Autogolat e RD-së

20 Gusht 2013, 10:54Blog TEMA

Nga Altin Ketro

 

Të dielën e shkuar, Edi Rama qe i ftuar nga Igli Tare, i cili mban detyrën e Drejtorit sportiv te ekipi italian i Serisë A Lacio, për të qenë i pranishëm në stadiumin “Olimpiko” për të ndjekur ndeshjen e superkupës së Italisë të zhvilluar ndërmjet skuadrave të Juventusit dhe Lacios.

Dihet miqësia e kahershme e Edit me Iglin, bile ky i fundit ka qenë gjatë fushatës elektorale 2013, një ndër mbështetësit e Ramës dhe PS-së me spot televiziv. Deri në këtë pikë nuk ka asgjë të keqe, biles duhet të jemi krenarë që një bashkëkombasi ynë ka ecur kaq lart në karrierën e vet brenda kuadrit sportiv, si askush tjetër në llojin e tij.

Mirëpo, kjo ka xhelozuar disa të marrë këtu në Tiranë. Në fakt, në kësi rastesh ata duhen injoruar dhe as që duhen përmendur, por duke ditur që do të jenë opozita e nesërme e qeverisë Rama, s’mund të lihen pa u analizuar mbi mënyrën se si do ta bëjnë opozicionin.

Le të vijmë tani më në brendësi të problemit.

Gazeta e PD-së, RD-ja, ndonëse është ende gazetë pushteti, ka filluar qysh tani të ndërmarrë një varg sulmesh karshi kryeministrit të ardhshëm Edi Rama. Më i fundit shkrim, që ndërthurte qesharaken me marrëzinë, ashtu siç është edhe vetë kupola drejtuese e PD-së, qe një akuzë e drejtpërdrejt për Ramën se ai, pra Rama, tashmë është oligarku i fshehtë i Lacios. Me oligark, RD-ja nënkuptonte të qënurit aksioner në këtë skuadër, nga ata që Presidentin aktual, Lotito, e kanë vënë sa për sy e faqe, por që nën rrogoz gurët i lëvizin të tjerët, midis tyre, edhe Rama.

Në fakt, artikullshkruesi, na jep një paralelizëm shumë të mirë në këtë rast. Kështu, kemi mundësinë që në vend të presidentit lacial Lotito, të shohim Nishanin ose Bashën, kurse në vend të Ramës, atë pra, Berishën. Autogol? Pse jo!

Shkojmë më tej. Gazeta vijonte paralelizmat duke përmendur edhe oligarkun Abramoviç i cili, sipas RD-së, shpenzon milonat e fituara nga kaosi në Rusi, për të financuar ekipe si Çelësi.

Dihet se oligarku Abramoviç pasurinë e tij e ka fituar nga fushat naftëmbajtëse të Rusisë. Aludimi është i qartë, kryeministri i ardhshëm Rama, nëpërmjet naftës shqiptare do të shtrijë tentakulat e tij drejt futbollit. Po cili ka qenë këto vite “oligarku” shqiptar i naftës që ka dashur të blejë ekipin italian të Bolonjës apo atë spanjoll të Malagës? Me cilën Familje ka pas qenë i lidhur ky “oligark”? Sërish autogol? Sigurisht që po!

Më tej, gazeta, e cila kish “ndjekur” çdo lëvizje e gjestikulacion të Ramës në tribunën  e stadiumit, shkruan: “E çuditshme, Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë qëndronte pranë Presidentit të Lacios, Lotito si dhe Drejtorit Teknik, Tare. Akoma dhe më e çuditshme, që ky Kryeministër i ardhshëm, i cili nuk ka parë asnjë finale në Shqipëri udhëtonte në drejtim të stadiumit “Olimpiko” për të parë një finale italiane. I veshur me një këmishë me lule, alla Rama, Kryeministri i ardhshëm qëndronte i ulur vetëm pak poltrona larg edhe Drejtorit Teknik të Juventusit, Marrota. Ndonëse ndodhej më pranë kampit juventin, se atij lacial në tribunë, ajo që dallonte tek Rama ishte zymtësia me të cilën shoqëronte golat e njëpasnjëshëm të Juventusit, i cili e shkatërroi Lacion në këtë finale duke fituar 4-0.”

