Abuzimet me librin shkollor dhe arroganca e papërballueshme e pushtetit

19 Gusht 2013, 18:20Blog TEMA

Nga Antoneta Mëhilli*

Shqipëria mbetet ndoshta i vetmi vend në botë ku edhe librat shkollorë shpërndahen sipas lidhjeve klienteliste nga militantët partiakë. Shpërndarja e librit shkollor ka qenë prej vitesh viktimë e klientelizmit, lidhjeve politike, dhe mungesës totale të transparencës. Vazhdimisht botuesit janë ankuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka favorizuar shtëpi botuese të caktuara në lidhjen e kontratave me bazë marrëdhënie klienteliste. Librarët, të cilët janë shumë të interesuar që procesi i shpërndarjes së librit shkollor të normalizohet përfundimisht, mbeten në mëshirën e këtyre burokratëve të kapur. Ndërsa nxënësit dhe qytetarët mbeten viktima të një sistemi korruptiv ku mungon transparenca, përgjegjësia, dhe konkurenca e ndershme.

Pas problemeve të shumta me shpërndarjen e librit shkollor, librarët e Tiranës u thirrën nga MASH disa vjetë më parë, dhe u informuan se librat do të shpërndaheshin në librari për të evituar ngjarjet skandaloze nëpër shkolla. Edhe kjo masë u ndryshua, dhe librarëve iu dha e drejta të shpërndanin librin shkollor në ambjentet e shkollave, me motivacionin se kështu do të evitoheshin rradhët e gjata nëpër libraritë e kryeqytetit. Librarët, të thirrur nga MASH-i dhe të pajisur me liçensë, filluan të shpërndanin nëpër shkolla, edhe pse vështirësitë ishin të shumta.

Deri vjet, procesi i shpërndarjes së librave vazhdoi nëpër shkolla, dhe pati një përmirësim të gjendjes në krahasim me vitet e mëparshme. Mirëpo nuk ishte e thënë që të vazhdohej kështu. Në rrethana të paqarta, MASH-i i kalon listën e librarëve me të drejtë shitje të librit shkollor një kompanie private – Mediaprint – e përfolur për lidhje me pushtetin. Në asnjë dokument publik të MASH-it nuk shpjegohet kjo procedurë, as arsyeja apo mënyra e zgjedhjes së kësaj kompanie. Një “Udhëzim” Nr. 16, dt. 24.07.2012, shpjegon në mënyrë të përgjithshme shpërndarjen por nuk jep asnjë shpjegim të mëtejshëm. Edhe në dokumentacionin “Altertekst 2013-2014”, pika 7, nënpika j specifikon se shtëpitë botuese marrin përsipër shpërndarjen e teksteve dhe shitjen nëpër shkolla. Asnjë sqarim për ndonjë kontratë të lidhur me Mediaprint-in apo mënyrën e monitorimit të përzgjedhjes së librarive. Kush i monitoron këto kontra
ta? Kush merret me konfliktet e interesit midis kompanive private qe vendosin per shpërndarjen e një malli me interes publik? Në paketën e vjetër “Altertekst 2010-2011” të paktën thuhej se MASH nuk duhej te kishte lidhje të drejtpërdrejta apo të tërthorta me botuesit. Në paketën e sivjetshme, kjo klauzolë mungon fare. Askush nuk përgjigjet apo mban përgjegjësi.

Me të marrë listat e librarive të autorizuara me shitjen e librit shkollor, Mediaprint u heq librarive këtë drejtë sipas dëshirës, pa dhënë asnjë shpjegim të arsyeshëm. Pra, iu hiqet e drejta e shpërndarjes së librit shkollor librarëve me liçensa dhe u jepet personave të paliçensuar. Lidhjet politike dhe klienteliste, siç duket, janë më të rëndësishme se biznesi i ndershëm dhe kualifikimi profesional. Asnjë detaj për këto ndryshime; asnjë transparencë. Një kompani private vendos me arrogancë për një mall me interes publik. E pyetur për këto parregullsi, kompania pretendon se ka marrëveshje me botues të tjerë, ndërsa botuesit e tjerë e mohojnë këtë gjë.

As në MASH, librarët nuk gjejnë përgjigje. Z. Jovan Kristiqi, këshilltar i ministrit të Arsimit, deklaron se ministria nuk merret fare me shpërndarjen e librit, edhe pse është detyrë e MASH-it të vendosë rregullat për librin shkollor. A ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë z. Kristiqi me kompaninë private Mediaprint? A është bërë ndonjë transparencë në mënyrën e dhënies të së drejtës për shpërndarjen e librit? Si është e mundur që një kompani e cilësuar nga shumë librarë si “kompani e qeverisë” bën ligjin në shpërndarjen e librit shkollor, pa asnjë lloj përgjegjësie ndaj askujt? A është normale që për librin shkollor – një mall me interes publik, në shërbim të edukimit dhe qytetarit taksapagues – të lidhen marrëveshje të dyshimta e jo-transparente nën petkun e arrogancës së pushtetit?

*Pronare e librarisë ETA

5 komente në “Abuzimet me librin shkollor dhe arroganca e papërballueshme e pushtetit”

  1. el says:

    Antoneta mikesha Lul Bashes, ithtare e Sali Berishes dhe bashkepunetore eeeeeee

    si ka mundesi qe shkruan tek mero Baze qe ka vjelle vrer per vite te tera kunder tij??

    Cfar po ndodh o MIlet!!!

    Ke te besoj e ke te mos besoj. Te gjithe njerezit me duken se ecin me koke poshte.

  2. bledi says:

    Bravo te qofte antonete,cdo gje e kishe analizuar shume ha
    hollesisht dhe cdo gje eshte e vertete .
    Ne kemi detyre te paguajme,e te paguajme licensen dhe shitjen ta beje drejtori.
    Pse duhet ti shese drejtori?
    Sepse drejtorit na i takon sepse ne kohen e perzgjedhjes se alterteksit ai na e ka be listen cfare ka libra Zotri Mediaprinti dhe tani erdhi koha ta shperblejme .
    Plus veshtirsive qe ka nje librari shtohet edhe shtypja e shtetit .

  3. e/l says:

    Hajd se ka fitu i biri ANNtonetes me Nasip Nacon e me Lulen e Bashkise, po nuk ngopet. Ato qe vjedh vete i vijne te mira, kur perfitojne te tjeret i del shkume nga goja.

    1. per e/l says:

      O anonim interneti, per temen ne fjale ke ndonje mendim / verejtje? Cfare s’eshte e vertete aty? Ke fakte qe e kundershtojne? S’ke. Apo mos je gje vete i kapur me keta te Mediaprintit? Nejse, vazhdo te nxjerresh vrrer ne anonimatin tend prej funderrine interneti.

  4. sociologu says:

    gjithe parate e librave shkollore i grabiti fari balliu,orgjentisht ti sekustrohet gjithe pasuria ketij pushti koke derr.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje