Monumentet në Shqipëri u ngjajnë mumjeve

9 Korrik 2013, 10:16Kulturë TEMA

                                                                                                                                          Nga:     Ben Andoni
Artisti Ermir Grezda ka vazhduar traditën familjare, por duke krijuar ndër vite në brazdën e tij artistike. Tashmë, skulptori i njohur, mendon se kanonet estetike universale mund t’i afrojë në art duke marrë modele në antikitetin ballkanas, ku fshihen modele të mrekullueshme nga e shkuara e largët, në të cilat shpesh ngarend shpirti i tij…

Ermir Grezda është ‘refuzues’ në pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij. Është refuzues ndaj zhurmës mediatike, bujës së kotë dhe artit pa thelb. Vetëm se, nëse do dish t’i marrësh pak hapësirë shpirtit e tij të brishtë, atëherë do të dëgjosh një zë interesant që flet për artin skulpturik shqiptar.

Grezda i Riu u formua në atelienë e të atit, piktorit Qamil Grezda (ndaj shpesh i drejtohen si edhe Grezda i Riu) dhe që kur mbaroi liceun më 1967 nën drejtimin e Andrea Manos, Llazar Nikollës dhe Naxhi Bakallit rruga e tij do vendosej: Skulptura Monumentale. Dhe, do ndodhte shpesh që djali i brishtë, do t’u jepte jetë figurave që e kalonin shtatin e vet.

Megjithatë, Ermir Grezda, ndryshe nga shumë artistë, veç krijimtarisë, nuk la pas dore aspektin didaktik, që do të thotë se dha mësim për breza të tërë nxënësish dhe shërbeu për shumë kohë edhe në Sektorin e Studimeve të Galerisë Kombëtare. Sot, e gjen jo vetëm si mësues por edhe në një krijimtari që kërkon cilësitë më të skajshme estetike. Është familjar me të gjitha materialet e skulpturës, por kryesisht me baltën.

“Materiali im më i dashur është qeramika. Balta e pjekur është pjesë e traditës më të mirë ballkanase dhe në këto 7-8 vitet e fundit i jam futur studimit të kulturës së pellazgëve dhe ilirëve, duke e parë skulpturën tonë si pjesë integrale të asaj të Mesdheut. Po ashtu, duke parë me kujdes tipologjinë e njerëzve, dhe duke ndarë dhe cilësitë e ndryshme në këtë rajon të madh, po shikoj një rrugë të re për krijimtarinë time…”.

Po përse tamam këtë art dhe çdo të thotë ky për krijimin.

“Një tipar interesant që e shoh si skulptor, pasi kam bërë disa udhëtime në Greqi dhe jam shumë i lidhur me arkeologjinë dhe artin antik grek, është se në këto 20 vite shikoj një përputhje në tipologjinë e sotme të vendit tonë, pra natyrës së të rinjve dhe shtatlartësisë së tyre që duken si bashkëkohëse me modelet e veprave krijuar në këto treva, më së shumti artin e madh greko-romak”.

Por si e përcjell vallë këtë kaos, pasi kërkimi për linjat e tij në veprat e krijuara mbeten shumë klasike.

“Jo vetëm për shkak të traditës familjare dhe bibliotekës time, faktorë që më bëjnë ta shoh artin në mënyrë shumë specifike, por në një periudhë të gjatë kam kundruar me kujdes kalimin nga skulptura me modelet statike, element që e bëri njeriun pak skematik. Bota ku ekzistojmë është e bazuar mbi akademi arti dhe parime estetike, ndërsa këtu tek ne qëndron mbi një traditë, e cila përcillet që nga cilësia e dikurshme e Liceut Artistik. Personalisht, duke menduar për rrugën që do mund të ndiqej, e shikoj si shumë të vlefshme të vazhdohej mbi artin realist, që është art pa kufi dhe, nëse do të punohej me identitetin, atëherë do kishte punë të mrekullueshme”.

Ndaj, punët e krijuara në vend në skulpturën monumentale mbeten shumë kaotike, ku mungon krejtësisht emocioni dhe tipologjia. Monumentet janë kthyer realisht në mumie të ngurta, sipas tij. Dhe, shembujt nuk mungojnë, kur të vijnë parasysh monumentet e Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit etj…

Po a ka më vend në Tiranë për skulpturën monumentale? Po, edhe në këtë kaos ka për Tiranën, sipas autorit, që mbetet dashamir dhe pa smirë. E di mirë dhe e ndjen se Tiranës në këtë kohë, iu ngjizën shumë skulptura të një tipologjie. Ajo që e mundon është: “Tirana ka nevojë për skulpturën poetike-romantike, ku parqet të jenë pjesë e njerëzve. Dhe ato që mbetën sot nuk krijojnë asnjë marrëdhënie me qytetin…”.

Një nga arsyet e këtij kaosi mbetet niveli që është prezantuar dhe komisionet, të cilat s’janë në parametrat seriozë të besimit, apo fakti që shumë herë ato funksionojnë mbi tarafe dhe mbi njerëz që e vendosin qysh më parë se kush do fitojë…

” Më erdhi keq që portretin e Godos e kishin realizuar në atë mënyrë. Por më vjen keq që ka pasur figura të lira kudo në Tiranë, si në Parkun “Rinia”, apo diku ku ka qenë një sportist i Thanas Papës etj, të cilët u zhdukën. Për fat ka mbetur një skulpturë e Sofokli Koçit në park por edhe aty atë e kanë prerë me sharrë. Në këtë vend të bekuar ka me qindra profesionistë dhe nuk ka asnjë skulpturë… Ky është trishtimi im”, thotë burri simpatik, jeta e të cilit në vitet e fundit ka pasur shumë tollovi familjare.

Megjithatë, edhe në këtë gjendje ka gjetur forca dhe ajo që e ngre është dëshira për punë.

“Kam së fundmi poeteshën e bukurisë, që është një personifikim i bukurisë shqiptare. Mbi atë ndërtova diçka që në pjesën e flokëve duke luajtur me këtë element në një pjesë konfigurova Kosovën kurse në tjetrën Shqipërinë. E kam të zhvilluar si element në të gjithë trupin. I kam bërë vetëm portretin. Kjo do ishte mirë të vendosej diku. Por, fatkeqësisht s’ka asnjë ofertë…”.

Kjo është një brengë për burrin që kritikën për gjendjen e skulpturës së parkut nuk e zmadhon, por e ndrydh tek vetja, për të pritur kohë më të mira, sepse dëshira e mbyt shpesh të keqen, që në këtë vend nuk mungon.

Ermir Grezda s’është vetëm një skulptor i mirë, por ai është edhe një patriot i mirë dhe mbajtës i disa çmimeve, të marra në kohë të ndryshme. Por, për këto s’ka fjalë. I mjafton edhe pa rrahur gjoksin, që diku të kujtohen se dëshira e tij është e njëjtë me pasionin, që me sa duket do ta mbajë gjatë. / Revista “Java”

 

 

 

5 komente në “Monumentet në Shqipëri u ngjajnë mumjeve”

  1. santiago says:

    shiko salen eshte mumje e gjalle

  2. tourkofagos says:

    Ehh te ishte gjalle artisti i popullit kristaq rama (babai i edit) do te kishte lulezuar shqiperia si ne kohen e komunizmit.

    1. Horri i Bulevardit says:

      Ke te drejte bythac, ne ate kohe ishit ne krize hajdari, ke te drejte ta shash, biles mund te themi se ju byt..q..at keni qene te persekutuarit e vertete, se sju lane te perkedhelnit bythen tuaj komunizmi i Kristaqit.

  3. Ben Chicago says:

    Rrofte Shoku Enver Hoxha.

  4. Mergim Vlora says:

    Shqetesimi i sklptorit eshte i drejte. Komentet me karakter politike jane bajate dhe tymnaja. Shqiperia per fat te keq eshte mbushur vertet me mumje. Vetm ne Lezhe eshte vendosur nje skulpture apo grup skulptural i te madhit Gj.Fishta me lahuten e tij e cila vjen si nje meteor per te gjithe ata qe e shemtojne Shqiperine dhe Kosoven me “mumje artistike”. Por sa kam mesuar nga nje lezhian kjo skulptur qe Lezha dhe Shqypnia e pati fat te vij nga thellesit e erresires ku e kane kapluar mumjet, ajo u bojkotua nga pushtetaret e larte qe e kishin si detyre dhe nder te merrnin pjese ne inagurim dy apo tre vjet me pare.Madje autori i saj,ngjate viztes sime ne Lezhe, skulptorin e kesajvepre te ndritur Ilmi Kasemin autoret dhe ideatoret e “mumjeve artistike” e kane luftuar dhe e luftojne ashper dhe ai sot per fat te keq perpelitet me egzistencen ne kete erresire te mumjeve. Me respekt per artin e vertet qe po vjene si ajo e skulptorit Kasemi nga Mergim Vlora USA.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje