Shumë zhurmë mediatike kanë ngjallur tre vendimet e para të qeverisë “Rama”. Ato po komentohen si nga politikanët ashtu dhe analistët e shtypit. Dhe, vendimi më i komentuar rezulton ai për heqjen e portretit të Presidentit të Republikës nga Ceremoniali shtetëror dhe zëvendësimin me portretin e Babait të Themelimit të Shtetit, Ismail Qemal bej Vlorës.
Në fakt, këto tri vendime unë i pashë si simbolikë e mbledhjes së parë të qeverisë, si për të thënë që qeveria “Rama” nisi nga puna. Për të tepër, dhe kjo është shumë e rëndësishme për t’u theksuar, dy nga këto tri vendime kanë qenë premtime solemne paralektorale të Ramës, të thëna nëpër sheshe dhe studio televizive. Fundja, arkivat aty janë dhe secili televizion ka mundësinë t’i ritransmetojë në çdo kohë.
Premtimi i Ramës se heqja e e nenit përkatës që lejon importimin e plehrave nga jashtë do ishte pjesë e paketës 100 ditore të qeverisë, ashtu dhe premtimi se portreti që do përfaqësojë shtetin shqiptar pas 23 qershorit do të jetë ai i Ismail Qemalit, tashmë mund të quhen të mbajtura. Nuk kuptohet se përse i kërkohet llogari Ramës se mbajti një premtim. Aq më tepër, të votuar nga elektorati.
Sinqeriteti i një politikani është kur një veprim që kryen e ka pas thënë para se votuesit të shkojnë përpara kutisë së votimit. Sepse, në të shkuarën, janë marrë vendime të dëmshme të cilat kurrë s’ishin thënë në prag fushate. Dhe këto lloj vendimesh, në vetvete, mund të quhen vendime hileqare.
Pse zotërinjtë e “shqetësuar” nuk ia bënë me dije Ramës çështjen e portretit përfaqësues në momentin kur ai e shfaqi në fillim? Bile, as vetë Presidenti, protagonisti rreth të cilit po diskutohet, as që e denoncoi në atë kohë.
Në vend që Rama të përgëzohet që nuk e anashkaloi premtimin e tij, i thuhet se përse e mbajtje premtimin. Ky është thjesht një absurditet si argument dhe kërkon ta shfokusojë problematikën e vërtetë që ka Shqipëria dhe krejt shoqëria shqiptare në çështje pa pikë rëndësie.
Presidenti po e trajton këtë si diçka shumë serioze, ku Ai dhe disa të tjerë nga ish- partia e tij po e quajnë edhe shkelje të Kushtetutës. Në këtë argument ata i përbashkon një nen i saj ku thuhet se Presidenti përfaqëson unitetin e popullit. Në fakt, në kushtet se si zgjidhet tek ne Presidenti i Republikës, sidomos pas ndryshimeve kushtetuese ku ai zgjidhet me shumicë të thjeshtë nga vetëm njëra parti, ai s’përfaqëson kurrkund asnjë lloj uniteti. Ah po, unitetin brenda njërës parti që e ka zgjedhur edhe e përfaqëson. Çfarë uniteti mund të presësh nga një President i cili qysh nga zgjedhja e tij e deri më sot s’i ka thënë asnjëherë NDAL veprimeve arrogante të qeverisë që iku? S’po them për shumë të tjera, por vetëm rastin e SHQUP-it të marrim ku, të paktën, si ish- ushtarak që ka qenë, duhet të ishte ai barrikada e parë që s’duhet ta linte tjetërsimin e destinacionit të saj. Për më tepër, kur as vetë Shefi i Shtabit s’qe dakord. E pra, është e kotë të luhet me lojë fjalësh rreth Kushtetutës. Sepse, në fund të fundit, duhet të jetë Presidenti që duhet të shkojë te fryma e Kushtetutës dhe jo e kundërta. Dhe ai deri më sot s’e ka bërë një gjë të tillë.
E gjithë kjo tymnajë që po ngrihet, siç thashë edhe më lart, ka për qëllim që të errësojë detyrat e shumta që e presin qeverinë “Rama”. Kësisoj, aktorët që po e mbajnë ndezur këtë “luftë” le ta vazhdojnë atë me mullinjtë e erës se mbase ia dalin, siç ia doli edhe Don Kishoti.
Ajo që do i sugjeroja unë qeverisë është diçka tjetër, një vendimmarrje që asnjë prej këtyre analistëve që po iu djeg zemra për fytyrën në kornizë, nuk iu dogj ajo kur qeveria e ikur merrte vendime edhe pse populli me votë u kishte thënë: Shporruni!
Bëhet fjalë për vendimmarrjet në prag të zgjedhjeve dhe pas përfundimit të tyre. Është koha që qeveria “Rama” të propozojë një ligj ku të ndalohet, të paktën 3 muaj përpara zgjedhjeve, çdo marrje vendimi nga Këshilli i Ministrave dhe secili ministër, që ka të bëjë me koncesione, privatizime, shitje asetesh, pra e përmbledhur, çdo gjë që përbën pasuri kombëtare. Dhe, pas zgjedhjeve, nëse partia që ka qeverisur humb zgjedhjet, të mos ketë asnjë lloj të drejte të marrëve vendime të çfarëdolloji, përveç atyre që kanë të bëjnë me ruajtjen e parametrave të funksionimit të shtetit deri në dorëzimin e çelësave pasardhësve.
Sot mund të themi se kemi një qeveri të përgjegjshme që besojmë se s’do e ketë babëzinë e asaj që lamë pas; kemi edhe precedentë pozitiv po nga një qeveria e majtë, qeveria “Nano”, që nuk ndërmori aventura të tilla, por s’mund të përjashtohet se në një të ardhme do vijë në pushtet ndonjë lider që ka ende mbeturina të mentalitetit berishist. Dhe, për të mos përsëritur praktika negative që i kemi kaluar tashmë mbi kurriz, le të jetë ky një shembull që qeveria “Rama” e ndërmerr qysh tani si një garanci se modelet që i ndëshkuam me votë s’do na rikthehen më.
JU LUTEM,
MOS E PERDHOSNI FIGUREN E IS QEMALIT ME KETE SHARLATAN!
http://ow.ly/p1PzG
Per vendosjen e portretit te presidentit nuk ka asgje ne kushtetute.
Eshte nje vendim i qeverise Nano me 2004. Por atehere zgjedhja e presidentit behej me dy te tretat e deputeteve.
Keshtu qe nje vendim qeverie, mund te ndryshohet pa problem me nje vendim tjeter qeverie. As qe behet fjale per shkelje ligji.
Ismail Qemali eshte tamam perfaqesues i unitetit te kombit. Kombi shqiptar perfshin shqiptaret ne Shqiperi, ne Kosove, ne Maqedoni, Mal te Zi etj.
Keshtuqe ne nuk duhet te mbajme ne zyra, Nishanin, Jahjagen, Presidentin e Maqedonise, apo Presidentin e Malit te Zi. Sepse edhe ata perfaqesojne pjese te popullit shqiptar.
Ndersa Ismail Qemali, i perfaqeson unitetin e gjithe shqiptareve, kudo qe ndodhen…
Ismail Bej Vlora asht nji mal i larte.
Mos me nishana.. kot dordolec politik