Një rrëfim dhe vrojtim se si nacionalizmi serb dhe ai shqiptar kanë të njëjtat qëndrime dhe sjellje në përgjithësi dhe konkretisht të njëjtat qëndrime dhe sjellje ndaj shkrimtarëve e intelektualëve të cilët nuk e mbështesin dhe përbëjnë ‘shpirtësinë’ përkatëse; si dhe mendime të tjera mbi luftën
Tomislav Markoviq është poet, serb. Së shpejti do të botohet edhe në shqip, në përkthimin e Fadil Bajrajt.
Për një javë të tërë e ndamë një apartament në Sarajevë, në rezidencën e Tradukit dhe PEN-it të Bosnjës, jo vetëm si një serb dhe një shqiptar, por mbi të gjitha si dy poetë. Si dy poetë që për më tepër kohëve të fundit kishim pasur, në të njëjtën kohë, çfarë rastësie, telashe të caktuara në atdhetë tonë, për shkak të mendimeve tona. Ai më shumë se unë. Por jo pse atdheu i tij është më kafshëror se imi. Është thjesht, mendoj, çështje rastësie. Të gjithë atdhetë janë kafshërorë, në mënyrën e tyre, edhe për poetët dhe intelektualët në përgjithësi. Aq kafshëror, mbase tani edhe kemi një prirje bukur egoistike ta themi këtë, sa të njollosin, të përbuzin, të përqeshin, të poshtërojnë, të përndjekin, të keqtrajtojnë, të thyejnë, të burgosin, të internojnë dhe në fund tamam të vrasin. Shembujt nga historia janë të panumërt, ama në këtë rast ne na intereson ai i Tomës.
I jam lutur Tomës të ma rrëfejë me pak fjalë se çka, si dhe pse i ka ndodhur. Ja edhe rrëfimi i tij: “Poezia ime ‘Shpirtësia serbe’ fillimisht doli në faqen e parë të web faqes intermagazin.rs (pa impresum, por në pronësi të Radomir Dmitroviqit, luftënxitës prej viteve të 90-ta dhe tani kryeredaktor i të përditshmes ‘Večernje novosti’). Me foton time nën të cilën shkruante >Ky është Tomislav Markoviç<, si thirrje troç për linçim dhe transkriptin e poezisë së specifikuar, u publikua edhe një tekst i panënshkruar me titullin: >Nëse nuk e dini se si duket urrejtja më e tmerrshme kundrejt serbëve, ja ku e keni rastin ta shihni dhe la lexoni<, në të cilin shkruhej se >Kjo “poezi” e Tomislav Markoviqit thërret në shkatërrimin e popullit serb, ky është një fjalim motivues përpara fillimit të një gjenocidi, kjo është amnisti për secilin që vendos të vrasë serbë<.
Pastaj komentuesit nisën të më quajnë tradhtar, psikopat, të çmendur, maniak që e urren popullin e vet, filluan të më kërcënojnë me dëbim, me gjymtim, me therje, shkulje të gjuhës, vrasje. Atë tekst e publikuan edhe “webfaqet e tjera patriotike”, te të cilat edhe më shumë shpërtheu urrejtja dhe thirrja për vrasje. Shumë shpejt në adresën e e-novine-s(portali ku punon Toma – vrj. ime) filluan të arrijnë kërcënime, të cilat rregullisht i botonim. Tirada zgjati me ditë të tëra dhe unë ndihesha si një kafshë e persekutuar dhe isha i sigurt vetëm se isha në një hapësirë të mbyllur.
E gjithë kjo për shkak të një poezie, që merret kryesisht me faktet dhe lidhjet që ekzistojnë ndërmjet të të ashtuquajturës ‘shpirtësi serbe’ dhe krimeve të luftës që u kryen nga ushtria dhe policia serbe në Bosnjë, Kosovë dhe Kroaci.
Të djathtët e kuptuan këtë poezi si: >Ti thua që disa serbë janë kriminelë, ne jemi serbë dhe mendojmë se kjo që thua ti është fyerje për të gjithë serbët, prandaj do të të vrasim që të dëshmojmë se nuk jemi vrasës<.
Në lidhje me rastin tim, fillimisht u prononcua Shoqata e gazetarëve të Serbisë dhe pastaj në redaksinë tonë erdhën policia për t’u interesuar në lidhje me rastin. Është interesante se elita kulturore nuk reagoi në këtë tiradë të drejtuar kundër një poezie, lirisë së fjalës dhe të të shprehurit.
Nuk reaguan as institucionet që në përshkrimin e punës së vet, dhe mos të them, në arsyen e ekzistimit e kanë denoncimin e rasteve të tilla, sikur PEN qendra dhe shoqatat e shkrimtarëve. Të vetmit që u prononcuan ishin disa shkrimtarë, që shkruan tekste në mbrojtjen time dhe disa gazetarë të Serbisë dhe të rajonit që më morën në intervistë«.
Poezia ‘Shpirtësia serbe’, një satirë e mahnitshme, është e ndërtuar në dhjetë strofa, me gjithsej 54 vargje. Në të mësojmë se »Shpirtësia serbe« është »mbretëria shtazore«, »e pastër etnikisht«, »ku gjithmonë luftohet«, me fjalë të tjera, vendi prej nga aq shpesh fqinjëve iu kanë ardhur dhjetëra lufta të përgjakshme, që kanë rezultuar me miliona viktima. E gjithë kjo ka bërë vaki mbi të gjitha falë asaj »shpirtësie serbe« që »përgjon« mbi qytetarët e vet si »bombë e kurdisur që pret dakikun e vet«. E se kur do të shpërthejë, atë e dinë sall»etërit e kombit«, të cilët nuk kanë lënë rast, kohë as vend pa ua punuar të gjitha të zezat jo vetëm fqinjëve, por edhe vetë qytetarëve të vet. E sidomos fqinjëve, prandaj (gjithnjë në përkthimin e Bajrajt): »Shpirtësia serbe dëgjohet nga Kosova. / Kutërbon në mish të djegur njeriu. / Të cilit në mënyrë drastike i ka rënë çmimi, / nuk shërben më as si mjet për allishverishe. / Shpirtësia serbe është autobus që i bart të burgosurit / për t’i ekzekutuar në Potoçar. / Është kamion frigorifer cit më cit me kufoma shqiptare. / Tren, i ndaluar në Shtrpce. /Buldozer që zhvendos mbetjet e trupave njerëzor. / Shpirtësia serbe është gjithmonë në lëvizje«.
‘Shpirtësinë serbe’ e ndërtojnë dhe e përbëjnë, »në lëvizje të përhershme« heronjtë e kombit (sidomos e gjithsesi ata që të tjerët i konsiderojnë ndër kriminelët më të pështirë që ka njohur bota); elitat intelektuale, fetare dhe ushtarake. Në të vërtetë, e ndërton dhe e përbën në njëfarë mënyre edhe vetë masa (ashtu siç secila masë e vendeve fqinje e ndërton dhe përbën ‘shpirtësinë’ përkatëse: masa shqiptare ‘shpirtësinë shqiptare’, masa kroate ‘shpirtësinë kroate’, masa maqedonase ‘shpirtësinë maqedonase’, etj.).
E pamë se në rastin e Tomës është pikërisht kjo lloj turme e ‘shpirtësisë’, e nxitur dhe e mbështetur nga intelektualë e media (kujtojeni ‘masën e ndërsyer’ që kryen ekzekutimin kolektiv, të trajtuar nga Canetti në ‘Masa dhe pushteti’), e cila kërkon të ndëshkojë, në mënyrën e vet, deri edhe me linçim, dikë që guxon të vër në dyshim të mirën dhe domosdoshmërinë e asaj shpirtësie, “dhjetë urdhëresat”, të përcaktuar nga vetë ata, në mënyrë arbitrare dhe natyrisht kafshërore. Aq më tepër nëse ai është poet.
Ngase, sipas bindjeve të asaj turme, poetët e vërtetë, e për këtë ka shembuj sa të doni, e përbëjnë dhe njëkohësisht ushqejnë atë shpirtësi, ata janë etër dhe bij të saj në të njëjtën kohë. Poeti duhet ta mbrojë shpirtësinë. Ai nuk mund ta thotë të vërtetën, ta zëmë, se ‘shpirtësia serbe’ i ka keqtrajtuar, poshtëruar, burgosur dhe vrarë shqiptarët e Kosovës. Sipas ‘shpirtësisë serbe’, zyrtarisht ka ndodhur e kundërta. Janë të tjerët, përfshirë shqiptarët, ata që ndër shekuj kanë keqtrajtuar e vrarë serbët, popullin e përvuajtur dhe engjëllor. Po nuk e mbrojti këtë qëndrim zyrtar poeti, vaj halli për të! Atë ‘shpirtësi’ që në të vërtetë, siç do të na thoshte ne të tjerëve edhe instinkti i zanatit i Pasolinit, nuk është asgjë më shumë se një barbari.
E ironia e gjithë kësaj është se pjesëtari i asaj turme fanatike të ‘shpirtësisë’ është aq injorant sa as nuk e merr mundin as nuk di të ulet ta lexojë tekstin në fjalë a një tekst çfarëdo dhe të diskutojë në lidhje me të. Si një kafshë e rëndomtë e grigjës, pa mendim dhe identitet, shkon verbërisht dhe tragjikisht kah e çon bariu i degjeneruar.
Sikurse për poezinë e Tomës për të cilën kundërshtarët e tij, nacionalistë e luftënxitës të njohur, bandë e ‘shpirtësisë serbe’, që thonë se është “poezi”, njashtu edhe për mua, ta zëmë, Kryetari i Parlamentit të Kosovës, doktor shkence në Histori, njëri nga trilluesit më qesharak të ‘shpirtësisë shqiptare’, thotë se jam “shkrimtar” dhe “intelektual”.
Sikurse “poezia” e Tomës që »është amnisti për secilin që vendos të vrasë serbë« dhe vetë Toma që për ‘shpirtësinë serbe’ është është »tradhtar, psikopat, i çmendur, maniak që e urren popullin e vet«, etj, po njashtu edhe unë jam për ‘shpirtësinë shqiptare’ »“shkrimtar” dhe “intelektual” që hesht krimet serbe, njollos heronjtë e luftës, tradhtar, udbash, i paguar nga UDB dhe KGB, skizofren, monstër, me të meta fizike e mendore, zvarranik, zhapi, etj.«.
Sikurse poezia e Tomës që merret dhe editohet nëpër portale bashkë me fotografinë e autorit për t’u bërë shënjestër e ‘shpirtësisë serbe’, njashtu edhe unë u bëra shënjestër linçimi, për shkak të mendimit tim, e hapur dhe e njohur e televizonit publik, mediave e portaleve të ndryshme jo vetëm në Kosovë.
Nacionalistët serbë dhe nacionalistët shqiptarë nuk kanë kurrëfarë dallimi në mënyrën e të menduarit (nëse mendojnë), në qëndrimet dhe sjelljet e tyre. Qofshin ata politikanë, sportistë, adhurues sporti, poetë, këngëtarë, qytetarë të zakonshëm. Sikur aksidentaliteti të mos e kishte dashur t’i përkisnin njëra palë një gjuhe, etnie e religjoni të caktuar e pala tjetër një tjetre, fare lehtë dhe krejt mrekullisht do t’i përkisnin së njëjtës palë në gjah për një palë tjetër për ta luftuar pamëshirshëm. Ne zakonisht e pranojmë se ka një vëllazërim të kënaqshëm mes mafies serbe dhe asaj shqiptare, ama në të vërtetë unë mendoj se ajo vëllazëri është më e parëndësishmja në hierarkinë e vëllazërive. Kjo e nacionalizmit është më esencialja. Për të njëjtat arsye pse nacionalistët serbë i urrejnë shqiptarët, për të njëjtat arsye nacionalistët shqiptarë i urrejnë serbët.
Pikërisht për këtë kasapiten mes vete si kafshët. E natyrisht, në këtë etje të pashuar të tyre për gjak, më së shumti e pësojnë të pafajshmit. Gjithmonë ka qenë kështu, e kemi frikë se prapë po kështu do të mbetet.
Për shembull, lëvizjet e fundit radikale serbe kanë pasur po ato qëndrime ndaj shqiptarëve që i kanë pasur lëvizjet radikale shqiptare ndaj serbëve. Do të doja të tërheq vëmendjen tuaj sidomos te rasti i Mitrovicës së ndarë dhe ai i bisedimeve të fundit mes kryeministrave të të dy vendeve.
Përderisa radikalët serbë kërkonin të mbronin më armë ndarjen e qytetit, po ashtu duke terrorizuar banorët shqiptarë të asaj ane, radikalët shqiptarë kërkonin që me forcë të bëhej bashkimi i qytetit, pavarësisht viktimave. Përderisa radikalët serbë i konsiderojnë bisedimet e fundit dhe marrëveshjet e arritura tradhti dhe njohje të shtetit të Kosovës, radikalët shqiptarë i konsiderojnë nga ana e tyre tradhti dhe rikthim të shtetit të Serbisë në Kosovë.
Shqiptarët, nacionalistë të rëndomtë a radikalë kokëkrisur, pështyjnë për çdo ditë të lume mbi ASHAK për shkak të, siç thonë ata, mos reagimin me të njëjtën monedhë ndaj Akademisë serbe që kishte hartuar plane famëkeqe të shpërnguljes dhe shfarosjes së shqiptarëve. Apo pse nuk hartojnë një enciklopedi për t’iu revanshuar asaj të Akademisë së Maqedonisë, e cila kishte provokuar shqiptarët duke mos i nxjerrë si pasardhës të ilirëve (në të vërtetë pikërisht këtë revansh po e kërkon së fundi Akademia e Shqipërisë).
Historianët serbë shqetësohen tejmase kur historianët shqiptarë shkruajnë historinë përmes fantazisë, ngase mënyra e tillë e të shkruarit rivalizon me mënyrën e tyre të të shkruarit. Kanë saktësisht pikëpamjet e njëjta kundër njëri-tjetrit.
Të ashtuquajtuarit ‘Grobari’ dhe ‘Plisat’, adhuruesit e dy klubeve më të mëdha futbollistike në vendet përkatëse, janë absolutisht të pakompromis në urrejtjen ndaj etnisë rivale dhe ndaj komunitetit LGBT. Për këtë të fundit përdorin të njëjtat arsyetime fetare, kombëtare e tradicionale. Thua se janë ulur bashkë dhë kanë dalë me një qëndrim të njëjtë të vetëm.
Siç ka satirizuar Toma, nacionalistët serbë (e shqiptarë e çfarëdo tjetër), të përulurit e marrë të ‘shpirtësisë’, “viktimat”, të vrasin të ta dëshmojnë se nuk janë vrasës. Po kështu kamikazët apo templarët vrasin në emër të Zotit të tyre për t’ua dëshmuar të vrarëve se religjioni i tyre (që po i shtyen me aq marrëzi t’i bëjnë këto vrasje), është paqësor. Edhe si humor i zi do të na bënte të rrëqethemi dhe lemerisemi. Të paktën për aq sa ndjehemi qenie me arye në mbretërinë e kafshëve.
Tomislav Markoviqin dhe autorët e tjerë, të mbledhur rreth Betonit, në Serbi i quajnë ‘shiptari’. Mua, në Kosovë, më quajnë ‘shka’.
Realitetet tona, që, siç e kemi përsëritur dhjetëra herë, nga mësimet që kemi marrë nga mjeshtrit e mëdhenj, janë më fantastike se fantazia, megjithatë, ndonjëherë duhet të kthehemi të nisim t’i përshkruajmë a tamam t’i definojmë me një incipit të mirënjohur të përbashkët, atë të përrallave. Ja çfarë bënte Brodskij, te ‘Less than one’: »Na ishte njëherë një djalosh«. Dhe vazhdon, gjë që ka më shumë rëndësi për ne: »Jetonte në vendin më të padrejtë të botës. Që qeverisej nga individë të cilët nga çdo pikëpamje njerëzore duhej të konsideroheshin të degjeneruar. Çka nuk bënte vaki kurrë«.
Tani arsyeja na thotë të saktësojmë se Serbia e Tomës dhe Kosova ime sot nuk janë Rusia e Brodskit dje. Porse, kërkoj ta përqendrojmë vëmendjen në këtë, e më lejoni të flas mbi të gjitha për vendin tim, Kosova sot (e me ‘sot’ flas për më shumë se një dekadë) është e qeverisur nga individë të cilët nga çdo pikëpamje njerëzore duhej të konsideroheshin të degjeneruar; çka nuk bën vaki kurrë.
S’mund të ketë, po bie në shtratin e arbitraritetit, asnjë fije dyshimi në degjenerimin e tyre. Cilatdo qofshin pikëpamjet tona njerëzore, prapëseprapë duhej të na bënin t’i konsiderojmë të degjeneruar. E sa më gjatë që të vazhdojnë ta qeverisin vendin, aq më gjatë do të vazhdojë të jetë e degjeneruar edhe vetë Historia. E megjithatë, të gjitha bathët janë që askush të mos ngrihet ta thotë se ata janë të degjeneruar, duke mos llogaritur ata që duan t’ua zënë vendin, të degjeneruar në vete, e që po ashtu mund të përfundojnë edhe më të degjeneruar, me ta rehatuar njëherë e mirë prapanicën në karrigen e butë të Pushtetit (flas sidomos për Lëvizjen Vetëvendosje, një bandë më e mbrapshtë mendërisht, se e para; apo LDK, një bandë tjetër perfide, tinzare).
Në rrjedhën e kësaj, ka një gjë që më ka habitur kaherë dhe s’i kam gjetur as ndoshta s’do t’i gjejë kurrë derman. </p><p> Si ishte e mundur që pikërisht këta të degjeneruar që edhe sot e qeverisin vendin, të ishin ata që uzurpuan, para një dekade e gjysmë, timonin e drejtimit të luftës për çlirim? </p><p> Po qe se nuk përfundoj i turpëruar të them një përgjigje të shpejtë, atëherë do të doja të them: sepse ishin një bandë. Dhe si banditë, ata ia kishin rezervuar vetes postet dhe titujt në luftë.
Do të përpiqem të jap një shpjegim, pa pretendimin të jetë i sakti dhe i vetmi, e mund të jetë sall një lloj argëtimi, përmes një teksti klasik: Aventurat e Huckelberry Finn. Te ky tekst gjejmë një shembull tipik se si krijohet një bandë (kriminelësh). Bëhet fjalë për bandën e Tom Sawyerit.
Të përsëris edhe një herë se secili që ka lexuar më shumë se një libër dhe ka parë më shumë se një film, natyrisht rikujton edhe shembuj të tjerë, ndoshta mbështetës e ndoshta kundërshtues. Meqë pasazhi është bukur i gjatë për ta bartur këtu, do të përpiqem ta përflas sa më besnikërisht.
Tomi mendon se për formimin e bandës së banditëve çfarë ishin ata, duhej që secili anëtar të betohej se s’do ta nxirrte jashtë asnjë sekret të bandës dhe ai që i bën keq një cubi të bandës do të pësojë me tërë familjen. E tamam, për t’u bërë anëtar duhet po ashtu që pretendenti të ketë familje.
Presin majat e gishtërinjve dhe pinë gjakun e vëllazërimit dhe betimit. Aktiviteti i bandës do të jetë vetëm plaçkitja dhe vrasja. S’ka vjedhje xhepash, lopësh, apo ku e di unë, që do të ishte e turpshme për nja bandë të tillë kriminelësh. Plaçkitje e gjërave me vlerë të lartë dhe vrasje. Vrasja është e domosdoshme. Edhe rrëmbimi, ngase mund të përfitohet bukur nga paratë për lirimin e tyre e të rrëmbyerve.
Pjesa në vetvete është edhe mjaft humoristike, por do të refuzojmë ta bartim këtu.
Ideja ishte të zbresim në bërthamën e një bande keqbërësish, sado prej fëmijësh dhe fiksioni.
Banda të tilla mund të gjesh kahdo, udhëheqin shtete, jo vetëm atë të Kosovës. Ka që mendojnë se i udhëheqin edhe perandoritë dhe religjionet.
Po m’u lejua ta citoj veten, do të doja ta rikujtoj poezinë time ‘Kafshët e duan atdheun’, e cila edhe i dha titullin përmbledhjes sime në serbisht. Në fund të saj, ndoshta në mënyrë krejtësisht triviale, kam shpjeguar se pse kafshët e duan atdheun: që ta kenë tërë pasurinë dhe tërë pushtetin për vete. Duket aq e thjeshtë sa mendja s’ta merr dot.
Sikur të mos kishte qenë lufta, kam këtë bindje intime që më është shumë e shtrenjtë, pjesa më e madhe e banditëve të tillë kurrë nuk do të kishin dalë mbi sipërfaqe, të paktën jo në emër të atdheut, jo në emër të së mirës. Do të kishin përfunduar, më e shumta, në cubër klasikë, plaçkitës bankash të njohur a keqbërës të rëndomtë, bile edhe xheparosha.
Porse, ndonjëherë Historia është kaq tragjikisht dorëlëshuar: kriminelët i vë në altarin e (paprekshëm të) atdheut!
Është e ditur dhe e thënë se në Serbi dhe në Kosovë, e në përgjithësi në Ballkanin e luftërave të fundit, jetojmë në ndërtesa banimi mbi varreza viktimash civile të ndërtuara nga dhe në fqinjësi me ata që i kanë shkaktuar këto viktima.
Banda të tilla gjoja patriotike, thjesht kafshërore, keqtrajtojnë, përndjekin, burgosin, ekzekutojnë, vrasin, masakrojnë, zhdukin, djegin kufoma, zhvendosin mbetje me buldozer, marrin pas veten në frigoriferë kufomat, etj. Nga të dy anët, nga të gjitha anët, varësisht nga mundësitë. Për këtë, edhe sot, gati pesëmbëdhjetë vite pas, ende nuk dimë asgjë për fatin e mijëra të zhdukurve qoftë shqiptarë qoftë serbë. Nuk e dimë kush ka urdhëruar dhe kryer vrasjet masive e jo vetëm dhe për tërë ato viktima, shqiptare, serbe e rome, s’do të ketë kurrë drejtësi. S’do të ketë drejtësi, po mbase njerëzia do të dijë të rrëfejë për tërë ato që kanë parë e dëgjuar.
»Zbrazëtitë e harresës nuk ekzistojnë. Asnjë gjë njerëzore nuk mund të fshihet krejtësisht e në këtë botë ka bukur shumë njerëz që s’do të lejojnë që disa fakte të mos dihen: dikush do të mbetet prore në jetë për të rrëfyer«, ka thënë Hannah Arendt te ‘Banaliteti i të keqes’.
E rrëfyesit nuk janë vetëm poetët, shkrimtarët, artistët, historianët, janë pikë së pari vetë të mbijetuarit dhe të afërmit e tyre.
Njeriu i mbetur në jetë për të rrëfyer është »narrator i devotshëm«. Historia e tij, një dhe e vetme, ose edhe më shumë, nuk është e shkruar dhe si histori gojore nuk thuhet një herë e aq, ky narrator do të “detyrohet” ta përsërisë për sa kohë të jetë gjallë dhe për sa kohë s’do ta kenë mësuar përmendësh pasardhësit e tij. Ai bëhet seç herë e më i devotshëm kur të vërtetës së tij i kundërvihet një version zyrtar i ngjarjes, i një autoriteti më të lartë dhe më të fuqishëm, mashtrues dhe falsifikues.
Pjesa më e madhe e atyre njerëzve të zakonshëm që i janë bashkëngjitur kësaj bande, gjatë luftës, s’e kanë bërë këtë me vetëdijen se po i bashkëngjiten një bande, e kanë bërë me vetëdijen se po i përgjigjen thirrjes së atdheut të tyre për çlirim, të cilën e konsiderojnë ndër më të shenjtat. I tillë ishte ta zëmë axha im 60 vjeç, ose djali i dajës sim, 17 vjeç, për të cilin kam shkruar edhe poezi. Pavarësisht se, e mundet se as që ka rëndësi, çfarë mendoj unë për luftën, këta të fundit dhe të ngjashmit e tyre nuk mund as nuk ia jap vetes lirinë t’i gjykoj, të paktën jo aq lehtë. Mbi të gjitha, në të tërë këtë, ka shumë dhimbje; e po këtë dhimbje e ndiej, po ashtu, edhe pa qenë serb, për një të ri serb që e kanë detyruar me dhunë të marrë pjesë në një luftë, ku duhej të më vriste edhe mua, të cilën s’e ka dëshiruar as nuk do ta dëshironte kurrë.
Thomas Bernhard ka thënë te ‘Frost’: »Lufta është seksi i tretë i vërtetë«. Mendoj se seksi i parë, kafshëror, e dëshiron, e adhuron, e himnizon, e nxit dhe e bën, pavarësisht arsyeve, të pushtimit a çlirimit; seksi i dytë dhe fëmijët e pleqtë, pavarësisht seksit, e pësojnë. Seksi i parë, kafshëror, eksitohet nga seksi i tretë më shumë se nga seksi i dytë. Në njëfarë mënyre i bie se eksitohet nga seksi i tretë që shndërrohet në seks të parë. Seksi i tretë është sajuar në mënyrë që të bashkohen në të pjesëtarët e seksit të parë për t’u kafshëruar në gjak. Orgazmi është tragjik: privimi nga jeta i tjetrit, “partnerit”.
»Të gjithë pajtohemi sa i përket të keqes; e në lidhje me të mirën ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit«, ka thënë Chesterton. E thënë në një kontekst që edhe s’ka fare të bëjë me këtë tonin, mirëpo mendoj se ia vlen të merret në diskutim.
Tani, ne për cilën të keqe pajtohemi e për cilën të mirë ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit?
Ne, shqiptarët, të gjithë, pajtohemi, ta zëmë, se ajo që bëri regjimi serb mbi ne, luftën për pushtim, është e keqe.
Porse, ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit në lidhje me, ta zëmë, reagimin tonë, luftën për çlirim.
Ngase kemi pikëpamje të ndryshme mbi të mirën (ashtu siç ne dhe serbët kemi pikëpamje të ndryshme mbi të keqen, në raport me marrëdhëniet e ndërsjella).
Një nga diskutimet fundamentale, që ende s’e kemi bërë, në lidhje me të mirën, është edhe sakrifikimi i fëmijëve për atdheun.
Unë e kam thënë timen, por s’kam lexuar a dëgjuar ende dikë që mendon se sakrifikimi është një e mirë të shtrohet dhe të diskutojë qartë e hapur pse është një e mirë.
Në fakt, kur e kam shtruar problemin, e gjitha që janë munduar të bëjnë, kundërshtarët e mi, ka qenë të përpiqen vetë dhe t’i nxisin të tjerët të m’i nxjerrin sytë, në kuptimin e parë të fjalës, jo në atë figurativ.
Ata harrojnë se kur Edipi ia nxori sytë vetes, e përcaktoi qartë një gjë: t’ia nxjerrësh sytë tjetrit është krim, pavarësisht se për çfarë arsyeje; vetes, kur e kupton dhe ndjen se ke bërë një gabim të pafalshëm, edhe mund t’ia nxjerrësh, vetëm kështu është “e lejueshme”.
Unë mendoj dhe e ndjej (e kjo e fundit po ashtu ka shumë rëndësi) se ajo që kam bërë është, më ndjeni nëse jam kaq krenar këtë herë, skajshmërisht e virtytshme.
Pra, ajo që ata po pretendojnë, në mënyrë konfuze dhe arbitrare, të jetë e mirë, fare lehtë mund të jetë e keqe.
A do të pajtohemi dhe kur edhe për këtë të keqe?
Sidoqoftë, një gjë është e qartë: kemi të bëjmë me një parim themelor. Nëse jo sot, nesër pasardhësit tonë do të jenë të detyruar të shtrohen ta diskutojnë. E “parashikimet” janë se do të jenë shumë të ashpër ndaj nesh.
E megjithatë, ne, unë dhe ata me të cilët i bashkëndaj mendimet, e dimë një gjë: ne mund të jemi po ashtu shumë gabim, kushedi. Idetë, qëndrimet dhe pikëpamjet tona mund të mos jenë në vete as të mos ofrojnë asnjë të mirë. Po sidoqoftë, bazohen mbi parimet e humanizmit dhe iluminizmit; ne tentojmë të mos i ikim përgjegjësisë për t’u shprehur dhe për të qëndruar pas asaj që themi në të njëjtën kohë.
*EXPRESS
Pak jashte realitetit,pavaresisht pretendimeve filozofike qe te jesh mbi realitetin dhe prandaj soji i ketyre mbetet gjithnje ne rrethin vicioz te utopizmit pa mundur te dal jashte tij e te zere vend ne ndergjegje e “turmes”; jo per faj te tyre se sa te ekzistences se tyre ne vendin dhe kohen e gabuar.
Nje mendje e çakorduar e afert me ate te Tos Lubonjes. Ky artikull eshte shembulli me i mire i nje perzierje desorientuese e kaotike te ideve iluministe, iluzioneve, halucinacioneve te here pas hershme mendore, ideve utopike e perfytyrimeve idealiste jashte njemendesise objektive. Rast psikiatrik i nje mendje potencialisht te bukur!
Nje analize prefekte z.Idrizi(shpresoj qe te mos kesh lidhje me Idrizin “patriot” ne Tirane). Por me duket se lodhesh kot te shpjegosh qe nacionalizmi eshte streha jo vetem e maskarejve por dhe e injorances dhe qe te dyja se bashku perbejne ate qe quhet llum. Nuk e di ne Serbi por me sa di ne Kosove dhe jam i sigurt ketu ne Shqiperi qe ky llum eshte goxha i trashe,keshtu qe dhe sharjet ke per ti pasur me shumice. Pergezime per shkrimin dhe uroj qe gazetat shqiptare te botojne me teper artikuj te shkruar nga ty ose ata qe shkruajne si ty.