Kapitullimi pa kushte i shtetit shqiptar

16 Korrik 2013, 20:28Blog TEMA

Nga Auron Tare

 

8 vite të shkuara, pas një lobimi të gjatë nga një sërë emrash të njohur të kulturës evropiane, Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO vendosi unanimisht të pranonte Gjirokastrën në gjirin e saj për vlerat universale që mbart ky qytet. Shqipëria, përveç Butrintit, mund të krenohej tashme edhe me Gjirokastrën.

Hyrja në një klub të tillë prestigjioz sigurisht që ka edhe detyrimet e veta. Por fatkeqësisht shteti shqiptar, më saktë Ministria e Kulturës, ka dështuar në mënyrë spektakolare për të përmbushur detyrimet ligjore të këtij klubi elitar. Institucionet tona kulturore nuk janë të afta për të mbrojtur jo vetëm trashëgiminë kulturore shqiptare, por edhe atë botërore, një angazhim që kanë marrë në emër të shqiptarëve kur kërkuan të anëtarësoheshin në UNESCO.

Dje ishte 8 vjetori i pranimit të Gjirokastrës në UNESCO. Feste e madhe dhe shumë të rinj. Ndoshta si asnjëherë tjetër, rinia kishte ardhur në Gjirokastër.

Po dje në Gjirokastër, bashkë me një sërë miq të mi, isha edhe unë për të folur mbi rëndësinë e madhe të vlerave që ka ky qytet.

I ftuar nga deputeti i ri, Erion Veliaj, së bashku me Shkrelin, Lamen, Xhufin dhe Dr.Koçollarin, sollëm për njerëzit që kishin ardhur të na dëgjonin, dëshmi historike të këtij qyteti.  Meqenëse kam qenë personalisht në një debat publik me Institutin e Monumenteve dhe me ministrin që iku, dhe atë që erdhi, për një ndërtim skandaloz që po kryhet në sheshin qendror të qytetit, vajta për ta parë se ç’po bëhej me të.

Nuk mund të besoja se ndërkohë si unë, si të tjerë që debatonin mbi këtë shkelje flagrante të ligjit, që ndërtuesit ditën për diell vazhdonin të lartësonin godinën e tyre pa ju bërë syri terr.

Kjo godinë mu në sheshin kryesor të Gjirokastrës, aty ku dikur ishte vendosur shtatorja e Enver Hoxhës, është simboli më i qartë i falimentimit të shtetit shqiptar në fushën e trashëgimisë.

E ngritur në mënyrën më flagrante të shkeljes së ligjit dhe konventave të trashëgimisë, me leje të shkruar nga ish- Ministri i Kulturës, Bumçi, me aprovimin e heshtur të poetit ministër, Zhiti, me firmat e një sërë profesorësh të tredhur të Këshillit të Lartë të Restaurimeve, godina simbolizon falimentimin e shtetit shqiptar.

Falimentin përballë klientelizmit, korrupsionit, ndërhyrjes së deputetëve për një grusht votash e kështu me radhë.

Kjo godinë dhe simbolika e saj u debatuan në mbledhjen e fundit të UNESCO-s, ku qartësisht ju kërkua Ministrisë së Kultures të ndërhynte për të ndaluar ndërtimet në sheshin e qytetit.

Por JO, mu në mes të ditës punëtorët vazhdonin të ndërtonin pa asnjë problem, pa përballjen me ligjin, pa reagimin e komunitetit, dhe ajo që më çudit më shumë, nën dritaret e Bashkisë së qytetit.

Unë ju heq kapelen pronarëve të truallit, të cilët kanë guximin e vazhdojnë të ndërtojnë në një shtet rrumpallë si ky joni,  përse të mos e bëjnë?

Kur dy deputetë gjirokastritë që janë në qeveri, Ruli e Ksera, nuk flasin.

Kur poeti Zhiti nuk flet, kur Drejtori i Trashëgimisë që i punon babi këshilltar tek Sali Berisha, nuk di gjë, kur profesorët e tredhur të IMK firmosin falsifikimin e projektit, kur drejtori i IMK, profesor Baçe thotë “përse të mos bëhet”, a thua se ai vjen nga Marsi dhe nuk i di ligjet në fuqi, kur vetë IMK, institucioni që ka detyrë ligjore të ruajë monumente, i harton projektin pronarëve, përse këta njerëz që kanë pronat të mos ndërtojnë?

Ky shtet është han pa porta dhe në një rrëmujë të tillë përse të mos shfrytëzosh rastin dhe të bësh ç’të duash?

Unë personalisht nuk kam asgjë kundër këtyre pronarëve, dhe jo vetëm tyre, por të gjithëve atyre që po ndërtojnë në zona historike.

Ata janë në të drejtën e tyre të pushtojnë, zaptojnë, ndërtojnë, lartësojnë çfarëdolloj ndërtese që duan.

Dikur kundër këtij takëmi bota e qytetëruar ndërtonte mure mbrojtëse, pastaj kala dhe fortifikime të sofistikuara.

Më vonë në kohët tona u shpikën edhe institucionet mbrojtëse, të cilat e mbrojnë civilizimin nga këto shkatërrime.

Mirëpo duket se përpos mureve, kalave e fortifikimeve, këta njerëz kanë pushtuar edhe institucionet, kështu që nuk ka asnjë dyshim se shteti shqiptar sot është i kapitulluar përfundimisht.

Këtë përfundim e kanë nxjerrë me sa duket edhe shqiptarët që votuan kundër këtij kapitullimi.

Prandaj pas shtatorit e tutje në Gjirokastër nuk shkohet më për t’i treguar njerëzve histori, por për t’i treguar se si behet shteti.

Drejtësia në trashëgimi duhet të fillojë pikërisht nga simbole të tilla korrupsioni, ku të gjithë ata që kanë lejuar që shteti të kapitullojë, të përballen me drejtësinë.

Besoj se ky do të jetë thelbi i leksioneve te ardhshme jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në Krujë, Butrint apo Apoloni, Tiranë apo Korçë, e kështu me radhë.

10 komente në “Kapitullimi pa kushte i shtetit shqiptar”

  1. TURP! TURP! TURP! TURP! TURP! TURP! TURP! TURP! TURP! TURP! TURP! says:

    TURP! TURP! TURP! TURP! TURP! TURP! TURP! TURP! TURP! TURP! TURP!
    http://imazheshqip.blogspot.com/2013/07/sali-berisha-facebook.html

  2. mika says:

    kam vetem nje pyetje. Po BAshkia a ka dhene leje. A perdor bashkia forcen e saj per ti ndaluar keto punime?

    1. Labi Vlore says:

      Bashkia nuk ka force ne zonat Historike.Mesojeni.Ka vetem celsat e kashtes.

      1. Albi says:

        Po pse ti pret qe Ministria nga zyrat e Tiranes te kontrolloje ca ndodh ne cdo cep te Shqiperise? Prandaj eshte ndare pushteti me qeverisjen vendore.

        Po thuaj qe njerez si Flamur Bime e Shpetim Gjika jane bere me keq se pashallaret ne kete vend.

  3. cub dragobie says:

    ky eshte zhvillimi, kjo eshte ecja perpara drejte europes,zhvillim” MADE IN SHPELLARE”

  4. genci says:

    Le ajo qe eshte kryeturp, po godinen tjeter ne qender te stadiumi, qe po lartesohet mbi projektin e miratuar dhe i ze tere pamjen zones muzeale, madje edhe kalase qe eshte pika me e larte- edhe ate po e mbulon!?
    Thone qe eshte i kunaatit te kryetarit te bashkise.
    Deme qe nuk dihen si do riparohen, duket e pamundur!!!!

  5. Zef Kallami says:

    Kemi lene shtetin shtet pavarsisht nese ishte monist apo fashiste.Dhe kemi ardhur ne shtetin rrupalle demokratike ku paraja shpon detin e jo me,ligjet e pusht pushtetit te Berishes me Bumça e me gungça.Ligje tamam sic thoshte Topallja zhele,zhelan.Bile kaluar zheleve neveritse te Topalles.
    Keto bjeleret demokratik behen te zgjuar nese i perdredh Berisha nga politika e Pd dhe nga pusht pushteti privat i tije.Ne te kunderten nuk pyesin njeri po me plot ovacione dhe duartrokitej pershendesin dimensionistin e dimensionisteve Berisha me urra te forta pambarimisht.Sa harrojne te kthehen edhe ne zyre per te ndjekur zbatimin e ligjit privat te pusht pushtetit,qe te jemi mire me Berishen.
    I shikoni se me sa vlere kane.Berisha i dorhequr nga Kryetarlljeku.I ban zap sikur te ishte po ne krye i pa dorehequr.

