Çmimi i popullit për Thaçin

15 Korrik 2013, 21:19Blog TEMA

Nga Arbana Xharra*

 

Në të njëjtën ditë kur u publikua portreti që i kishte bërë gazeta e përditshme amerikane “The New York Times” kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, lexoja ndërkohë reportazhin për një familje skamnore nga Kosova, për nënën e dy fëmijëve që lutet të vdesë çdo natë përpara se të agojë dita. Po atë ditë lexoja edhe raportin e Transparency International Kosova për keqpërdorimin e parasë publike që bëjnë partitë politike në vend, e veçanërisht partia më e madhe në pushtet.

Për ata që nuk e dinë se çfarë po ndodh në Kosovë, nga shkrimi i NYT fitojnë përshtypjen se “Kosovën e paska shpëtuar Hashim Thaçi”, dhe se “ky shtet më i ri në Evropë duhet të mburret me këtë burrështetas”. Kur një gazetë prestigjioze si NYT shkruan se Brukseli dhe Washingtoni sot e konsiderojnë Thaçin, Gerry Adams të Ballkanit, që gjoja po e çon vendin drejt Evropës, audienca e huaj edhe mund të besojë. Por, edhe këtu pushteti dhe lakenjtë e Thaçit nuk duhet të kenë shumë iluzione: në brumin e papjekur të New York Times besojnë ata që nuk i njohin zhvillimet në Kosovë dhe nuk janë vendimmarrës.

Thaçi, i cili nuk u prit asnjëherë zyrtarisht nga krerët e shtetit më me ndikimin dhe më të madh në BE, pra Gjermania, idealizohet me këtë shkrim deri në atë masë, saqë thuhet se “Emri i Hashim Thaçit po përmendet edhe si një kandidat për Çmimin Nobel për Paqe”. Gazetari nuk i referohet asnjë burimi dhe gjithë kjo tingëllon si një anekdotë iftari që mund ta ketë dëgjuar në ndonjë kafene të Prishtinës.

Zor të besojë dikush që e njeh Kosovën se ndonjëherë mund të ndodhë kjo mrekulli për Thaçin. Imazhi që e kishte vizatuar me brushë të madhe gazetari amerikan nuk shitet në asnjë galeri serioze, edhe pse në botën e pikturave qarkullojnë shumë mashtrues.

Më së paku një vizatimit të tillë i besojnë ata qytetarë që i pamë javën e kaluar e të cilët ia kishin mësyrë Beogradit dhe prej atje synonin të vazhdonin udhën drejt vendeve perëndimore, natyrisht ilegalisht dhe përplot rreziqe. Këta janë qytetarë të cilët nga skamja më nuk po mund të mbijetojnë në shtetin që e “paska çliruar Thaçi”.

Aq më pak i besueshëm do të duket portreti i zbukuruar i Thaçit në sytë e asaj nënës nga Prekazi që lutet të vdesë nga varfëria, vajza e së cilës gjatë dimrit ka shkuar dy javë zbathur në shkollë. Familje si kjo ka me qindra e mijëra në Kosovë dhe këto familja sapo t’u jepet mundësia do të ikin nga mjerimi për të kërkuar azil nëpër Evropë. Ikin nga “parajsa” e Thaçit për të shkuar në “ferrin” e Evropës.

Duke e parë skamjen rrëqethëse të kësaj familjeje, që pasqyron realitetin e Kosovës, të vijnë në mend kapadainjtë e qeverisë dhe shumica e atyre që kanë zënë ulëset e Kuvendit të Kosovës, të cilët miratojnë çdo keqpërdorim, bëhen miratues të çdo ligji të dëmshëm dhe çdo ditë e më tepër shkatërrojnë besimin që mund të ketë ndonjë qytetar në shtet. Bile pushtetarët kanë nisur të garojnë mes vete se cili po ka shije më shumë të të jetuarit në luks. Nga stili i veshjes ku kohë pas kohe bëjnë tërheqjen e mëngëve të këmishës për t’u dukur orët e shtrenjta “Rolex” deri te reklamimi arrogant me vetura të blera me para të arkës së shtetit.

“Kam luftuar në anën e drejtë të historisë për çlirimin e popullit tim nga tirania kundër një armiku të pamëshirshëm që bënte përpjekje për kryerjen e një gjenocidi masiv”, citohet të ketë thënë Thaçi për NYT. Aq i është mbushur mendja se ky e ka çliruar Kosovën, saqë thotë “populli im”, thua se Thaçi është pronar i popullit. Athua si ndihen ata ish-luftëtarë të vërtetë të UÇK-së, kur shohin bashkëluftëtarët, “komandantët”, që sot janë bërë milionerë e të cilët abuzojnë me pushtetin që kanë në dorë? Çfarë ndjesie ngjall Thaçi te ish-luftëtarët e UÇK-së që edhe 14 vjet pas luftës mbledhin hekurishte për të mbijetuar? Si ndihen ata që luftuan për ta bërë Kosovën të pavarur me tërësinë e saj territoriale dhe jo një shtet ku kriminelët amnistohen?

Athua si do të ishte përgjigjur Thaçi sikur gazetari ta kishte pyetur prej nga u bënë milionerë vëllezërit tuaj, madje brenda natës, apo zyrtarët e tjerë të PDK-së që sot nuk ia dinë skajin pasurisë? Ndonjë gazetarë që Kosovën “e njeh” nga distanca e Parisit apo Pragës, si ky i NYT, mund të fërgojë llafe restorantesh për Çmimin Nobel dhe Thaçin, por populli i Kosovës këtij qëmoti ia ka dhënë një çmim meritor: kryepërgjegjës për plaçkitjen e Kosovës dhe varfërimin ekstrem të popullit të saj.

 

7 komente në “Çmimi i popullit për Thaçin”

  1. ulliri says:

    Bravo zonja Berisha- kesaj do i shtoja kete,shikojeni emisionin-Edhe une jam Kosove ne RTV21, te ju shkojn renqetheje trupit.KOSOVARET presin liberalizim pastaj do te kemi egzod masiv te popullates.Dyshoj qe kjo eshte nje marreveshje sekrete.

  2. ulliri says:

    permirsim -ARBANA XHARRA -te jem i falur

  3. marri says:

    Te lumte Albana,kjo eshte e verteta e hidhur,ne Kosoven Hashimjane.ndersa per nderkombetaret aq ju ben per popullin e Kosoves,ky eshte personi qe po u kryn pun,pa asnje kundershti,e vetmja pun qe ben Thaqi eshte nenshkrimi,servilizmi,dhe deshja e dhembeve,aftesi te tjera nuk posedon,me nje fjal mjeran.nderkombetaret ja rrafin krahet edhe ndoj dit sa te mbarojn punet,per interesa te veta.

  4. kushtrimi says:

    NE RREGULL MOJ ARBANA POR ME GJEJ NDONJE POLITIKAN NE KOSOVE ME TE MIRE? PER MOMENTIN NUK KEMI. POR TI SI GAZETARE SHKRUAJ EDHE NDONJE ALTERNATIVE PERMIRESIMI TE EKONOMISE KOSOVARE NESE DIN SEPSE PROBLEMET PO I SHOHIM VETE POR ZGJIDHJET JO.

  5. P.D. says:

    Ne ekonomine e tregut moj zonje ka dhe te pasur dhe te varfer.Kapitalizmi eshte shum i veshtire nuk e pat thene kot dhe xhaxhi Enver,permend Thacin anetaret e PDK por nuk permend ato qe po ndertojne keshtjella ne Prishtine,po ata ku i moren keto para.Ju gazetaret e Kosoves keni mungese edukate shquheni te ofendoni koleget apo gazetat prestigjoze ne bote,merrni per shembull njeri te gabuar.

  6. mirel says:

    Respekte Albana.
    Si ty te mendonin burrat e Kosoves.

  7. S H K O D R A N I says:

    Per fat te keq, gjate luftes disa shoke me thonin qe UCK nuk mundi te mbroj asnje fshat.Populli I Kosoves ka vuajte rende, por Kosoven nuk e Ka clirua as Thaci e as UCK, por NATO, ne krye me SHBA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje