Shkodër, Drejtoria Rajonale Arsimore mes intelektualizmit dhe militantizmit

18 Korrik 2013, 11:06Blog TEMA

Nga Redan Bushati

 

Ndërrimi i pushteteve në Shqipëri ka sjellë gjithnjë pështjellime. Tanithi, ankthi dhe frika shoqërojnë një pjesë të rëndësishme të atyre që punojnë në administratën publike. Po të vini re me kujdes, edhe krimet e shumta, të pangjara kudo nëpër Evropë, e kanë një shpjegim psiko-social: kalimin e pushtetit në mënyrën më të keqe të mundshme.

Duket sikur shteti kalon në anarki në momentin kur ndërrohen pushtetet, kur vjen një qeveri e re. Ja, shikoni dhe bëni llogaritë secili më vete! Në kohën që krimi po lulëzon kudo rrugëve të Shqipërisë, institucionet përkatëse parandaluese dhe ligjzbatuese nuk janë në gatishmëri, përkundrazi, duket sikur ata po bëjnë sehir përkundrejt krimeve galopante që s’kanë të ndalur. Në momentin që strukturat shtetërore ndodhen në përgjumje, krimi, si gjithnjë i gatshëm dhe aktiv, syhapët dhe i kobshëm, qëndron gati për të përfituar. Dhe rezultati: krime pafund, një pafundësi krimesh.

Ndërrimi i pushteteve, përpos ankthit dhe frikës, ka edhe një tjetër anë të medaljes, pikërisht gëzimin dhe shpresën. Një pjesë, që e kanë merituar plotësisht ofiqin shtetëror, falë kapaciteteve të tyre, kanë shpresë se me qeverinë e re do të mund të vlerësohen për atë çka janë dhe për zotësinë e profesionalizmit të tyre. Një pjesë tjetër, militantë të pushtetit të ri, fërkojnë duart nga gëzimi, pasi me subjektin e tyre politik mund të gjejnë vendin e punës, kafshatën e bukës. Në këtë mjegullnajë ka vlerësime dhe zhvlerësime, kënaqësi dhe indinjatë, gëzim dhe shqetësim…

Kohët e fundit, në Shkodër fjala vjen, duket sikur njerëzit po shfrytëzojnë lirinë që prej kohësh kish munguar. Kështu së paku duket, pasi edhe përkrahës të Partisë Demokratike kanë filluar të flasin e madje të shigjetojnë disa eksponentë të partisë së tyre, që kanë abuzuar me pushtetin, ndërkohë që deri dje nuk pipëtinte asgjë prej gjëje.

Në disa media online vihen re akuza të shumta, ku në qendër kanë Drejtorinë Rajonale Arsimore. Në komentet e fundit, gjithë pohojnë njëzëri se për t’u futur në punë si mësues/e duhet paguar mbi 7 mijë euro. Populli thotë se “ku ka zë s’është pa gjë”, mirëpo ndonëse nuk ka prova materiale, në Shkodër e njëjta fabul në të gjitha gojët ka shansin e madh të jetë e vërtetë.

Karakteristikë e këtij qyteti është se me të keqen përherë fillojnë skenat teatrale. Batutat për zënien e vendit të punës si mësues nuk kanë të sosur dhe po kthehen në legjenda urbane. Megjithatë, tanimë duket se shpresat janë zgjuar, teksa shumë syresh në pritje për të zënë një vend pune si mësues/e presin ardhjen e të tjerëve në krye të Drejtorisë Rajonale Arsimore.

Disa intelektualë, në tryeza të ndryshme, kanë filluar të përmendin emrin e përkthyesit, studiuesit dhe profesorit të nderuar të letërsisë, Zija Vukaj. Më herët ai ka qenë sekretar i parë i Prefekturës së Shkodrës gjatë kohës kur kryeministër ka qenë Pandeli Majko, por edhe drejtor shkolle të mesme. Vukaj është një nga intelektualët e heshtur, që prej kohësh është distancuar nga pozicionet e ndryshme publike, duke preferuar më tepër të merret me përkthimet dhe botën e tij letrare. Mirëpo, tani që pushtetet kanë ndërruar ngjyrë (të shpresojmë edhe fytyrë), meqë individë me kapacitete presin të punësohen në arsim, emri i Zija Vukajt lakohet si e vetmja shpresë për t’i rikthyer dinjitetin arsimit në Shkodër. Ndërkaq, Partia Socialiste dhe aleatët e saj janë në mëdyshje, mes së shkuarës së llumtë dhe së ardhmes europiane, mes militantizmit të thekur dhe dinjitetit profesional.

Thënë këto, koalicioni fitues i zgjedhjeve të 23 qershorit ka përgatitur një listë emrash për të udhëhequr Drejtorinë Rajonale Arsimore; në këtë listë ka edhe militantë. Nga ana tjetër, kryeministri i ardhshëm i vendit ka deklaruar një qeverisje të denjë. Të endur mes emrave militantë dhe stereotipit intelektual të Zija Vukajt, të presim se koalicioni i ri qeverisës vërtet është ai që pretendon të jetë, i së ardhmes së ndritur europiane, duke vlerësuar zotësitë individuale, apo s’do të ketë ndryshim me atë çka ka ndodhur në Shqipërinë e këtyre 23 viteve. Deri në shtator le të presim!

4 komente në “Shkodër, Drejtoria Rajonale Arsimore mes intelektualizmit dhe militantizmit”

  1. Shkodrani 1 says:

    perpara 3 vjetesh ka kene 5 mije euro, per kete ka emra te atyne qe i kane marre ( kunatit te shefit ) por edhe te burrave te mesuesve qe kane pagu, por ka pase nji te mire qe nuk i ka kerku 5 qindshe i ka marre sido me kene vecse i donte te thata ne dore dhe euro. Te shpresojme qe Shkodra edhe ne zgjedhjet lokale do heki pjesen tjeter te bravaxhinjve me dosje

  2. Zef Kallami says:

    Njiket fjalen Tanithi.Nuk e kuptoi.Nga vjen e shkon e per cfare perdoret.

    Ju pershkruani rrealitetin ne ndrimin e kostumit qeverises dhe nenvleftesimi i pergjegjesise,shmebull keni marre ate qe shifet ma aqikshare.

    “Shikoni dhe bëni llogaritë secili më vete! Në kohën që krimi po lulëzon kudo rrugëve të Shqipërisë, institucionet përkatëse parandaluese dhe ligjzbatuese nuk janë në gatishmëri”.

    Pikrisht per kete qe vren me shume te drejt,duhet krijuar administrata e papolitizuar.Kur qeverit ndrohen.Adminisrata qendron konstant.E pa politizuar dhe me aftesi profesioniste perfekte.
    Pushteti i RLINDJES e dha orientimin:
    Militantve te pushtetit te ri iu tha:Dergoni CV.Dhe me profisionalizem e me aftesi do vendosen ne pune.Kaq mbaroi.
    Oh sa kam deshire qe ajo shkoderloce te marrin fryme lirisht e me shume gezim.Pavarsisht dallimeve partiake te gjithe jeni shkodran.Kjo asht kryesorja.

  3. ANDI SHKODER says:

    Muhabet kot Redan. Te lexoj perhere dhe ke gjera interesante por kete rradhe nuk ngjit aspak. Ti thua pak a shume, Zija, po ti shkruaj dy rreshta per ty se te njof. Duhej te ishe thellu me shume dhe te merreshe me gjate me fenomenin dhe individet qe sjellin ate. E di qe ke kapacitet ta besh por kete rradhe ske than gja.

  4. Redan Bushati says:

    Ju përshëndes,

    Në krye të herës analizoj çështjen, e cila ka qenë thuajse “vrastare” për një pjesë të shoqërisë shkodrane: punësimi në arsim. Ditët e fundit, sidomos pas 23 qershorit, kam ndjekur me kujdes komentet e njerëzve të ndryshëm, që më së shumti shigjetonin, edhe me emra konkretë, Drejtorinë Rajonale Arsimore. Çuditërisht, pa dallime politike, të gjithë akuzonin për ryshfete.
    Në këto kushte, pa politizuar aspak situatën, pasi boll e politizuar ka qenë dhe vazhdon të jetë, artikullshkruesi vendos një dilemë, që është pikëpyetja më e madhe për koalicionin fitues të zgjedhjeve të 23 qershorit: do të drejtojnë në bazë të punësimit të militantëve apo të intelektualëve. Dhe s’besoj se ka gjë të keqe që unë dhashë një mendim, një model të intelektualit. Të shikojmë se koha do të vërtetojë pozicionimin e këtyre që kanë kapacitete, ndonëse nuk janë militantë, apo do të vijojë e njëjta retorikë, e njëjta procedurë. Kjo është me pak fjala substanca e artikullit të mësipërm. Gjithë të mirat!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje