Rënia e Republikës së Tranzicionit!

9 Gusht 2013, 11:04Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

 

‘Vera’ politike e tranzicionit

Klisheja se politika është ‘kurvë’ nuk do të thotë se shoqëria duhet ta pranojë si fatalitet cinizmin e alibisë së abuzimit politik 20 vjeçar. Ashtu sikurse ‘vera bëhet edhe nga… rrushi’, politika e mirë bëhet edhe nga… qytetarë të mirë. Sot politika ka vërtet emër të keq dhe me standardin e pritshmërisë ndaj politikanit në degradim, gjithëpranohet se në politikë ‘korbi korbit nuk ia nxjerr sytë’ dhe bën punë veçse i ‘forti’ dhe qytetari servil. Ai që ofendon pa teklif në massmedia, ndeshet si gango në parlament, pështyn dhe lëpin pambarim rivalin, pasurohet si me magji sapo hyn në politikë, rrethohet me ‘trima’ dhe servilë, bën ‘xhylmetin’ me paratë e taksapaguesit, nuk ia bën syri tërr nga akuzat për abuzime, skenare që nuk lënë vend për qytetarin korrekt. Jo vetëm për shkak të paranojës politike se të palarat mund të dalin në shesh, por dhe se vetë ai e refuzon duke e përbuzur ‘lugën e çorbës së prishur’ që politika mëkon duke preferuar vetëmarxhinalizimin apo emigrimin pakthim.

Ky rreth vicioz ‘nuk duan-nuk dua’ i shoqëruar dhe me ‘kapjen’ ligjore të votës, përbën një ndër sfidat kryesore të rilindjes, njëkohësisht dhe një shans të fundit për brezin e politikanëve të tranzicionit dhe vetë ‘Republikën e Tranzicionit’, për të hapur perspektivën e normalitetit demokratik dhe ringjallur besimin tek politika dhe vota e lirë. Ndryshe, njëlloj si me fatin e partive të Andreotit dhe Kraksit në Itali apo zhvillimet në Greqi etj, dështimi i ‘rilindjes’ dhe avazi i ‘vijimësisë’ në PD, bëjnë të pashmangshme risinë në politikë me klasën politike të sotme si pjesë të problemit.

Idealja nuk ekziston, por ndërkohë veç ajo frymëzon për ta tentuar atë, ndaj është në nderin e parlamentit të shtatorit rikthimi me konsensus i solemnitetit të votës së lirë përmes rishikimit të ligjit zgjedhor. Parlamenti duhet të përfaqësojë shoqërinë dhe jo të monopolizohet nga linjat klienteliste në parti dhe kjo mundësohet përmes një ligji zgjedhor që nxit konkurrencën dhe meritokracinë nga ai mazhoritar me dy raunde, STV irlandez etj. Kësisoj, edhe nëse qytetari korrekt nuk bëhet pjesë e politikës, së paku me votën ai arrin ta diktojë atë duke krijuar premisat paskëtaj për vetërregullim të politikës dhe prani të idealistëve në të, qoftë si përfaqësues partiak apo kandidatë të pavarur.

 

Qytetari dhe politikë

Pritshmëritë ndaj qeverisë së‘rilindjes’ janë të larta dhe ngritja dukshëm e stekës së performancës demokratike prej saj do të krijonte precedentë të atillë që asnjë qeverisje e nesërme nuk do të kuturisej t’i shpërfillte më. Pavarësisht se tingëllon interesant fakti që një pjesë e ministrave të ardhshëm kanë studiuar në Amerikë, kjo nuk mund të shërbejë si garanci e meritokracisë në përzgjedhje apo si alibi ndaj gjykimit të performancës së tyre në të ardhmen. Se sa diploma amerikane, ka rëndësi sjellja prej amerikani e politikanit teksa jo rrallë në të kaluarën është spekuluar me ‘ajka’ të stisura dhe pinjollë me diplomim perëndimor që‘garojnë’ jashtë meritokracisë duke u katapultuar për klientelizëm në pozicione kyçe dhe të privilegjuara të piramidës politike dhe shtetërore. ‘Elitë’ kjo, që e pazonja për ta diktuar politikën nga brenda, bën dëm dyfish tek degradon në ‘ambalazh’ mediatik duke u bërë pjesë e farsave që riciklojnë pafund abuzim politik.

Përballë rrezikut të degradimit në ‘vrimë’ të zezë dhe ‘Rrip Gaze’ të demokracisë në rajon, qytetaria, politika dhe deri vetë perëndimi, aq sa janë shkaktarë, po aq janë dhe shansi për të lënë pas rrethin vicioz të abuzimit politik. Kriza e politikës është krizë e qytetarisë dhe abuzimi nga ana e politikës ‘kurvë’ pasuar nga cinizmi i lënies së ‘dobiçit’ në derë qytetarit me spekulimin se ai kaq meriton, domosdon marrjen e ‘kalasë’ nga brenda përmes pjesëmarrjes efektive të qytetarit në politikë si votues racional dhe zë në të. Përmes zhytjes së shoqërisë në dëshpërim (papunësi masive, duart e lidhura me pronën e votën e marrë peng, sipërmarrja e ekspozuar ndaj krimit dhe intimidimi politik etj), politika abuzive stimulon një stil jetese klientelist apo mbijetese që për ironi,tek abuzimi politik nuk sheh shkakun e andrallave por shansin për më tej(!) Një promovim‘kamikazi’ nga poshtë ky i abuzimit të ‘elitës’ politike që në mungesë të ambicies qytetare për reagim, e bën qytetarin ‘bashkëfajtor’ teksa e keqja shndërrohet në normë dhe pranohet si normalitet nga korrupsioni tek zyrtari apo gjyqtari, stili i (mbi)jetesës i bazuar në ‘trafikun’ e ndereve (‘më mirë një mik se një çiflig’), farsa e votës etj.

Përtej vullnetit të politikës së rilindjes që mbetet për t’u parë, është jetike ngritja e pritshmërisë qytetare për t’i dhënë një shtysë më tej opinionit dhe veprimit publik të kompleksuar deri më sot prej intimidimit dhe sindromës ‘nuk ia vlen’. Kjo përmes bashkërendimit të përpjekjeve nga zëra të spikatur tëjetës ekonomike, social-kulturore dhe akademike në vend, OJQ, partnerëve tanë (unike iniciativa ‘VEPRO TANI’ e ambasadës amerikane), media e pavarur etj.

Nga ana tjetër, përtej retorikës ‘na thoni si e doni’ prej ministrave në pritje, ajo ç’ka pritet prej politikës së rilindjes është respektimi i votuesit si (a) përmes qeverisjes së përgjegjshme dhe dhënies fund të pandëshkueshmërisë ashtu dhe (b) çlirimit të votës së lirë dhe pronës legale, që duke e bërë qytetarin zot të fatit të tij, shërbejnë si premisa bazë për vetërregullim demokratik.

 

Metri demokratik perëndimor 

Rol thelbësor në daljen nga rrethi vicioz i abuzimit politik, ka edhe qëndrimi perëndimor. Qasja e deritanishme e ‘getozimit’ të qytetarit me liberalizimin e lëvizjes ‘shumë pak dhe shumë vonë’, ndërkohë që ulet ‘steka’ dhe flirtohet duke e trajtuar si partner politikanin problematik të tranzicionit (ata janë tashmë familjarisht në BE ndërkohë që me vendin jashtë tij, abuzojnë më lehtë), nuk inkurajon qytetarinë dhe politikën e mirë. Për ironi dhe cinizëm, integrimi europian është shndërruar në makth për një shoqëri që shprehet njëzëri pro tij ndërkohë që për vende luftënxitëse deri dje dhe sot me klasë politike problematike dhe sentimente të ndjeshme anti-BE, ‘metri’ tërhiqet (reminishenca këto të gjeopolitikave që thuhet se janë lënë pas). Një qasje kontradiktore kjo e BE që ushqen spekulimin se ndoshta përshpejtimi i integrimit drejt BE vjen, paradoksalisht, nga demonstrimi i prirjes për integrim gjetiu(!) ndërkohë që ajo ç’ka pritet prej BE është vënia pa ekuivok e kufirit tek thana politikës abuzive pa dallim dhe mbështetje e iniciativave qytetare për ndryshim.

Por përtej asaj çfarë ofrohet në perëndim, fillohet nga vetja. Ndërsa afro një milion shqiptarë votuan për normalitet demokratik, afro treçerek të tjerë i dhanë alibinë e radhës politikës së korrupsionit, Gërdecit, 21 janarit, 8 majit, abuzimit buxhetor, shndërrimit të vendit në ‘landfill’ të botës, abuzimit me pronën, provokimit të sovranitetit kombëtar me paktin e kufirit detar etj duke përbërë kësisoj një sfidë madhore për qytetari në politikë. Si ndaj qeverisjes së rilindjes për të mos zhgënjyer ata që e besuan dhe çliruar nga intimidimi politik votuesin pa dallim, ashtu dhe opozitës të së djathtës reale, që duke marxhinalizuar protagonistët dhe praktikat ‘talebane’ të së kaluarës, të garojnë në qytetari në emër të rilindjes pa kthim për të gjithë.

1 komente në “Rënia e Republikës së Tranzicionit!”

  1. ILIRET says:

    A eshte dakort PD, si dhe udheheqesit e saj Berisha dhe Basha, qe tranzicioni i tejzgjatur, te mare fund njehere e pergjithmone, tani qe ne krye te shtetit eshte PS.
    -Jo. Ata do te bejne c’eshte e mundur ta pengojne perparimin e popullit, si dhe realizimin e progamit te PS. Kete e kane shprehur. Bile ata luten, e per kete shohin filxhan dhe dje shkuan edhe ne xhami, qe populli shqiptar ishalla, vdes nen qeverisjen e PS, me qellim qe te kthehet PD, sa me pare ne pushtet.
    -E degjuat myftiun e Shkodres dje. Sikur foli vet Sali Berisha….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje