Edhe pse zyrtarisht analiza e shkaqeve të humbjes elektorale të PD-së është lënë të bëhet në vjeshtë, zëra autoritarë të Partisë Demokratike, kanë nisur të komentojnë dhe të kërkojnë “Pse”-në e votës së shqiptarëve. Olldashi e Basha, Rusmajli e Alibeaj, Paloka, Demi, Hoxha, por dhe të hershmit, Mustafai, Shehi e Marku thonë të vërtetën e tyre. Madje si kurrë më parë disa prej tyre shenjojnë dhe vetë Berishën.
Nga Lorenc Vangjeli*
Nga humbja e garës së drejtpërdrejtë në zgjedhjet e 23 qershorit, PD hyri menjëherë në një garë të re, tek e cila e ka të garantuar fitoren. Sepse cilido qoftë rezultati i votimit për emrin e kryetarit të ri të partisë ende në pushtet, ai do të cilësohet një fitore për demokratët. Kjo lëvizje, sa politike dhe e detyruar, po aq dhe taktike dhe e paparashikuar, mundi megjithatë, të shmangë vëmendjen tek hapi i parë dhe i detyruar që duhet të bënte cilado forcë politike në pozicionin e ri të PD-së: analizën e shkaqeve të humbjes së thellë elektorale në zgjedhje. Deri më tani, zyrtarisht një analizë e tillë ka munguar. Vetë Berisha e ka shmangur procesin duke anashkaluar dhe duke thelluar edhe më tej mpirjen politike të PD-së. Ngjan se tre ditët e jetëgjatësisë së çudisë më të madhe shqiptare kanë kaluar prej kohësh dhe deri në shtator kur është premtuar të bëhet një gjë e tillë, analiza, nuk do të ketë më as vlerën dhe as pasojën e pritshme. Duke marrë mbi vete gjithë përgjegjësitë e humbjes dhe duke amnistuar prej saj gjithë aktorët dhe faktorët e tjerë me peshë në PD, Berisha ja doli të ketë fitoren e tij personale: pothuaj askush zyrtarisht, përfshi sidomos dy kandidatët e tij për pasardhës në PD, nuk e bën atë pjesë të humbjes. Por edhe pse zyrtarisht analiza ka munguar, figura të rëndësishme të së djathtës, kryesisht ata që kanë mbetur jashtë Kuvendit të Shqipërisë në këto zgjedhje, kanë dëshmuar të vërtetën e tyre mbi pyetjen e madhe: Pse humbi PD? Kush janë fajtorët? Dhe cili është roli i vetë Berishës në këtë humbje. Disa prej tyre, madje, e vënë atë në qendër të saj.
Revista JAVA ka kontaktuar me disa nga figurat kryesore në PD, Sokol Olldashi e Lulzim Basha, Ilir Rusmajli dhe Enkelejd Alibeaj, ka konsultuar deklarimet publike të Edi Palokës, Leonard Demit e Fatos Hoxhës, Besnik Mustafait, Mark Markut e Dashamir Shehit dhe ka krijuar një mozaik të ideve të tyre që japin përgjigjen “shumë milionëshe”.
Olldashi
Menjëherë mbas përfundimit të fushatës elektorale në të cilën drejtonte qarkun e Fierit, ministri i transporteve nisi një fushatë të dytë. Atë të votimit për kryetar të Partisë Demokratike me premtimin e “vijimësisë” së linjës së fortë të Berishës në parti dhe rikthimin e shpejtë të PD-së në pushtet. Duke konsideruar si kartë të fortë të vetes ngritjen graduale të karrierës së tij vetjake në PD, njohjen e opozitarizmit dhe të qeverisjes, edhe Olldashi nuk ka devijuar nga linja kryesore e gjykimit të së shkuarës së afërt. Përjashton nga përgjegjësia direkte Berishën dhe hedh disa piketa politike për analizën e humbjes. Pretendon se fushata e PD-së “…ishte shumë e mirë dhe ndoshta më e mira që demokratët kanë bërë ndonjëherë” dhe akuzon: “Ka pasur një element që i ka kushtuar PD-së, mosgoditja e LSI-së. Nuk ka qenë vendim i PD-së, nuk qenë strategji e përcaktuar. Mosgoditja e LSI ka qenë një shkak. Ndoshta për zakon elektoral ne u përqëndruam te PS-ja. Nëse i referohemi Kukësit, ku kryetari i bashkisë iku me LSI-në, aty fushata u adresua kundër LSI dhe rezultati i 2009 u mbajt”, thotë Olldashi, i cili ndoshta më shumë se kushdo tjetër po përqëndrohet në sulmet ndaj ish-aleatit të vjetër në qeverisje duke gjykuar se partia e Metës i pa qarrin dhe jo qederin qeverisjës së përbashkët katër vjeçare. Olldashi premton se në rast se zgjidhet në krye të PD-së, do t’i kthejë karakterin e djathtë të kësaj partie, të dëmtuar fort, sipas tij, me kuturisjet e herëpashershme në të majtë të spektrit politik. “Mund të ketë pasur një farë lodhje nga qeverisja, por për mua nuk është votë kundër qeverisjes sonë sepse ne kemi prezantuar bilanc pozitiv. Nuk ka komunë dhe bashki ku ne s’kemi investim madhor. Mandati i parë ka qenë qeverisja më e mirë. Në mandatin e dytë u kompromentuam nga LSI, sepse ministrat e tyre, drejtuesit e tyre, nuk mbanin dot ritmin tonë”, thotë ai.
Edhe kritikët e tij bien dakord që kryetari i bashkisë së Tiranës dhe pretendenti për kreun e PD-së është një makinë elektorale. Kryesisht i referohen dy fushatave të tij, asaj të 2009-ës në qarkun e Elbasanit dhe asaj të dy viteve më pas në garë me Edi Ramën për bashkinë e Tiranës. Tani, në mes të kësaj vere të nxehtë politike ka hyrë në garën e tij të vërtetë për “zemrat” dhe votën e anëtarësisë së demokratëve. Si kartë të tij të fortë, edhe pse nuk e përmend, konsideron perceptimin kryesisht mediatik të afërsisë së tij të veçantë me Berishën dhe faktin se ka mundur njëherë Edi Ramën. Për garën e majit të dy vjetëve më parë, koha ka “zbutur detajet”, mënyrën sesi e fitoi garën në tavolinën e Kolegjit Zgjedhor, por kjo nuk e pengon të thotë: Kush e ka mundur njëherë, e mund sërish kundërshtarin! Edhe Basha është korrekt politikisht me linjën zyrtare të Partisë së tij: analiza e shkaqeve të humbjes së 23 qershorit të bëhet në vjeshtë. Si armë sulmi ka zgjedhur sulm paprerë ndaj maxhorancës së nesërme dhe premtimeve të saj elektorale. Si karrem për votuesit e tij demokratë, nuk i ndahet linjës së vijimësisë: “PD është partia e Sali Berishës, Azem Hajdarit dhe Gramoz Pashkos”. Dy këta të fundit të vdekur, njëri në një atentat përpara selisë së PD-së, tjetri në një zinxhir absurd e fatal aksidentesh në det, në ajër dhe sërish në det. Të dy në ngjallje me një raport dashuri-urrejtje me “pronarin” real të PD-së, Sali Berisha. Për shkaqet dhe përgjegjësit e humbjes, Basha zgjedh të flasë në përgjithësi: “Përgjegjësitë duhet ti marrë secili nga ne, sipas spaletave duke nisur me drejtuesit kryesorë të partisë”. “Përgjegjësia fillon nga gjithësecili prej nesh. Kjo është një mundësi për t’u bashkuar secili prej nesh në këtë familje të madhe. Elementi i parë i reflektimit është që të jemi të gjithë bashkë dhe të mos lejojmë përçarje dhe shpifje që të hyjnë mes nesh. Secili nga ne duhet të pranojë përgjegjësitë e veta”, thotë Basha.
