Fillimi i punimeve të parlamentit ka risjellë në skenë problemin e madh të opozitës: cilin kryetar duhet të zgjedhë mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. Në mënyrë të përsëritur, kreu i ri i PD e ka parë veten në pozitën e atij që duhet të marrë shënim për vendimet që janë marrë nga lider historik. Një dualizëm që po dëmton rëndë imazhin e partisë dhe autoritetin e lidershipit të saj të ri
Ishte i helmuar në deklaratat e tij të enjten ish-deputeti demokrat Mark Marku, teksa komentonte hapat e parë të opozitës së djathtë në jetën institucionale, pas dorëheqjes së Sali Berishës dhe zgjedhjes së Lulzim Bashës. “Para tre ditësh Basha tha që do kemi opozitë konstruktive, ndërsa pas tre ditësh zoti Berisha u dha urdhër deputetëve dhe i nxori nga salla. Krijoi atë skemë që më tepër se zotit Rama, i drejtohej zotit Basha për t’i thënë se opozita nuk do jetë siç do ti, por siç dua unë. Berisha vazhdon të ketë ndikim shumë të madh në PD. Deri më tani nuk ka ndonjë shenjë që do t’ia lërë drejtimin e partisë zotit Basha”, qe komenti i prerë dhe i saktë i Markut.
Një përcaktim që është njëherësh një sintezë e goditur e një dualizmi për të cilin është folur e shkruar shumë këto muaj, e që mesa duket do ta turbullojë edhe për shumë kohë lidershipin e lartë të opozitës. Basha-Berisha (apo ndoshta më saktë Berisha-Basha), është një dyshe atipike, e pamendueshme para 23 qershorit, e cila po përpiqet të bëjë udhë në momentin më të vështirë të PD, pas viteve ’97-’98.
Kryetari i ri i Partisë Demokratike, njëherësh kreu i bashkisë së Tiranës, është komentuar tashmë gjerë e gjatë në detyrën e tij të re politike. “Kryetar dezhurn”, apo “kryetar noter”, duket se janë dy përcaktimet që më së shumti përputhen me atë që po tregon akti i parë i mandatit Basha në krye të partisë. Një lider politik me kokën e kthyer pas dhe me bllok shënimesh në xhep, që po kufizohet vetëm në formalizimin e asaj që ka vendosur paraprakisht Berisha. Mjaftuan seancat e para të Kuvendit, kur PD kërkonte (me të drejtë) dhe me protestë dorëzimin e programit të qeverisë, apo kur grupi parlamentar linte sallën teksa fliste Edi Rama, për të parë sesi Lulzim Basha ishte gjithmonë një hap prapa, sesi ai nuk ishte personi që vendoste lëvizjet taktike, sesi ai nuk merret vendimet dhe nuk drejtonte formacionin e tij politik. Në të dyja këto raste, mediat janë detyruar që pas ndodhive në parlament, të zhvendosin kamerat dhe ekipet e transemtimit në selinë e re të PD, ku kryetari formal “bënte adetin”, duke nënvizuar edhe një herë nga e para ato që Berisha e të tjerët deklaruar në parlament.
Ishte e pritshme prej kohësh, qëkurse Lulzim Basha konsolidoi profilin e pasardhësit të Berishës, se problemi i tij kryesor ishte sesi do të bashkëjetonte me trashëgiminë e liderit historik të PD. Këto ditë Bashës i duhet jo vetëm të bashkëjetojë me trashëgiminë e Berishës, po edhe me vetë Berishën nën një kulm, duke qenë në pozitën e kryetarit të dubluar, që detyrohet të shohë në sy nga mëngjesi në darkë ish-shefin e dikurshëm.
Dualizmi Basha-Berisha është një ndër problemet kryesore që ka opozita e sotme. Vendimi i Berishës për të mos pasur një zyrë të tijën në selinë e re të partisë tek SHQUP-i, kërkonte të jepte mesazhin se tashmë PD e ka kryetarin e saj, të cilin nuk i duhet bërë hije. Mirëpo kanë mjaftuar orët e para të opozitës në Kuvend, për të përmbysur çdo dilemë. Mungesa fizike e Lulzim Bashës në sallë dhe prezenca e rëndë e Sali Berishës aty, kanë risjellë në raportet e vjetra lidershipin brenda PD, duke i rikthyer hierarkitë në pozicionet e para 23 qershorit.
Kryetari i Partisë Demokratike që sot shohim në ekrane, është një politikan i ndrojtur e pa personalitet, që po ndërton një profil anemik, nën hijen kërcënuese të kryetarit të vjetër. Dualizmi mes dy kryetarëve ka sjellë me vete shbalancimin më të madh të imagjinueshëm për një parti që ishte mësuar qysh prej themelimit, me timbrin e lart ëtë zërit të Berishës, e jo me tonalitetin e dridhur të Bashës, me tonet luftarake të liderit historik, e jo me frazat parafabrikate të kryetarit – noter. E përplasur me dhunë nga një profil lidershipi i fortë e pse jo i dhunshëm, drejt një profili tjetër të dobët e pa personalitet, Partia Demokratike i drejtohet opozitës pa e zgjidhur çeshtjen e lidershipit. Sepse ky proces nuk mbaroi as ditën kur Berisha dhe dorëheqjen dhe as momentin kur Basha spostoi me hile Olldashin. Rruga për t’u bërë lider është e gjatë e plot me gropa. Lulzim Basha po e prek me dorë këtë realitet të ri, pa mundur të gjejë një vend dinjitoz për veten, në një tryezë ku të gjithë janë mësuar të ndjekin vetëm një palë sy. Që s’janë të tijët.
*Revista JAVA
Impostimi i Bashes si kryetar hije eshte e gjitha nje kurth i madh ku mesa duket kane rene te gjithe. Ky gjoja dualizem midis tyre eshte pikerisht ajo qe kerkon Basha dhe Saliu qe te mendohet nga te gjithe. Sepse nqs pranojme faktin qe ata kane menyra te ndryshme te vepruari dhe menduari pra qe njeri i eger tjetri i bute, njeri i ashper tjetri delikat, kemi pranuar qe ata jane te ndryshem. Mirpo vetem kjo nuk eshte e vertete. Ata jane njesoj, identik, ne mendime, veprime, mentalitet. Basha ka pranuar te beje te gjitha cka ka dashur Saliu qe nga vjedhjet der tek vrasjet. Ateher per cfar dualiteti midids tyre flasin opinionistet. Kush mendon se ka ndryshim midis tyre eshte duke mbajtur akoma ne politik Berishen. Ky eshte kurthi
I shkreti bukuroshi Basha. Mire thote populli. Me mire i pari ne fshat se sa i dyti ne qytet.
@Franc Kafka, jam plotësisht dakord me ty. Ata (Basha dhe Berisha)janë dy anë të së njejtës medalje…
Miq, mos u genjeni per dy lidership ne PD. Ka vetem nje dhe ai eshte Sali Berisha. Vetem pas vdekjes fizike te tij, do mund te kete reformim te partise dhe mund te lindi nje personalitet. Te gjithe ata qe jane sot ne PD ( kuadro), jane rritur ne hije dhe pema qe rritet ne hije nuk ben fruta!