Këto ishin zgjedhjet më të mira që kemi realizuar ndonjëherë. Berisha, ashtu si Nano, bën mirë të tërhiqet nga politika dhe t’i hapë rrugën riformatimit të PD-së. Ndërsa për Edi Ramën si Kryeministër, sfidat sapo kanë filluar. Intervistë e ish Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu
Nga Renato Kalemi, Revista KLAN
Përpikmëria prej ushtaraku e ka veçuar gjithmonë Presidentin Alfred Moisiu. Trokasim në derën e zyrës së tij, pranë ambasadës Amerikane, tre-katër minuta përpara orarit të caktuar të intervistës dhe ai ndodhet aty. Ngrihet në këmbë me një energji të çuditshme për një 83 vjeçar dhe me pamjen e një burri babaxhan na rrok fort dorën. Eshtë po i njëjti, dashamirës dhe mikpritës me gazetarët, i gatshëm të të japë përgjigje për çdo pyetje që mund të kesh. Gjatë intervistës dikush e ndërpret në telefon: Ende i kërkojnë këshilla se si do të kishte vepruar ai po të kishte qenë Kryetar Shteti në një situatë të caktuar. E ai i përgjigjet shtruar, përpara se të lëshojë një të qeshur të fortë gjoksi, tipar i veçantë për burrat shtatlartë. Pastaj, e ka të kollajtë ta kapë fjalën aty ku e la, shenjë e një kujtese ende të fortë. Ndihet i çliruar sepse sipas tij, më në fund Shqipëria sapo mbylli zgjedhjet më të mira që ka realizuar ndonjëherë që nga viti 1992.
– Zoti President, procesi zgjedhor i 23 qershorit ishte një ngjarje që pritej me shumë interes, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga ndërkombëtarët. Nga ecuria e tij duket se varet marrja e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE. Ju personalisht si i konsideroni këto zgjedhje, qoftë gjatë fushatës, në ditën e votimit dhe numërimin e votave? A i plotësuan ato standardet e kërkuara?
Këto zgjedhje ishin nga më të mirat që kemi pasur në këto vite, përjashtuar ato të vitit 1992, të cilat vërtet kanë qenë të mira. Atë që nuk e shpjegonim dot, pse ka ndodhur ky përkeqësim i zgjedhjeve tona ndër vite, tani e korrigjoi vetë populli shqiptar; një popull i zgjuar, i cili nuk i pranoi më vicklat e politikës dhe doli kundër teorisë makiaveliste që përdorte politika shqiptare, se “i rëndësishëm është qëllimi dhe jo mjeti”. Pikërisht, populli ua tha fort dhe hapur se për ne është qëllimi në radhë të parë, ndërsa mjetet mbajini për vete; se ne duam që Shqipëria të shkojë realisht në Bashkimin Europian. Mendoj se këto zgjedhje e realizuan plotësisht këtë qëllim.
Sigurisht, zgjedhjet patën edhe një ngjarje shumë të hidhur. Vrasja e një militanti të LSI-së pranë një qendre votimi në Laç ishte një shenjë jo e mirë, një njollë për procesin. Me këtë rast dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes së të ndjerit dhe qoftë kjo viktima e fundit për arsye politike në vendin tonë. Mbarëvajtja e zgjedhjeve tregoi se populli e kishte ndarë mendjen dhe shqiptarët treguan se nuk janë aq të fjetur sa duken, kur vjen puna për të mbrojtur interesat e tyre. Ata durojnë, por kur shpërthejnë, nuk mbahen më. Rezultatin e këtyre zgjedhjeve nuk do t’i konsideroja humbje, por një disfatë e ish mazhorancës. Ishte një disfatë e imponuar nga populli dhe e papritur për të gjithë. Por mos harrojmë se zgjedhjet nuk janë gjithshka, këto janë vetëm fillimi për të merituar integrimin europian.
– Që në ditën e parë të numërimit të votave u vu re tendenca se e majta i kishte fituar këto zgjedhje dhe me një rezultat shumë herë më të thellë nga sa ata vetë e prisnin. Pse mendoni se erdhi ky rezultat, kur e majta arriti mandatin e 84-rt? Fitorja i atribuohet dyshes Rama-Meta apo keqqeverisjes së PD-së në këto 8 vjet?
Fitorja i atribuohet popullit, zgjedhësit shqiptar. Ai e mori vendimin dhe kjo tregon se shfaqi të gjithë pakënaqësinë e tij ndaj mashtrimeve dhe keqmenaxhimit të shtetit shqiptar nga kryeministri Berisha. Pasi gjatë fushatës, po të krahasojmë programet e dy forcave politike, nuk kishte asgjë të qartë në to. Kishte premtime pa fund, që rriteshin nga dita në ditë, të cilat unë personalisht i shoqëroja me një buzëqeshje sepse nuk e kuptoja se ku ishte baza ekonomike dhe financiare e këtyre premtimeve. Është kollaj të bësh një premtim, pa treguar bazën për ta mbajtur dhe realizuar atë.
Kjo ishte një revoltë e shqiptarëve ndaj një ashpërsie të ushtrimit të pushtetit nga ana e ish mazhorancës, ndaj autokracisë së saj, të cilën njerëzit nuk e duronin dot më. Arsyet janë shumë, duke filluar që nga papunësia dhe mashtrimi që bëhej me të. Sado që të mashtrosh, njerëzit e kanë në kurriz mungesën e punës sepse s’kanë të ardhura. Blerjet me listë janë shtuar deri edhe këtu në Kryeqytet, e jo më në fshatrat e largëta. Mungesa e sigurisë; njerëzit nuk dilnin dot lirshëm në rrugë sepse kishin hall se mos u vidhnin çantën apo bizhuteritë në mes të kryeqytetit. Korrupsioni erdhi e u bë galopant. Mund ta them pa e ekzagjeruar, duke përdorur një formë metaforike, se nëse qeveria Nano ndërtoi një shkollë fillore të korrupsionit, qeveria Berisha ngriti shkollën e mesme dhe fakultetin e korrupsionit. Por, më e keqja është se asnjë nga ata që ishin përgjegjës për këtë korrupsion, nuk doli para drejtësisë. Populli thotë: Peshku qelbet nga koka. E të tjera gjëra që të gjithë i dimë.
– Rezultati i këtyre zgjedhjeve duket se është rezultati më plebishitar që një forcë politike arrin në këto 22 vjet demokraci, sigurisht pa përfshirë procesin e njollosur të 1996-ës. Në këndvështrimin tuaj, a mund të quhet se 23 qershori solli mbylljen e një epoke në Shqipëri?
Po. Kjo është e vërtetë. Me këtë rezultat plebishitar që u arrit, 23 qershori nuk qe një humbje, por disfatë për Partinë Demokratike dhe aleatët e saj. Mendoj se kjo i ka dhënë fund tranzicionit në Shqipëri, gjatë të cilit ne kemi bërë gjithmonë një hap para dhe tre hapa mbrapa. Dy personazhet kryesore që kanë kryesuar politikën shqiptare gjatë këtyre viteve, Fatos Nano dhe Sali Berisha, të cilët sipas meje mbajnë përgjegjësinë kryesore të kësaj zvarritjeje, dolën nga skena. Nano doli në vitin 2005, ndërsa Berisha duket se nuk e lexoi mirë këtë, madje iu krijua euforia sikur do të qëndronte edhe 30 vjet në pushtet. Me këtë rast, largimi i tij si politikani i fundit i viteve ’90 mendoj se ka sjellë mbylljen e një epoke. Duhet thënë se në gjithë Rajonin e Ballkanit, vetëm në vendin tonë ende qëndronin në poste drejtuese politikanë të viteve 1990. Tani jemi në një fazë të re, të ardhjes në pushtet të rinisë (në kuptimin figurativ) dhe të mendimit qytetar. Në vendet në tranzicion, çdo periudhë kohe kërkon njerëzit e saj, ndryshe është e pamundur të dalësh në magjistralen e duhur të zhvillimit demokratik.
– Nga ana tjetër, flitet se fitorja e thellë dhe marrja e kaq mandateve nga e majta mund të rrisë dozat e saj të arrogancës kur të jetë në pushtet si dhe të zbehë në maksimum rolin e opozitës së djathtë. Mendoni se mund të ndodhë kjo gjë?
Kjo shifër ka edhe anën e mirë edhe anën e keqe. I jep kësaj mazhorance të re mundësi të ecë lirshëm përpara me reformat, pa patur nevojë për kombinacione. E keqja është se kjo krijon premisa për arrogancë dhe prepotencë, e cila mund ta çojë atë në gabime të përafërta me ato që pati mazhoranca e kaluar, megjithëse ajo nuk e kishte këtë sasi deputetësh. Gjykoj se mazhoranca e re duhet ta ketë parasysh ketë dhe duke e uruar atë për fitoren e saj, personalisht si qytetar, si ish Kryetar i Shtetit, por edhe si një njeri i moshuar që e njeh historinë e këtij vendi, sepse e kam kaluar në kurriz, do ta këshilloja të jetë e kujdesshme. Në radhë të parë, me premtimet që ka dhënë. Më pëlqeu fjala e Ramës, kur tha se “do të jem Kryeministër i të gjithëve”. Kështu duhet të ndodhë, sepse ai s’mund të jetë kryeministër i njërit krah dhe të fundosë krahun tjetër. E kam dëgjuar në fushatë se ish kryeministri britanik, Toni Bler, do të angazhohet në këshillimin e qeverisë së re. Nëse kjo do të ndodhë vërtet, shpresoj që të paktën gjysmat e këshillave të tij të zbatohen dhe kjo prapë shumë mirë do të jetë për ne.
– Si një ndjekës aktiv i politikës shqiptare, a prisni zhvillime në Partinë Demokratike? Për çfarë ka nevojë ajo pas kësaj humbjeje të rëndë në zgjedhje, duke patur parasysh edhe disa prononcime të figurave të njohura të PD-së, si z.Besnik Mustafaj?
Partia Demokratike duhet të bëjë reflektimet e saj, pasi ajo është një pasuri e kombit tonë. Ajo parti ka luajtur një rol të rëndësishëm në shkatërrimin e ideologjisë së mëparshme. Ka luajtur rol në zhvillimin e demokracisë në vendin tonë. Por, ama duhet të nxjerrë mësimet e saj. Fjala e kryeministrit Berisha, e të mërkurës në darkë, nuk më pëlqeu për arsye se aty dukej sikur i thoshte popullit shqiptar se ju votuat gabim. Nuk mund të gabojë afro 65 përqind e popullit që votoi kundër. Ai fjalim nuk ishte një shenjë shumë e mirë, nuk u tha asgjë mbi gabimet e së kaluarës, por shpresoj të ketë qenë emocional, një nga emocionet e para pas kësaj disfate dhe të ulet me këmbë në tokë e t’i shohë gjërat ashtu siç janë. Në tërësi, grumbullimi i njerëzve përpara selisë së PD-së m’u duk si një bufonatë. Nuk e kuptova përse qanin njerëzit. Kam parë të qanin për Enver Hoxhën kur vdiq, por z.Berisha është gjallë. Megjithatë, unë i uroj shëndet dhe suksese në punën e tij. Populli i tregoi se nuk ishte më e nevojshme që ai të drejtonte shtetin shqiptar, shpresoj që këtë ta kuptojnë drejtë jo vetëm ai, por edhe drejtuesit e tjerë të asaj force politike. Vetëm në atë mënyrë ata do ta luajnë mirë rrolin e opozitës në të ardhmen, çka është tepër e rëndësishme për ecurinë demokratike të vendit tonë të shumë vuajtur.
– Kjo ishte një humbje shumë e rëndë veçanërisht për kryeministrin Berisha. Në fjalimin e tij të fundit ai u dorëhoq nga të gjitha funksionet në PD, por tha se do të jetë pjesë e Parlamentit si deputet. Çfarë i këshilloni atij? A ka ardhur koha që ai të tërhiqet përfundimisht nga politika?
E thashë edhe më lart se ka ardhur koha që ashtu siç iku z. Nano, të ikë edhe z. Berisha. Për mendimin tim, PD-ja ka njerëz të tjerë që mund ta nxjerrin atë në rrugën e demokracisë europiane, nga e cila ajo ka devijuar shumë. Autokracia e zhvilluar në atë parti e dëmtoi rëndë PD-në. Ajo ishte një parti që nuk funksiononte në mënyrë institucionale, por në mënyrë tribale. Çfarë thoshte shefi ishte ligj dhe kjo nuk diskutohej. Nëse partitë funksionojnë në këtë mënyrë e kanë të vështirë të shohin qartë. Pikërisht kjo duhet korrigjuar. Partia nuk mund të përzihet me pushtetin. Në këtë rast, ajo u bë njësh me shtetin. Madje, partia vendoste për të punësuar qoftë edhe një polic apo infermiere. Kjo e dëmtoi rëndë edhe përbërjen e administratës. Ajo u kthye në një administratë militantiste, pa patur parasysh vlerat profesionale të njerëzve që punonin, duke larguar ata që ishin të aftë dhe të përgatitur dhe futur njerëz vetëm që ngrinin dorën dhe mbanin dy gishtat përpjetë. Në një shtet demokratik duhet që çdo gjë t’i nënshtrohet rregullave ligjore dhe plotësimit real të drejtave të njeriut.
– Si e konsideroni deri tani sjelljen e dyshes Rama-Meta, kur vihet re një përmbajtje e matur e të dyve, ndërkohë që në frontin e ekonomisë së vendit ka vetëm re të zeza?
Ekonomia shqiptare ndodhet përpara një grope, të cilën unë s’mund ta them se sa e thellë është. Edhe thirrja e të mërkurës e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë se FMN-ja duhet të vijë urgjent është për t’u shqetësuar. FMN-ja nuk është një organizatë mrekullibërëse, por një këshilltare që ka përvojën se si t’i kalosh këto gropa pa u dëmtuar rëndë. Kjo tregon se problemet janë serioze. Nëse i shtrin këmbët jashtë jorganit, këmbët ftohen. Kjo ka ndodhur me shpenzimet në ekonomi. Janë bërë shpenzime tej mundësive tona, gjë e cila nuk mund ta kalojë pa u ndjerë në zhvillimin ekonomik. Mendoj se ky është problemi kyç i qeverisjes së ardhshme. Politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë. Po pate ekonomi të fortë, ke edhe një politikë të mirë dhe anasjelltas.
Ky rotacion ishte i domosdoshëm dhe u krye në një mënyrë të thellë. Por, ka diçka: Ky rotacion nuk ka vlera pse iku njëra parti dhe erdhi një tjetër. Vlerat e tij do të jenë të mira në qoftë se vërtet këto forca që kanë ardhur në pushtet do të ndërtojnë një shtet të ligjit. Drejtësia ka arritur në atë shkallë sa ka humbur besimin e popullit. Ajo duhet ngritur, duhet çuar në vend. Jo vetëm kaq, por ka ardhur koha që ne të ndërtojmë Republikën e Katërt: Republika e parë është ajo e Zogut në vitet 1925-1928; Republika e dytë është pas Luftës së Dytë Botërore; Republika e tretë është pas vitit 1991 dhe kjo që duhet ndërtuar është Republika e katërt. Pra, ajo presupozon të kemi një shtet të vërtetë ligjor i cili të funksionojë me kërkesat e demokracisë europiane. Përndryshe, nuk kanë për të na pranuar në familjen europiane, pavarësisht zgjedhjeve të mira që bëmë. Zgjedhjet ishin A-ja, pjesa tjetër vjen tani.
– Ju keni qenë një kundërshtar i ndryshimeve kushtetuese që ndodhën në vitin 2008. Tani që e majta mund të ketë votat e mjaftueshme ta bëjë këtë, a duhet të rishikohet Kushtetuta për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe Kodit Zgjedhor?
Sapo përmenda se na duhet një Republikë e re. Kjo presupozon që nga ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit. Në Shqipëri, zgjedhja e Presidentit është kthyer në një pazar politik. Presidenti është Kryetari i Shtetit dhe ai s’mund të kthehet në një nëpunës i partisë ose mazhorancës në pushtet. Ai përgjigjet për unitetin e popullit dhe ka përgjegjësi të mëdha kushtetuese për vendin e tij. Ai duhet të jetë një njeri që jo vetëm ta ndjejë pavarësinë, por ta mbrojë atë si një përgjegjësi të rëndësishme duke qëndruar gjithmonë mbi palët. Kjo përgjegjësi është më e qartë dhe më e mbrojtur, nëse do t’i jepej në mënyrë direkte nga populli dhe jo nga një grup partish. Ne jemi një nga të paktat vende të Lindjes që nuk e zgjedhim Presidentin nga populli.
Asnje presje nuk i heq asaj qe thote ish presidenti sepse jane te gjitha te sakta.Vecse me duket se dalja neper media thuajse cdo dite per tu shprehur kunder regjimit te kaluar dhe pro qeverise se re eshte nje servilizem dhe lepirje ndaj pushtetareve te rinj per interesa private familjare.
Patjeter qe eshte per interesa personale.Do qe te fuqizohen bizneset e dhendrit,te rifilloje prape kompania ajrore e familjes dhe t’ja mbajne edhe tete vjet vajzen drejtoreshe spitali se pak ka zhvatur per nja 10 vjet ne ate post.
Alfrd Moisiu eshte ish-presidenti me i mire qe ka pasur shqiperia
ndonje here, nje burre shteti.
RRESPEKTIN ME TE MADH NGA ANA IME
Me ngadale nje cike o xhaxhi se zgjedhjet nuk jane fundi i tranzicionit por vetem fillimi i rruges per fundin e tranzicionit.Ngadale o burre i dheut se nga deshira per tu dukur fillon e keput brockulla pastaj.Ka pasur presidente te tjere Shqiperia edhe me te rinj e me te mencur se sa ti po nuk i shohim te dalin cdo dy dite ne gazeta e televizione per te bere moral.
Ne jemi krenar qe ju kemi patur Ju President. Ju jeni vlere per kete komb. Shprehim respekte dhe konsiderata te larta per Zotin President. Njerez si Ju e nderojne kete vend. Gjithe te mirat per Ju Zoti President.
Ate qe nuk ben dote Nishanlliu kukull e ben KORIFEU i mendimit progresiv Mojsiu imadh..
Me falni por po ja fusin te gjithe si kau Peles.Pd-ja nuk ka humbur,por nuk vodhi dot.Kjo eshte realisht pd-ja dhe kjo ka qene qe nga 2005 e deri me sot.
Nje amendament duhet te jete.Nje shtetas shqiptar nuk ka te drejte te zgjidhet me teper se dy mandate si kryeminister apo president kjo dhe te kombinuara bashke ,Kjo do te evitoje ate qe ndodhi me Berishen qe donte te qendronte perjete ne pushtet.
Pse nuk thua me mire qe deshtoi me sukses.
Nuk kam pare dhe as degjuar askund ne bote nje ish-president qe ne moshen mbi te 80-at ti marri me radhe te gjitha gazetat dhe televizionet duke dhene kaq shpesh intervista sic ben ky Moisiu jone.Ky eshte ose nje fodull mitoman ose nje servil interesaxhi.
Respecte Zoti President,faleminderit faleminderit shume qe mbeteni shume aktiv ne politik me intervistat qe jepni
Qe ketu duhet te filloj reformimi i PD. Te propozosh per president shteti nje gjenaral te Enver Hoxhes per cfar demokracie behet fjale?????
Qe ketu duhet te filloj reformimi i PD. Te propozosh per president shteti nje gjenaral te Enver Hoxhes per cfar demokracie behet fjale?????
Une e kuptoi se tani PS ka muajn e mjaltit, por duhet te presim tre muaj pasi te filloj te qeverise dhe pastaj te bejme komente.
nuk jam dakord , ajo KAPITULLOJ
Te doli komplet boja prej sharlatani more Alfred Moisiu kisha rrespet per ty por ky militantizem politike ne perkrahje te nje klani politike me ben te dyshoj se nuk je gje tjeter perveqse nje ultra-ortodokse
Degjo ketu ti Meli USA nuk e di por nese je nga ata te ikurit ne amerike me lloto me vjene keq qe ke nje mendim te tille per Presidentin Mojsiu. Po kam pershtypjen se te ka mbetur ora ne momentin qe ke ikur prej ketej. Presidenti Mojsiu nuk eshte nga ata gjenerale qe mendoni ju por vjene nga ato familje qe fatkeqsisht jane te pakta ne Shqiperi. Per ne eshte fatkeqsi qe sot kemi nje palo President si Nishani qe nuk ploteson asnje parameter normal.