Rama njihet që është përkrahës i skuadrës së Juventusit. Por, gazeta na e përshkruan si të “nxirë” në fytyrë sa herë skuadra e zemrës e Ramës shënon në portën e Lacios!! Në këtë rast, gazeta donte të na tregonte se meqënëse Rama është “aksioner” te Lacio, ai s’mund ta përtypte dot këtë humbje. Atëherë ne arrijmë në konkluzionin se Rama, si aksioner i Lacios, duhet të ndërmarrë hapa ndëshkues ndaj skuadrës që e financon. Kështu, portierit Berisha, i cili pësoi katër “petlla” nga juventusi, si dhe mbrojtësit Imami, që lejoi sulmin kundërshtar të shkojë pranë portës deri në finalizmin, duhet t’u hapet një proces gjyqësor me akuza që nisin nga trukim i ndeshjes, deri në sabotim të saj për të ulur vlerat historike të ekipit lacial. Më pas, Rama duhet të vijojë ndëshkimet edhe me pjesë të tjera të skuadrës, mesfushën dhe sulmin, që nuk bënë aq sa duhet për të përmbysur rezultatin…

Përtej marrëzive dhe artikujve qesharakë që ka ndërmarrë kohët e fundit gazeta zyrtare e PD-së, ajo çka duhet të na shqetësojë është forma e përmbajtjes që ajo ka gjetur: trrillime haluçinante nga mungesa e konsumimin të haloperidolit. Nuk është çudi që këto lloj marrëzish ta shoqërojnë Ramën dhe ekipin e tij përgjatë katër viteve të qeverisjes.

Kjo formë e të bërin opozitë, nuk është thjesht se dëmton imazhin e zgërlaqur të kësaj mazhorance në ikje. Por, ajo le të shërbejë si një këmbanë alarmi për qeveritarët e ardhshëm, të cilët duhet ta dinë se kur për Berishën qimja inekzistente bëhet tra, po nëse trau do të qe i vërtetë, çfarë do mund të bëhej ai?

P.S. Gazeta RD ishte munduar që burimin e informacionit për kryeshkrimin e vet të faqes së parë me titull: “Edi Rama, oligarku i fshehtë i Lacios”, të merrte nga gazeta “Ekspres”. U mundova ta gjej në web këtë gazetë, pra “Ekspres”, por nuk hasa asnjë gazetë të tillë. E përpoqa se mos e gjeja te e ngjashmja e saj kosovare “Express”, por as aty s’ksih asnjë të dhënë mbi këtë shkrim. S’di ç’të them më tepër…  

5 komente në “Autogolat e RD-së”

  1. Lex Rex says:

    Shkrimi eshte shkruar nga nje fare Dori Tile (???) dhe duket i stisur. Megjithate, ekziston ne web gazeta qe Ketro nuk e ka gjetur dot express.al

    http://ekspres.al/index.php?option=com_content&view=article&id=9037:rama-aksioner-tek-lacio-lidhjet-e-biznesit-me-taren-dyshim-per-pastrim&catid=112:lajme-kryes

    1. Lex Rex says:

      P.S. Ketro ia fut kot per Berishen dhe Imamin pasi ata nuk luajten te dielen

  2. rapatushi says:

    Edhe RD sikurse 55 jane katandisur prej kohesh ne leter higjenike te sterperdorur,

  3. shqiptar says:

    kehtu eshte kur gazetat merren vetem me shpifje

  4. Gjergji says:

    Pervoja ben te veten. Sipas parimit : Genje,genje,se dicka do te mbetet, eshte filluar nga puna.
    Pavaresisht se kryeminisrti i ardheshem akoma nuk e ka mare detyren, i kerkohet llogari per mos mbajtje te premtimeve.
    Zot na rruaj nga idiotizma te tilla.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje