Armando Sadiku edhe më pranë Serisë A

15 Korrik 2013, 14:49Sport TEMA

Afrohet ora e transferimit të Armando Sadikut drejt Serisë A. Skuadra e Luganos, pjesë e së cilës është sulmuesi shqiptar, ka zyrtarizuar së fundmi blerjen Boran Dubajic, një zbulim i kategorisë së dytë serbe, lëvizje kjo që pritet të shoqërohet shumë shpejt me kalimin e Sadikut në futbollin elitar italian. Për shërbimet e 22-vjeçarit intereson Fiorentina dhe Lacio, madje pak kohë më parë menaxheri i lojtarit zbuloi se presidenti i Luganos, Anxhelo Renceti kishte arritur marrëveshjen me një skuadër të Serisë A, por pa e zbuluar emrin, raporton “Super Sport”. Armando Sadiku nuk u aktivizua me skuadrën e tij në takimin e parë të Challenge League, mes Luganos dhe Biel Bien, që u fitua 1-0 nga vendasit, çka presupozon se e ardhmja e tij do të jetë larg Zvicrës.

Ndërkohë, Lacio, e cila interesohet për Sadikun pritet të shndërrohet në një koloni shqiptarësh. Aktualisht në klubin e kryeqytetit italian aktivizohen Lorik Cana dhe portieri i ri Tomas Strakosha, por formacionit të Vladimir Petkoviç mund t’i bashkohen Elseid Hysaj dhe Saimir Ujkani. Bisedat për mbrojtësin 19-vjeçar të Empolit kanë mbetur prej ditësh në vend numëro, ndërsa emri i Ujkanit ka dalë në skenë orët e fundit. Sipas mediave italiane, valsi i trajnerëve në serinë A mund të cojë 25-vjeçarin në Romë, pasi portieri Albano Bizarri pritet të transferohet te Kievo. Gjithsesi, kjo lëvizje e mundshme do të varet edhe nga dëshira e Ujkanit, i cili vështirë se do të pranojë kalimin te Lacio për të qenë zëvendësues i Marketit./b.l

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje