INSTAT ka bërë me dije se ekonomia shqiptare ka mundur të ruajë ritmin pozitiv të rritje ekonomike edhe gjatë muajve të parë të vitit 2013.
Instituti i Statistikave raportoi se në tremujorin e parë Prodhimi Kombëtar u rrit sërish me shifrën minimale 1.7 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shifrat tregojnë se edhe kjo rritje minimale është favorizuar fort nga fakti se në tremujorin e parë të 2012-ës, rritja ishte negative çka ka ulur bazën e krahasimit.
Sipas sektorëve, INSTAT thotë se për këtë tremujor, rritja ekonomike është udhëhequr nga ecuria e mirë e prodhimit industrial me 14.8 për qind dhe post telekomunikacionit me 15.4 për qind. Ecuri poztive ka patur edhe bujqësia me shërbimet, ndonëse me ritme më të ulëta përkatësisht 2.1 dhe 1.3 për qind.
Ndërsa tre degët e tjera të ekonomisë kanë vijuar të tkurren. Sipas INSTAT ndërtimi ra me 4.8 për qind, tregtia me 2.1 për qind dhe transporti me 2.9 për qind./b.l