E vranë urrejtësit e qytetit dhe vrasësit e tij janë ende të lirë. Shoqëria e Kosovës, me gjasë, është pajtuar se nuk ka fuqi dhe vullnet të ballafaqohet me krimin, andaj është zhytur në apati. Pothuaj gjithkund primitivi i tutet qytetit, ndërsa ndër ne bëhet azgan dhe terrorizon – me armë dhe me pasuri të vjedhur
Të mërkurën e kaluar u mbushën 13 vjet nga vrasja e arkitektit Rexhep Luci. Ai ishte njëri ndër personat kyç në Komunën e Prishtinës që merrej me planifikim hapësinor, që e dinte si merrte frymë kryeqyteti, i dinte mungesat e tij të mëdha dhe ndonjë përparësi aty-këtu. Me shkathtësinë e profesionistit, syrin e ushtruar për të parë të bukurën dhe për të dalluar të shëmtuarën, me dashamirësinë e një qytetari me kulturë të gjerë jo vetëm personale, por edhe familjare, Rexhep Luci nuk mund të duronte degradimin masiv të Prishtinës menjëherë pas përfundimit të luftës.
Në vitet ‘90 ai e kishte parë këtë degradim nga administrata e dhunshme serbe. E kishte parë se si në mënyrë simbolike dhe faktike zemra e qytetit ishte pushtuar prej tipave provincialë nga Serbia dhe të pakicës serbe në Kosovë. Zbritën në qendër të Prishtinës dhe punën e parë që bënë ishte vendosja e një njoftimi para hotelit “Grand”, ku u ndalohej hyrja “shqiptarëve dhe qenve”. Brenda, sidomos gjatë fundjavës, hoteli “Grand” shndërrohej në njërën prej shtëpive më të mëdha publike të rajonit: luftëtarë e kasapë serbë nga Bosnja, Kroacia e Serbia vinin për të kaluar dy-tri ditë mes prostitutave, pornografisë vrastare dhe pijeve të forta alkoolike. Në dhoma, në korridore, në banak linin armët e tyre, kryesisht kallashnikovë. Në atë kohë të turbo-folkut të përzier me shlivovicë Zhelko Razhnatoviqi (i njohur me emrin frikësues Arkan) ishte deputet i Kosovës në Kuvendin e Serbisë.
Koha e azganisë
Prishtina është e zymtë, një qytet pa ngjyra, por në vitet e Arkanit ajo ishte shpërfytyruar krejtësisht, ishte bërë një torishtë urbane. Të gjitha këto i kishte parë Rexhep Luci. Ai shpresonte, si çdo profesionist, se një ditë dora e drejtësisë do t’i kthejë gjërat në vend, se si shoqëri shqiptarët e Kosovës do të dinë ta çmojnë vlerën e lirisë. Por, të huajt ishin skeptikë. Lëre që në krye të Kosovës ishte vendosur një administrator i OKB-së, por edhe kryetar i Prishtinës ishte deleguar një gjerman. Si në çdo komunë tjetër, ku detyrën e kryetarit e ushtronte një i huaj – francez ose ganez, për shembull. Nuk u besonte bota perëndimore aq shqiptarëve të çliruar, sepse ata nuk u çliruan vetëm nga terrori serb. Një pjesë e tyre u çliruan negativisht, duke e keqpërdorur lirinë për të shkelur mbi çdo prag ligjor, moral, etik. Filloi epoka e bërrylave, kërcënimeve, haraçit, koha e Arkanëve albanezë, siç do t’i quajnë gjeneratat e ardhshme këta kokëbuaj. Liria e tyre ishte liri për të zaptuar – banesa, dyqane, ndërmarrje, troje, toka bujqësore, gjithçka që kishte vlerë. Më 12 qershor 1999 filloi edhe lulëzimi i epokës së mbindërtimeve. Koha e azganisë (jo trimërisë) nëpër qytete nisi kur komandanti grabitës në emër të tri shkronjave dhe biznesmeni me para të pista i shihte profesionistët si Rexhep Luci si pengesë.
Historia di të luajë lojëra cinike. Prej datës 9 deri më 11 shtator 2000, pak më shumë se një vit pas përfundimit të luftës, fondacioni gjerman “Friedrich Ebert”, i afërt me Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë, kishte organizuar bash në hotelin “Grand” një konferencë, ku morën pjesë rreth 150 pjesëmarrës dhe ku u diskutua mbi vizionin për Prishtinën në vitet 2000-2005. Kishte një simbolikë në këtë konferencë: profesionistët kishin ardhur në hotelin që Arkani e kishte shndërruar si qendër komanduese dhe sikur donin t’u çonin mesazh të gjithë kriminelëve se tani po fillonte një epokë e re për Prishtinën. Në diskutimin e tij Rexhep Luci kishte thënë me këmbëngulje se nuk do të lejonte degradimin e mëtutjeshëm të qytetit, nuk do të toleronte ndërtimet pa leje, do të përpiqej të vendoste rregull, në mënyrë që jeta në qytet të bëhet e vlefshme për ta jetuar. Besa Luzhës nga fondacioni “Friedrich Ebert” i kujtohen këto fjalë të Rexhep Lucit: “Sa të jem unë këtu nuk do të lejoj ndërtime pa leje dhe shkatërrimin e Prishtinës”. Pasi i kishte thënë këto fjalë Rexhep Luci, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, ishte nisur drejt shtëpisë. Kjo ishte rruga e tij e fundit mbi këtë dhe. Rrugëtimi i tij u këput nga plumbat. E vranë urrejtësit e qytetit. Besa Luzha tregon: “Rexhep Luci ka qenë njëri ndër personat kyç që konceptuan konferencën, temat, grupet punuese. Ai kishte vizion për një Prishtinë urbane dhe moderne dhe atë vizion donte ta ndante me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë që kishim ftuar”.
Gjak, tokë, krim
Në 13-vjetorin e vrasjes së Rexhep Lucit, të mërkurën që shkoi, në Prishtinë pothuaj askush nuk e përkujtoi kryearkitektin. Flitej për problemet në kufi me Maqedoninë dhe llomotitej gjithandej për zogj. Në vendin ku u vra Rexhep Luci, më 11 shtator 2000, nuk u ndez asnjë qiri, nuk u vendos asnjë lule, nuk u tha asnjë fjalë. Që nuk folën asnjë fjalë për Rexhep Lucin komandantët e veshur me kostume “Armani”, nuk është befasi. Por, pse heshtën edhe ata që mbahen si qytetarë? Pse heshtën një pjesë e madhe e arkitektëve? Pse heshtën kolegët e punës të Rexhep Lucit, me të cilët ai e kishte ndarë një pjesë të jetës së tij, dijen dhe përvojën profesionale? E përkujtuan atë ditë, në 13-vjetorin e vrasjes kriminale, vetëm familjarët. Me një porosi të thjeshtë në gazetë: “Na mungon”.
Policia e Kosovës, e cila mbulohet me aq shumë komplimente të pamerituara, nuk dha asnjë njoftim se deri ku kanë arritur hetimet për këtë vrasje makabre. Apo lëndën për vrasjen e Rexhep Lucit e ka mbuluar pluhuri? Nuk foli as drejtësia. Dhe pse të flasë, kur shumica e gjykatësve dhe prokurorëve janë disa injorantë para pensionimit, figurantë pa nder profesional dhe pa guxim, të frikësuar se ndokush mund t’ua kujtojë të kaluarën e tyre në Jugosllavi, kur s’përtonin t’ua fusnin nga 10 vjet burg njerëzve që brohorisnin “Kosova Republikë”.
Këto ditë në gazetën “Zëri” është botuar një seri tekstesh mbi atë se si një bandë biznesmenësh, ish-komandantësh plaçkitës, politikanë që pushtetin e kanë marrë me forcën e armës dhe lloj-lloj mashtruesish prej vitesh po zhvillojnë një betejë të përgjakshme për një tokë në rrugën Prishtinë-Fushë-Kosovë. Janë falsifikuar dokumente, janë plagosur e kërcënuar njerëz për këtë tokë – dhe në gjithë këtë maskarallëk i kanë përzier gishtat edhe gjykatësit dhe prokurorët, disa prej tyre tashmë të pensionuar.
Vrasësit janë mes nesh
Rexhep Luci i frikësohej pikërisht kësaj situate, kur anarkia shndërrohet në stil jete në një qytet edhe ashtu me administratë të dobët. Shoqëria e Kosovës, me gjasë, është pajtuar se nuk ka fuqi dhe vullnet të ballafaqohet me krimin, andaj është zhytur në apati. Vrasësit, ndërkaq, janë mes nesh. Ndonjë në Parlament, ndonjë në Qeveri, ndonjë në kaçube, duke dhënë intervistë, pasi ka ikur nga burgu. – E ç’mbetet? Ndoshta kjo porosi e Bogdan Bogdanoviqit, arkitektit të madh nga Beogradi që iku në ekzil në Vjenë: “Për fat të keq, në vendet e hapësirës së mesme danubiane dhe të Ballkanit Perëndimor ekzistojnë shumë qytete, personaliteti i të cilave qëllimisht është poshtëruar dhe shkatërruar. Nëse ndonjëherë ndalet murtaja e luftës dhe nëse këto qytete një ditë ndërtohen përsëri, a do t’i njohim? Apo kur të rindërtohen ato do të bëhen diçka që nuk kanë qenë apo, edhe më keq, diçka që nuk dëshironin të ishin. Vrasësit e tyre secilin qytet e kanë goditur drejtpërdrejt në qendrat e tij vitale me intuitë të pagabueshme, pothuaj bestiale, e kanë goditur në kujtesë, në hajmalitë e sigurisë në vetvete dhe në identitet. Primitivja ka mjaft arsye të errëta për t’iu frikësuar qytetit. Primitivizmi nuk mund t’i përshtatet diskursit urban”. Për fat të keq në Prishtinë primitivët nuk iu frikësuan qytetit, madje ata e varrosën çdo diskurs urban me fasada xhami të importuara nga Turqia, me arkitekturë neveritëse, me kopje kaukaziane dhe me vila me “bazent”. Ndoshta ndonjë gjeneratë tjetër, një shoqëri e ndryshuar pozitivisht do t’i kuptojë paralajmërimet që i kishte bërë Rexhep Luci më 11 shtator 2000 në hotelin “Grand”. Derisa ai fliste, vrasësit e tij numëronin fishekët dhe zinin pozitat për ta vrarë. Me vdekjen e tij ka vdekur edhe një pjesë e vlefshme e Prishtinës.
*KOHA DITORE
Pse nuk asnjë koment…???!!!
Po s’kemi qka te komentojm,sepse qka shton tjeter e prish!!!……..
N,kosove para dhe gjate luftes, pere pamvarsin e Kosoves,atedhedashsit dhane:
Gjake
Lote
Djers
Kenge
Pushke
Pse tashe?
Gjake
Toke
Krim
Thote nje fjale e urte popullore “Ruana zote nga fjaku i flliqt”