Rusmali
Me emrin e kryetarit të komisionit të ligjeve në Kuvend Ilir Rusmali, këtë verë u prezantuan dy surpriza. E para, vendosja në listën e Tiranës në një pozicion jo fitues dhe e dyta, disa deklarime të tij të drejtpërdrejta pikërisht për tabunë zyrtare në PD: shkaqet e humbjes. “Jam menduar gjatë për ato që kam thënë. Besoj se arsyet janë të shumëfishta dhe se është e domosdoshme që ato të studiohen”, thotë për revistën JAVA Ilir Rusmali. Ish-zëvendëskryeministër e ministër drejtësie, njeriu i fortë i mandatit të parë qeverisës së PD-së, e sheh veten jashtë Kuvendit tashmë, por duke fituar diçka tjetër, lirinë për të folur hapur. Rusmali është i pari që ka folur në lirinë e tij për kryeministrin, pozicionin e tij përballë humbjes dhe liston një sërë arsyesh që “shkaktuan tërmetin elektoral në PD”. “Kryeministri e prezantoi fushatën si betejën e tij personale dhe për këtë shkak, edhe fitorja, edhe humbja kishin vetëm emrin e tij. Kjo është mënyrë sjelljeje, që nuk është çudi të jetë etiketuar nga votuesit si arrogante”, thotë Rusmali, sipas të cilit, Berisha i hartoi listat e kandidatëve jashtë çdo lloj parimësie dhe justifikimi moral, politik dhe ligjor duke futur në to edhe eksponentë të spikatur dhe shumë agresivë të së majtës. Të njëjtën gjë, pa pasur fare nevojë, e bëri dhe me kryetarët e partive të tjera. “Këto veprime mesa duket u lexuan menjëherë nga demokratët si veprime që i hiqnin PD-së së paku 100 mijë vota”, thotë Rusmali.
Alibeaj
Ish-ministri i drejtësisë dhe një nga emrat e spikatur si polemist i të djathtës, Enkelejd Alibeaj, gjithashtu i lënë jashtë dyerve të Kuvendit në këtë sesion, ka bërë analizën e tij për shkaqet e humbjes së zgjedhjeve. “Kam dhënë disa konsiderata të para dhe personale në gjykimin tim politik. Eshtë mendimi im që dy nga shkaqet kryesore duhet të gjenden tek spostimi ideologjik i PD-së dhe tek cilësia jo e mirë e administrimit të pushtetit nga administrata e lartë që përfaqësonte PD-në në të gjitha nivelet”, thotë për revistën JAVA Alibeaj. Ai konsideron se PD është dëmtuar në gjykimin e elektoratit për shkak të marrëdhënieve që vendosi me segmente të së majtës. Madje, aleancën e PD-së me LSI-në në mandatin e dytë të qeverisjes e konsideron si një nga shkaqet kryesore të humbjes. E po kështu, edhe largimi i PD-së nga shtresat tradicionalisht mbështetëse të saj, ish-të përndjekurit, ish-pronarët dhe intelektualët, kanë dhënë sipas tij, një kosto të lartë elektorale për PD-në. Edhe formatimi i kabinetit qeveritar, për Alibeajn ka pasur probleme dhe kosto. “Ministra që kanë qëndruar në kabinet si në mandatin e parë, ashtu dhe në mandatin e dytë ishte diçka që duhej parë me një sy tjetër. “Na ka ndëshkuar edhe cilësia jo shumë pozitive e qeverisjes në atë hapësirë të ministrave, drejtorëve apo dhe niveleve më të ulëta, të qenët të distancuar nga baza e anëtarësisë, madje deri në cilësi jo shumë pozitive të qeverisjes”, thotë Alibeaj.
Paloka, Demi
Edhe Edi Paloka, deputeti tashmë veteran i PD-së, shkon pak a shumë në të njëjtën linjë arsyetimi. Ai konsideron se shkaqet e humbjes fillojnë që nga qëndrimi në kabinetin qeveritar të ministrave për 8 vjet, të cilët e shkëputën së bashku më drejtorët e emëruar prej tyre vëmendjen nga qytetarët dhe militantët. Paloka shënon faktin se kjo jetëgjatësi në postet ministrore solli dhe arrogancë të ministrave deri edhe ndaj deputetëve të maxhorancës, çka do të ishte e tillë, arrogancë, edhe ndaj qytetarëve të thjeshtë. Koalicioni me LSI-në në mandatin e dytë qeverisës dhe formatimi jo i saktë i listave të deputetëve, janë dy arsye të tjera, sipas Palokës që shqiptarët votuan në shumicë kundër partisë së tij.
Më larg nga të gjithë shkon Leonard Demi. Deputet i hershëm i PD-së, i numëruar gjithmonë në listën e qëndrestarëve të kësaj partie në vitet e saj të vështira në opozitë, kësaj rradhe Demi e pa veten jashtë listave të partisë së tij. Në analizën e tij për shkaqet e humbjes së PD-së në këto zgjedhje, Demi konsideron si fajtorë të 12-të drejtuesit e lartë të PD-së që kryesonin listat e PD-së në 12 qarqet e vendit. “Ky qark i mbyllur partiak dhe lokal lindi klane lokale apo më të gjera, të cilat kënaqnin interesat e një grupi të vogël njerëzish të lidhur nga interesa të ngushta vetjake. Mungesa e transparencës së krerëve të grupeve të punës në qarqe ka bërë që të nxitej korrupsion politik…”, thotë Demi. Dhe më pas akuza kryesore: “Partia Demokratike vitet e fundit funksiononte me strategji staliniste”, thotë ai. Edhe pse nuk përmend emër, është e lehtë të mendohet se kush tjetër veç Berishës është arkitekti i kësaj strategjie sovjetike. Një akuzë që deri më tani Berishës i ka ardhur vetëm nga përtej gardhit të tij politik.
Kanë folur dhe figura të tjera të rëndësishme të së djathtës. Besnik Mustafai, Mark Marku janë më të hershëm në kritikat e tyre ndaj PD-së. Një ish-demokrat tjetër i hershëm, kritik i fortë i Berishës në mbi një dekadë e gjysëm dhe tani deputet nga lista e PD-së, Dashamir Shehi thotë se nuk është befasuar nga humbja, por nga përmasa e frikshme e kësaj humbjeje. Fatos Hoxha, deputet i Kukësit i është bashkuar gjithashtu korrit të kritikëve. “…zengjinët e rinj” e nisën mandatin në pushtet duke ngrënë fastfood dhe përfunduan tek “ushqimi molekular”, …e nisën mandatin në pushtet si të “pastrehë” dhe e përfunduan me vila në Shqipëri e gjetkë”, thotë Hoxha.
Ky debat i copëzuar dhe individual, jashtë kontrollit të Berishës, ka prodhuar edhe një realitet të ri. Të ndryshëm nga ai që vetë Berisha po kërkon ta imponojë: analiza për humbjen e PD-së në pushtet ka emra të përveçëm që nisin kryesisht me emrin e tij si të parin në listë.
Partia më e centralizuar në Shqipëri, tashmë në mënyrë të ndrojtur, por të sigurtë, për paradoks, është në një fazë të çuditshme: po demokratizohet. Edhe fjala e lirë apo duke nisur me fjalën e lirë, është një shenjë e parë. E dobët, e brishtë, e paorganizuar dhe jashtë kontrollit të hershëm e të mbi çdogjëshëm të Berishës, ajo tregon se edhe “ëngjëjt” korrektë politikisht apo të zemëruar individualisht, njëlloj si djajtë, nuk mund të mbahen gjithmonë të mbyllur në shishe. Humbja në zgjedhje ishte dhe rënia e kësaj tape e ndoshta thyerja përfundimtare e shishes nga e cila kanë dalë jashtë ëngjëj e djaj. Që për herë të parë tashmë kanë vendosur të flasin. Edhe kaq është shumë për PD-në tradicionale, të drejtuar siç janë drejtuar tradicionalisht partitë komuniste: me ngulm, me diktat dhe me një njësh të pandryshueshëm e të pagabueshëm.
Ishte vote kunder neodiktatures dhe neodiktatorit. Mirepo kur ja thua kete ithtareve te doktorit, kercejne perpjete duke mos e pranuar absolutisht si fakt. Per rrjedhoje ai qe kritikon do te mare mbi vete sharje e fyerje te renda.
Pikerisht edhe kjo kundevenie per mendimin e shprehur ndryshe, eshte pjese e neodiktatures. Ai qe mendon ndryshe eshte armik. Pra, a ishte kjo dikatatura. Kjo e sotmja eshte neodiktatura. Kunder kesaj votoi populli…