë me rikthimin ashtu dhe kompensimin financiar apo me asete publike dhe projekte gjetiu – bregdet, vepra energjetike, komplekse turistike etj.
Deri në rishikim të 7501 sepse nëse në veri u respektuan sinoret e vjetra, e njëjta gjë mund të bëhet kudo duke kompensuar vetëm të ardhurit vonë në kooperativat e kohës dhe jo një pafundësi pronarësh që mbetën me letra në xhep nga ‘efekti domino’ i mbivendosjes së ‘tapive’.
Shansi për të bërë dhe hyrë në histori
Sfidat e rilindjes janë pambarim por përtej përmbushjes së premtimeve, rëndësi ka vullneti për të ‘mundur’ vetveten dhe tundimin për abuzim.
Së pari shoqëria ka nevojë për paqtim dhe kohezion social duke mos mbetur peng e së shkuarës sepse qoftë partizani apo ballisti patriot, qoftë komunisti i ndershëm apo disidenti dhe i persekutuari idealist etj janë vlera dhe referenca të përbashkëta për të gjithë në politikë. Duke bërë që ndarja djathtas apo majtas në politikë të mos bazohet më në klishetë e së shkuarës por në mentalitetin perëndimor dhe ku vota elektorale të mos përjetohet më me lot apo si ngadhënjim për jetë a vdekje por si një ritual ku secili pret ditën e tij.
Prioritet i veçantë për rilindjen duhet të jetë integrimi europian. Si për të fituar kohën e humbur ashtu dhe futur vendin sa më parë statusin e ‘pilotit’ automatik të demokracisë dhe garantimit të shtetit ligjor. Ai nuk mund të jetë ‘preja’ ekskluzive e mazhorancës ndaj për të, sikurse edhe për çdo reformë strategjike, numrat në parlament nuk do të thonë asgjë përpara solemnitetit të konsensusit me opozitën, sado modeste qoftë ajo.
Qeveria e rilindjes duhet të avancojë, përmes lobimit të përbashkët me opozitën, partnershipin strategjik me SHBA dhe botën anglosaksone si garanci unike për interesat strategjike kombëtare duke rikthyer dinjitetin, reciprocitetin dhe promovuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve në rajon.
E po kështu, rilindja duhet t’i japë fund plagës së gjakmarrjes ku përtej teknikaliteteve të çarmatimit dhe ndëshkimit ekstrem ligjor, ndërmjetësimi mbetet i pazëvendësueshëm duke qenë në vetë nderin e kryeministrit të ardhshëm për ta promovuar atë.
Me listën e gjatë të sfidave përpara, qeveria e re ka shans të bëjë dhe hyjë në histori. Por ndonëse në demokraci ‘fituesi gjykohet’, sot ai meriton të lihet të gëzohet, se në fund të fundit, ‘mallkimin’ e pushtetit nga mbrapa e ka. Të cilin vetëm rilindja mund ta zhbëjë.
Jam shume dakort me ty Xh. Duka!
http://imazheshqip.blogspot.com/2013/05/dy-gishtat.html
KONLUZION:
Ne allbanistan palopolitikanet tane per egot e tyre renojne dhe atdheun,do te thote qe: duhen shoshitur gjithe pasurite e qelbura mbi roge qe ata kane grumbulluar per mjerimin e zorethareve shqiptare.
Une do te thoja i humburi gjykohet”Vae Victis”