  6. mirel says:

    Bashkia gjithmone e ka nje pergjigje si Gjika i Vlores.
    Fajin e kane te tjeret, bashkia kurre nuk ka gje ne dore, atehere kur duhet

  7. tomori i beratit says:

    Duhet ta pranojm me hir apo me pahir.Enver Hoxha ishte DIKTATOR por:Kishte SHTET.Bile te fuqishem.Me kujtohet se si lyheshin shtepit me gelqere gati per çdo vit ne lagjen MENGALEM te Beratit.Qyteti vertet ishte I BARDHE.Nuk behej llaf jo te ndertoje nje shtes ne kete lagje por AS MUNDET QE TA MENDOJE.Po SOT.BATERDI kudo,shtesa,ndryshime,modifikime,gardhe,mure,sherre,deri edhe vrasje.Kjo ndodh sepse nuk ka shtet.Njerez te tipit Baçe jane plotesisht te koruptuar e te degjeneruar.Jep leje sot Z Baçe se u be miliarder nga korupsioni Ndersa DJE i dridheshin gjunjet e ishte I PARI qe i bente ELOZHE Enver Hoxhes.Me siguri nga frika se i priste KOQET Enveri dhe ja varte ne qafe.SOT keta BANDIT tallen me VLERAT HISTORIKE te popullit tone.Por do ta paguajn.

  8. Linda says:

    Zoti Tare, te lumte ajo pene qe shkruan dhe ben narratime per traditen e Gjirokastres dhe mbrojtjen e interesave te saj. Por me sa duket ju gjithashtu shfrytezoni politiken per te trajtuar nje problem qe nuk eshte aspak politik. Nqs ju ishit ne Gjirokaster per te folur per historine dhe vlerat e saj pse duhet te permendni kete staf politikanesh te cilet i shoqeronit edhe pse ata jane te persgjedhurit politik te qytetit? Kultura nuk ka lidhje me politiken. Nuk dua fare te komentoje apo te shtoje nota negative apo pozitive per qeverine apo politikanet, kushdo qofte qe nga presidenti deri te qytetari me i thjeshte sillen sipas bagazhit kulturor dhe edukimit familiar qe kane marre qe ne vogeli por qe e kane deformuar dhe zhvilluar ne shoqerine shqiptare te sotme qe sigurisht ka dhe vlera pozitive.
    Une do te doja t’iu beja disa pyetje: A quani ju ZAPTIM nje ndertim qe behet ne bazen e nje lejeje te miratuar nga institucion kompetent dhe mbi bazen e nje projekti qe i pershtatet karakteristikave te Gjirokastres? A quani ju ZAPTIM ndertimin e nje godine qe kujton historine e familjes NISHANI ne pronen e vete qe prej shekujsh? A quani ju ZAPTIM qe kjo familje respektoi gjithe proçedurat e nevojshme e qe e pershtati kete projekt me ish-shtepine Nishani dhe me teresine e peisazhit te kodres dhe te qytetit? A quani ju LARTESIM GODINE nje ndertese te projektuar qe lejon godinat e kodres te duken ne totalitetin e tij? BAR Fantazia ku ju shkoni pini kafen, ne truallin e kujt eshte ndertuar perme teper ne nje stil qe nuk i pershtatet aspak ambientit historik e kulturor te Gjirokastres? Z.Shkreli, nqs ka rruajtur sinqeritetin e atyre viteve kur ai ishte profesor i ri dhe i talentuar nqs do te shikonte projektin e miratuar nga pronaret e ligjshem dhe panoramen e BAR Fantazise, do t’iu kritikonte per keto tone te ashpra te shkrimit. Z.Xhufi gjithashtu do t’iu tregonte kush quhet ndertim historik, nje godine e nje familjeje qe prej shekujsh ka jetuar ne ate vend apo nje monument qe ndejti vetem 5 vjet?
    Nqs ju jeni nje nga ata qe doni qe Shqiperia te zhvillohet dhe te integrohet ne Europe, si mendoni ju qe do te realizohet pa zgjidhur pronen e qytetareve shqiptare dhe pa i respektuar keta qytetare dhe iniciativen e tyre per te mbrojtur, te zbukuruar qytetin e tyre te dashur?
    Dhe mund te vazhdoje keshtu t’iu bej shume pyetje sepse me sa duket ju Zoti Tare keni meriten te shkruani bukur dhe te mbroni interesat e Gjirokastres e te Gjirokastriteve por ju nuk shkruani kush eshte zgjidhja alternative per kete familje qe kerkon ne truallin e vete te rindertoje historine shume shekullore gjithmone duke respektuar qytetin e tyre, pa u ngateruar me problemet politike.
    E fundit qe kisha, situata ne Shqiperi sot eshte reflektimi dhe puna e te gjithe neve duke iu perfshire dhe JUVE Z.Tare dhe politikanet prej te cileve ju ishit te shoqeruar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje