Berishizmi parlamentar i opozitës

18 Shtator 2013, 19:12Blog TEMA

Nga Xhovani Shyti

 

Pas skemës së zgjedhjes së Lulëzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, sjellja e deputetëve të opozitës në seancat e para parlamentare ka qenë tregues i drejtimit të opozitës “së re” sipas frymës berishiste.

Spikati kjo në seancën hapëse të Parlamentit, kur i gjendur në sallën e Kuvendit, jo më si kryetar i Qeverisë, as si drejtues partie, por si deputet i thjeshtë opozitar, Sali Berisha nisi të bëjë fillimisht zhurmuesin dhe më pas braktisësin e sallës kuvendore. I ndjekur në sipërmarrjen e vet më së pari nga ish- kryesuesja e Parlamentit, Jozefina Topalli e më tej nga të tjerë deputetë opozitarë.

Kjo ndodhi ndërsa nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri i porsadekretuar, Edi Rama, po fjalmonte programin e qeverisë, që ishte dhe e para ligjëratë e tij parlamentare.

Reagimi agresiv, zhurmimi dhe braktisja në grup e sallës së Kuvendit qenë e para sjellje parlamentare e grupit opozitar demokratikas.

“Ne nuk kemi mandat për të harruar krimet e pagjykuara që janë bërë. Mandati ynë na është dhënë për të mos harruar popullin e vrarë në Gërdec, protestuesit e vrarë në bulevard, deputetin e vrarë në oborr, kryekomunarin e vrarë në rrugë, komisarët e policisë të vrarë në krye të detyrës… Ne nuk kemi mandat për të amnistuar falje pronash që i janë grabitur popullit me vendime qeverie, apo për të njohur të drejta që pushteti u ka dhuruar në rrugë abuzive klientëve të tij…”, ishin frazat e shqiptuara prej Kryeministrit të ri, që pakuptueshmërisht sollën kalimin e Sali Berishës në kohë të ndërkallur, reagimin e tij panevojshmërisht agresiv, por sipas ritualit të njohur të viteve të shkuara.

Dhe sikur ky kushtrim i të parit dinastik të PD-së opozitare dhe grupit të saj parlamentar të kishte nisur dhe të kishte mbetur brenda seancës hapëse të punimeve të Parlamentit, as që do t’ia vlente tii kushtoje rendësi ngaqë do të ishte standard brenda normalitetit, jo vetëm të edukatës, sjelljes personale e asaj politiko-sociale të Sali Berishës, por edhe thelbi i frymës berishiste, që ai ka mbjellë për më shumë se dy dekada prani në politikën shqiptare.

Mirëpo e njëjta sjellje, pa kurrfarë ndryshimi, pa kurrfarë korrektimi, vazhdoi të jetë prezente si në prononcimin e mëpasmë të vetë Sali Berishës, ashtu edhe të grupit parlamentar të opozitës demokratikase. Madje një e tillë sjelljeje reaguese absurde për nga përmbajtja, erdhi e manifestuar edhe nga Lulëzim Basha, kryepartiaku i ri PD-ist, zëvendësues i Sali Berishës, i vetëpropaganduar si sjellës i një fryme të re drejtimi në PD.

“Rama na shpalli luftë”, u shpreh në ligjëratë të drejtë Sali Berisha, pas braktisjes së sallës së Parlamentit, pa hezituar të artikulojë si strategji mbrojtjeje nxjerrjen nëpër rrugë e sheshe të trupave opozitare, ndërkohë që nga faqja personale e Facebook-ut do ta çonte më lart dozën e kërcënimeve, të pasuruar me gojështhurjen e tij tipike.

“Demokrate dhe demokratë, shqiptare dhe shqiptarë, këta janë neobllokmenët, të mbushur me urrejtje dhe vetëm urrejtje të etërve të tyre. Ne jemi këtu të gatshëm për çdo qëndresë, çdo sakrificë! Të gjithë jemi dhe do të jemi në këmbë”, thirrmoi në Facebook Berisha, mesazhin e tij të ndjekur nga vendimi që grupi parlamentar i PD-së mori në mbledhjen e mbajtur menjëherë pas braktisjes së sallës së Parlamentit. Vendimin që në thelb nuk ndryshonte asgjë nga fryma berishiste dhe përmblidhej në togfjalëshin me ngjyrim kërcënues: “Rama sot mori përgjigje të qytetëruar, nesër dhe pasnesër çdo akt provokimi do të ketë përgjigje proporcionale në sallën e Kuvendit, në çdo shesh në çdo rrugë!”

Por një të tillë mesazh komunikoi me qejf edhe kryetari i ri i PD-së, Lulëzim Basha, i cili, megjithëse u përpoq ta zbuste frymën berishiste me deklarimin e sigurisë se arma e veprimit opozitar nuk do të ishte “bojkoti i parlamentit”, por “kërkesa e fortë e llogarisë” ndaj maxhorancës qeverisë, la shumë për të besuar se anti-fryma berishiste do të jetë vijë politike e të ardhmes së opozitës.

Dua të them me këtë se gjithë sa Sali Berisha, grupi i deputetëve të opozitës, PD-ja dhe Lulëzim Basha, kryetari i ri, zëvendësues i të vjetrit, kanë manifestuar përgjatë ditëve të para të jetës opozitare 2013, nuk janë sjellje të rastit, por vazhdim i frymës së vjetër të drejtimit e ndërtimit të strategjive politike të së ardhmes së PD-së.

Janë reflektim i frymës berishiste, domethënë i berishizmit si edukatë e normativë kulturor, i berishizmit si mënyrë sjelljeje, veprimi politik, drejtimi kombëtar, por edhe gjithëkombëtar. Janë produkt ekzistencial i frymës berishiste, ku provokimi, dhuna, gojështhurja, fyerja, urrejtja ndaj kundërshtarëve politikë dhe linçimi i tyre, rrënimi, destabiliteti dhe jo prosperiteti i vendit, por dhe kënaqësia e varfërimit të popullit e pasurimi i një grushti njerëzish, kanë qenë prezente me shumicë. Kanë qenë virtyte të shpalosura përgjatë qenies së Sali Berishës, personalisht herë president e herë kryeministër e kryetar PD-je, por edhe normativë e politikave që partia e tij ka aplikuar përgjatë trembëdhjetë viteve të qenies mazhorancë qeverisëse e vendit.

Me humbjen rezultatthellë të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 dhe dorëheqjen e frymëmbjellësit Berisha, u shpresua që lidershipi i ri i PD-së të inspironte një tjetër frymë. Të ndryshme nga ajo e berishizmit konfliktual, ku është e vërtetë se i humburi më i madh ka dalë vetë Sali Berisha, por është po aq i pamohueshëm fakti se fat të mbrapshtë ka pësuar edhe Partia Demokratike, partia që pas humbjes së thellë të zgjedhjeve të 23 qershorit  doli në opozitë dhe rrezikon të cekë greminën, nëse do të vazhdojë të manifestojë frymën berishiste. Frymën që, gjatë  rreth trembëdhjetë viteve të qenies në pushtet, nuk arriti kurrë t’ia ngrejë prestigjin dhe autoritetin as Berishës, por as partisë së drejtuar me dorë të hekurt prej tij. Pra, Partisë Demokratike, të parit formacion politik opozitar të viteve ’90, që, sakaq, pas më shumë se dy dekadave rrugë në paskomunizëm, nga uragan anti-diktaturë, del të jetë katandisur në një grup deputetësh të mandatuar nga dora e Berishës jo për vlerat e spikatura psiko-morale, apo profesionalo-intelektuale që mbartin, por për besnikërinë e shërbestarinë. Mbi të gjitha ndaj vetë Berishës, personalisht, por edhe ndaj politikave e strategjive punëprishëse të bajrakut.

3 komente në “Berishizmi parlamentar i opozitës”

  1. i raskapituri says:

    Kush shpreson se PD do ndryshoje per sa kohe qe Berisha eshte gjalle gabon rende.

    Sa per Berishen ai nuk mund te ndryshoje kurre. Ka ca njerez , thote populli, qe vetem varri i drejton.

  2. Albani says:

    Z. I raskapituri, deri ku thoni se “Sa per Berishen ai nuk mund te ndryshoje kurre”. Po gaboni rende kur thoni se “Ka ca njerez, thote populli, qe vetem varri i drejton”. Ketu gaboheni. Po te jete fjala per njerez te zakonshem, keni te drejte. Por kur flitet per Sali Berishen, ketu gaboni rende. Sali Berisha, as i vdekur nuk mund te ndryshoje dhe as qe mund te ndreqet. Ashtu, i shtrember sic ka lindur, i shtrember do te vdese dhe i shtrember do te qendroje edhe ne arkivol.

  3. Kopani says:

    Pyes , Kur do shpetojne shqiptaret e mbare bota e qyteteruar nga ky Krye bandit , ” I menderosur po krenar ” se e mbajne neper goje ,dhe ne mediat e shkruara e vizive si nje te keqe por te domozdoshme . e cila nete vertete duhet gjykuar , nenshkuar dhe shqiptaret te vene mend , se gjarperi nuk mbahet ne gji , se qe te behet ky vend , duhen te shkojne aq vite, sa ka sunduar e shkateruar ky monstra Sali me banden mafjoze .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje