Një prej premtimeve elektorale të Edi Ramës gjatë zgjedhjeve të fundit qe edhe ndarja e mandatit të deputetit nga ai i ministrit. Deri më 23 qershor nuk pati asnjë zë kundër, bile as që ishte pjesë e debateve politike të subjekteve në garë, me përjashtime të vogla që më së shumti vinte nga ndonjë analist i shtypit të shkruar që s’ishte dakord me këtë ndarje.
Pas zgjedhjeve, me daljen e rezultateve dhe fituesve të garës elektorale, sigurisht që ndjeshmëria mbi këtë çështje është rritur. Tashmë nuk janë vetëm analistët që po e prekin si temë të shkrimeve të tyre, por janë edhe zëra që vijnë nga koalicioni fitues që shprehin njëfarë pakënaqësie.
Natyrisht që kjo ide e kryesocialistit Rama, tashmë në rolin e kryeministrit të zgjedhur, s’mund t’i linte të gjithë të kënaqur. E kush është ai që s’do që të ketë dy mandate përfaqësimi, një në legjislativ e një në ekzekutiv? Aq më tepër që këtë ia lejon edhe vetë Kushtetuta.
Në një republikë normale, ku demokracia është në nivele të kënaqshme dhe të gjitha hallkat e shtetit funksionojnë pa u ndikuar nga politika, sigurisht që një ndarje e tillë mandatesh nuk është asfare e domosdoshme. Atje kultura demokratike bën që individi, pavarësisht postit të lartë publik e politik që mban, është tejet i ndërgjegjshëm për punën që kryen dhe mban gjithë përgjegjësitë e rastit kur kapet me shkelje.
Në rastin tonë jemi ende në ciklin embrional të ndërtimit të shtetit, në kuptimin e plotë të tij. Besimi se me qeverinë Rama mund të bëhet kthesa e madhe ekziston, por çdo gjë duhet vlerësuar në kohën e saj, atëherë kur do të bëhet realitet. Deri atëherë na mbetet vetëm shpresa si dëshirë për realizimin e një kërkese mbarëpopullore që u reflektua me votë.
Shqipëria vjen nga një tranzicion i tejzgjatur, me një qeverisje 8 vjeçare të së djathtës që ia kish ulur rolin kontrollues parlamentit dhe i kish kthyer ministrat në sulltanë të vegjël të dikastereve të tyre. Aty ku secili ministër ishte i mbrojtur nga fakti se, pavarësisht se si punonte e drejtonte institucionin, sërish i kishte krahët e ngrohtë. Kjo, pasi mandati si deputet jo vetëm që s’e linte jashtë dyerve të politikës, por bëhej shkas që me atë mandat të ruante vendin si ministër në kushtet kur mazhorancës së PD-së i luhateshin herë pas here numrat për të mbajtur më këmbë qeverinë. Kjo shpjegon edhe faktin se përse Berisha nuk ndërhyri asnjëherë në kabinetin e tij për të bërë ndryshime atje ku çalonte puna, gjë që po i vihet në dukje nga të vetët tani që korri këtë humbje të turpshme.
Në këtë kuadër, ka ardhur koha të mos ketë më qeveritarë që njërën dorë e kanë në bakllava, e tjetrën në revani. Që do të thotë se, po s’e shijuan të parën, u mbetet e dyta. Mandati i deputetit duhet ndarë nga ai i qeveritarit pasi kjo ndarje e bën më të përgjegjshëm ministrin në detyrën e tij. Duke mos qenë më i sigurt se do jetë shumë gjatë në atë detyrë, ai do e nisë ditën e punës sikur ajo të jetë e fundit për të. Ky ritëm i tij do përcillet direkt tek vartësit. Kjo, pasi nga performanca e tyre varet edhe suksesi ose mos suksesi i tij. Duke qenë se vartësit do jenë më të motivuar në punë, pasi në të kundërt ata rrezikojnë jo vetëm karrigen e tyre po edhe të ministrit, reaksioni zinxhir që përcillet shërben që të rritet pozitivisht cilësia në të gjitha drejtimet.
Kryeministri në këtë rast do të jetë më i lirshëm për të marrë vendime në lidhje me angazhimin e secilit. Ai nuk do jetë më peng i numrave në Kuvend. Dihet që kostot politike për forcën që drejton vendin i sjell qeveria dhe mënyra e saj e qeverisjes dhe jo parlamenti. Shqipëria është vlerësuar për ligje të mira, por që zbaton keq ose nuk zbaton fare.
Në këto kushte, ndarja e roleve, pse jo edhe me Kushtetutë, sjell një kabinet qeveritar më të përgjegjshëm, ministra që qeverisin me këmbë në tokë, më të kontrollueshëm nga Kuvendi, më të vëmendshëm ndaj kërkesës së llogarisë ndaj strukturave në varësi, më të përkushtuar ndaj ndjekjes me prioritet të çdo problemi, e kështu me radhë. Duke qenë se të gjitha këto kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek mirëqeverisja, ndarja e mandateve duhet të gjejë mbështetje të gjerë publike me qëllim që vicklat e ndonjërit që i pëlqen edhe bakllavaja edhe revania mos të bëhen sebep për kthim mbrapa tek e shkuara berishiste që sapo lamë pas.
Z.Altin Ketro.
Duhet te jesh i ri ne mardhe nje pune.Nese,jo.Asht fatkeqesi per ty qe shpreh nji mendim te kunderten me cfare ke dasht me than.asaj qe duhet te beje.
“Duke mos qenë më i sigurt se do jetë shumë gjatë në atë detyrë,ai do e nisë ditën e punës sikur ajo të jetë e fundit për të”.
Dita e fundit per cdo punonjes qofte dhe puntor asht nji dite gezimit dhe pa pike pergjegjesiet si dite pune.E nese keshillon qe cdo dite ta ndjejn si dita e fundit.E ka marr ferra uraten.
Ne fakt.
Duhet qe dhe diten e fundit ta kryej me te njejtin perkushtim si diten e pare me shume dashuri dhe pergjegjesi.Por me eksperienc bagazhi te fituar nga pervoja e fillimit te dites se pare deri ne diten e fundit te karrieres.Pra,i bie ma me shume kopmetence.