Informaliteti dhe format e shërimit të tij

19 Gusht 2013, 14:53Blog TEMA

Nga Altin Ketro

 

Një nga plagët më të rënda nga të cilat vuan buxheti i shtetit, është informaliteti në sektorin privat. Kur informaliteti ndërthuret me korrupsionin, atëherë ai kthehet nga plagë, në gangrenë, dhe si e tillë rrezikon seriozisht ekonominë shqiptare.

Një nga format më të përhapura të informalitetit është mosregjistrimi i biznesit pranë organeve tatimore. Si rrjedhojë, kjo sjell mosvjeljen e të ardhurave të cilat, pastaj, ndikojnë drejtpërdrejt në shumë sektorë të ekonomisë.

Cila është arsyeja që shumë biznese të vogla apo të mëdha përpiqen t’i shmangen formalizimit dhe punojnë në të zezë? Një pyetje kjo që mbart brenda saj shumë përgjigje, por le të ndalemi në disa prej tyre.

Më ka rastisur të bashkëbisedoj me një sërë drejtuesish të mikronjësive, të cilët janë shumë të ndërgjegjshëm dhe duan të punojnë të qetë duke derdhur detyrimet karshi shtetit. Por, një nga arsyet që ata parashtrojnë se përse vijojnë të punojnë në të zezë është fakti se administrata aktuale punon, diku me miqësi, diku me ryshfet, e diku me zona të influencës politke.

Në këto kushte, duke mos patur një konkurrencë të ndershme, pra të gjithë të regjistruar dhe sekush të mbijetojë falë rregullave të ekonomisë së lirë të tregut, atëherë, edhe ajo pjesë e shëndoshë që do që të kontribuojë, ndjehet e tradhëtuar dhe përpiqet edhe ajo me mënyrat e saja që të mbijetojë në kushtet e xhunglës.

Gjithashtu, ka patur raste ku janë bërë edhe regjistrime selektive, pra, ka shkuar inspektori i zonës dhe i ka dhënë ultimatum iks-it të regjistrohet në QKR brenda 24 orëve, ndërkohë që ka lënë tjetrin, ngjitur me të, të paregjistruar. Atëherë, ç’do bëjë ky biznes i detyruar të regjistrohet kur rrethohet, për  fatin e keq të tij, edhe me aktivitete të njëjta me të? E vetmja mënyrë e mbijetesës në treg është që të mos deklarojë të ardhurat. Kjo reflektohet në mos shtypjen e kuponin tatimor të kasës fiskale (që mat xhiron ditore, mujore e vjetore) sa herë ka shitje të mallit apo të shërbimit.

A mund të konsiderohet ky një veprim i drejtë? Në kushtet që, po të ishin të gjitha bisneset të regjistruara, ai padyshimim që duhej ndëshkuar për evazion fiskal. Por, kur shumë të tjerë pranë tij as që janë të regjistruar e jo më të presin kupona tatimorë, atëherë ky punëdhënës duhet falënderuar edhe sikur të paguajë qoftë edhe sigurimet shoqërore e shëndetësore për vete a të ndonjë punëmarrësi. Vetëm ai që punon në kushte të tilla të pabarabarta e kupton se sa e vështirë është të fitosh nga biznesi që ke ngritur kur kostoja e mallit dhe e shërbimit të konkurrentëve informalë është shumë herë më e ulët se e jotja.

Sërish lind pyetja, çfarë duhet të bëjë qeveria Rama dhe veçanërisht ministri Cani, sapo të nisin nga puna në shtator?

Padyshim që një nga punët e para duhet të jetë ndërtimi i një administrate, e aftë profesionalisht, e përkushtuar në punë dhe e sjellshme gjatë kryerjes së detyrës.

Ngritja e mekanizmave monitorues dhe kontrollues që zhbëjnë gjithë skemat korruptive të evidentimit të informalëve dhe evazorë fiskalë.

Trajtimi i barabartë i çdo biznesi përballë ligjit, ku miku, familjari, seksesi, partia, militanti, etj., etj., nuk mund të kenë asnjë të drejtë të ndërhyjnë a të bëjnë presion.

Krijimi i një klime të konkurrencës së lirë: të gjithë të regjistruar, të gjithë të pajisur me kasa fiskale, të gjithë të presin kuponat tatimore, si rrjedhojë, të gjithë të respektuar, të gjithë kontributorë në fuqizimin e arkës së shtetit.

Megjithatë, ekziston edhe një dyshim tjetër, i ngulitur tash 23 vjet, që me lekët e mia, të tuat, të tjetrit, abuzohet, vidhet, shpërdorohet.

E vetmja mënyrë për ta zhbërë edhe këtë ngërç që krijohet, është transparenca në mirëadministrimin e fondeve publike, destinacioni i tyre, sasia e parave që ka marrë secili projekt (edhe ky transparent). Të gjitha këto sjellin ndërgjegjësim të biznesit, rrisin besimin te qytetarët dhe si të tilla ndikojnë në rritjen e deklarimit të të ardhurave dhe çdo lloj detyrimi tjetër.

Nuk mund të mos theksohet që e gjithë kjo ndërmarrje do jetë tejet e vështirë, pasi, për fatin tonë të keq, kemi ndërtuar një kulturë të shtrembër tash 23 vjet. Dhe, dy dekada janë shumë që të çrrënjoset menjëherë kjo kulturë e shëmtuar dhe e dëmshme.

Skemave selektive dhe klienteliste që ka ndjekur deri më tani qeveria Berisha duhet t’u vijë fundi. Pas votëbesimit të qeverisë, ministria e Financave duhet të nisë paraprakisht një fushatë nëpërmjet medias së shkruar dhe asaj vizive, për të ndërgjegjësuar bizneset, e vogla e të mëdha, se duhet të bëjnë vetregjistrim brenda një afati të caktuar, p.sh., brenda datës 30 shtator. Po kështu, kjo fushatë t’i ndërgjegjësojë subjektet tatimpaguese që të pajisen me kasa fiskale. Gjithashtu, t’i ndërgjegjësojë si bizneset, ashtu edhe konsumatorin, që të presin kupona dhe t’i kërkojnë ato. Dhe, menjëherë pasi të përfundojë pjesa që i vë në dijeni për atë që ligji parashikon, duhet të nisë puna në terren për evidentimin dhe goditjen shumë fort të çdo lloj forme informaliteti dhe shmangie nga detyrimet.

Veçse kjo punë s’duhet bërë me hope, por duhet të jetë e pandërprerë, gjatë 1460 ditëve të mandatit qeverisës dhe përtej 8 orëshit zyrtar të punës. Vetëm kështu mund të fitohet beteja për të vënë rregull ndër biznese dhe për të shëndoshur financat publike, pse jo, për t’i bërë të qartë edhe vetë shqiptarëve se ku ndryshon Rilindja e premtuar nga Rrënimi i ndëshkuar.

1 komente në “Informaliteti dhe format e shërimit të tij”

  1. Roman says:

    Autori i shkrimit ka ditur te analizoje ose te pershtase sic duhet (titulli i artikullit duket sikur eshte marre kallep nga ndonje liber) nje problem shqetesues, kuptimi dhe zbatimi sa me efikas i ideve te parashtruara do te conte padyshim ne fuqizimin e arkes se shtetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje