Qeveria “Rama” u votëbesua nga Kuvendi, u betua te Presidenti dhe nisi nga puna. Është në ditën e parë të saj. Përpara ka sfida të mëdha, sfida që lindin qoftë nga ajo nga çfarë trashëguan nga paraardhësit, qoftë nga ato që morën angazhim në programin 4-vjeçar të qeverisjes.
Në këtë kuptim, qeveria e re do kohën e saj të nevojshme për të vënë në jetë dhe për t’u dhënë drejtim punëve. Sigurisht, ditë pas ditë dhe hap pas hapi, do shihet zbatimi i zotimeve të dhëna përpara Kuvendit dhe popullit, si përsa u përket zbatimit të reformave të gjithanshme, ashtu dhe evidentimit dhe ndëshkimit të shkeljeve që qeveritarët e djeshëm kanë lënë pas.
Prandaj është herët të fillojmë e të bëjmë analiza në këtë drejtim, por na mjafton besimi dhe dëshira që punët e qeverisjes të shkojnë në drejtimin e duhur, së paku, jo ashtu siç shkonin deri më 15 shtator.
Po opozita e re, ç’duhet të bëjë, ç’rrugë duhet të ndjekë ajo gjatë kësaj periudhe?
Ashtu si dhe ne të tjerët, edhe ajo duhet t’i lërë qeverisë “Rama” kohën e saj që të punojë e të tregojë se si di të qeverisë, me qëllim që pastaj të dijë se ku t’i fokusojë konkretisht kritikat, akuzat dhe të japë alternativat e saj, e jo si tani ku, ende pa nisur mirë punë qeveria, e kanë paragjykuar duke e akuzuar se s’do bëjë këtë e atë.
Në këtë kuptim, nga opozita kërkohet durim, maturi dhe konstruktivitet. Së paku, deri në fund të këtij viti që përkon, pak a shumë, me 100 ditëshin e parë të qeverisë.
Është interesant, por këto tri muaj që vijnë më kujtojnë atë periudhën tranzitore që shoqëroi periudhën nga zhvillimi i zgjedhjeve deri në votëbesimin e qeverisë. Ajo periudhë, ndonëse e gjatë për kushtet ku ndodhet Shqipëria, gjithsesi u shfrytëzua nga kryeministri Rama për të formuar kabinetin qeveritar dhe ndërtuar programin qeverisës.
Gjatë periudhës 3-mujore në vijim opozita ka zgjedhjet brendapërbrenda strukturave të saj partiake. Në këto kushte, ajo duhet të fokusohet në jetën e brendshme të partisë, me zhvillimin e konferencave vendore për zgjedhjen e strukturave dhe kryetarëve të rinj lokalë, të nënkryetarëve të partisë, sekretariatit dhe gjithë piramidës njerëzore me të cilën funksionon opozita dhe të ripërtërijë sa të jetë e mundur besimin e humbur të anëtarësisë tek lidershipi dhe partia. Po kështu, ajo duhet të kryejë me shumë seriozitet e përgjegjshmëri procesin e një analize të thellë për të nxjerrë përgjegjësitë dhe shkaqet e vërteta të humbjes, me qëllim, mos përsëritjen e gabimeve në të ardhmen.
Nëse ajo nuk identifikon dhe shëron plagët që e çuan në humbje, e ka të kotë të shpresojë për t’u përballur me mazhorancën e majtë në sfidat e ardhshme elektorale, pasi dihet që një i plagosur, sado t’i shtrëngojë dhëmbët prej dhimbjes, mbetet gjithmonë i thyeshëm nga një kundërshtar i shëndoshë.
Është pra një periudhë shumë e rëndësishme për vetë opozitën, e cila duhet ta vlerësojë maksimalisht atë, pasi duket se e ka kaluar në plan të dytë këtë proces ripërtëritës duke e harxhuar frymën me denoncime dhe akuza qesharake e të kota ndaj qeverisë për gjëra ende të paqena dhe dhunë imagjinare. Se, po të jetë për këtë të fundit, kryetari i PD-së, ish-kryetari dhe ish-kryeparlamentarja, mbajnë rekordin kombëtar jo vetëm për gjuhë të dhunshme, po dhe për veprime të atilla.
Po vazhdoi në këtë rrugë që ka nisur, ka rrezik që nesër, kur qeveria të gabojë vërtetë, opozita të ndjehet si te ajo fabula ku një çoban tallej vazhdimisht duke thirrur pa pushim “erdhi ujku, erdhi ujku” dhe kur ujku erdhi vërtetë, asnjë s’i erdhi në ndihmë për t’i shpëtuar tufën e dhenve…
Ky autori i shkrimit eshte si Kryetari Mao ,qe i tregon rugen se si duhet te veproje opozita
Vetem ne Shqiperi mund te botohen shkrime te tilla skandaloze qe sfidojne konceptin demokratik te funksionimit te Politkes opozitare
Opozita eshte thene shpesh qe eshte pasuri kombtare dhe kshtu duhet te jete ne te vertete jo se themi ne por keshtu funksionon ky sistem ky rend qe ne deshem dhe kemi.Dhe qe sistemi te qendroj i forte te eci dhe funksionoj normalisht duhet me te vertetr nje opozite e forte konstruktive.Por opozita jone nuk eshte pasuri kombtare por fatkeqsi kombtare,pa filluar pune qeveria,pa reformuar akoma vetveten,pa ber analizen e humbjes,duke ja vendosur fajin popullit per humbjen,pra shikoni sa large jane sa mjerane jane sa te trashe jane.Si duket sali berisha kur thoshte sovrani kishte parasysh veshgjatin.Populli i vuri brire qe ky te dalloje se largu kush eshte.