Erjon Bogdani e vlerëson si një hap të duhur rinovimin e kontratës së trajnerit Xhani De Biazi, por është i çuditur me italianin për lënien jashtë të sulmuesit Edgar Çani në ndeshjet e fundit eliminatore. Në një rrëfim të jashtëzakonshëm për karrierën e tij, golashënuesi më i mirë i Kombëtares shqiptare flet për gjithçka. I ftuar në emisionin “Sport VIP”, të drejtuar nga gazetari Altin Sulçe, në televizionin “Ora News”, bomberi kuqezi tregon edhe si njohu Luçiano Moxhin, por gjithashtu edhe për raportin e tij me yllin e Juventusit, Andrea Pirlo.
Për një dekadë me radhë, një komb i tërë ka ndjekur sistematikisht një djalë, i cili na ka përfaqësuar në mënyrën më të mirë të mundshme në një nga kampionatet me të mira Europës dhe botës, siç është Seria A…
Vjen koha që dhe unë, si çdo njeri tjetër, të filloj të shtunë e të diel t’i kem pushim. E kam filluar duke luajtur basketboll, pasi kam qenë në shkollën tetëvjeçare “Avni Rustemi” dhe aty orët e fizkulturës ishin përherë të lidhura me basketbollin. Kam luajtur shumë në orët sportive dhe jashtë orarit shkollor, pasi e kisha afër shkollën me shtëpinë.
Kjo ju ka ndihmuar të bëheni 1.92 i gjatë?
Mbase.
Si e keni nisur futbollin?
Edhe unë nuk e di si e kam nisur. Isha në shkollë kur papritmas hyn në klasë një trajner i Partizanit, që ishte Ilir Spahiu, që dua ta falënderoj shumë. Ai hyri në të gjitha klasat duke thënë: “Unë jam trajner futbolli dhe kur të mbaroni mësimin, do të luajmë futboll dhe unë do shikoj si do të luani”. Pasi mbaroi kjo ndeshje, ai erdhi dhe më tha: “Ti duhet të vish të luash te klubi ‘Partizani’, sepse ke talent. Unë isha në dilemë të madhe dhe i thashë që duhej të fliste me familjen time. Prindërit, babai mësues matematike dhe mamaja mësuese historie, donin që unë patjetër të vazhdoja shkollën.
Keni pasur vështirësi? Se shumë familje i frenojnë fëmijët e tyre…
E kisha të vështirë momentin kur duhej t’i thosha babait tim që dua të luaj futboll, sepse të gjithë kur janë fëmijë duan të luajnë futboll apo basketboll, por asnjëherë nuk e di se sa do arrish të bëhesh futbollist i mirë apo basketbollist i mirë. Megjithatë, babai dhe nëna ime janë krenarë për karrierën time.
Këpucët e sportit i kishit të mira?
Jo, jo. Luaja edhe zbathur. Kështu ishte atëherë. Kur do luanim futboll 3 kundër 3 apo 4 kundër 4 binim dakord, pyesnim: “Si do të lozim, pa të vrarë, po apo jo”. Atëherë i hiqnim të gjithë këpucët dhe luanim zbathur.
Çfarë do të thotë fotoja ku jeni me një fanellë në të cilën shkruhet: “Për jetë me ty”?
Unë, në të gjitha intervistat që kam dhënë në Shqipëri dhe në Itali, e kam falënderuar shumë ekipin e Partizanit, për arsye sepse aty e kam nisur futbollin. Kam kaluar nga paratërinjtë, tek të rinjtë dhe më pas tek ekipi i parë. Kjo, edhe për dëshirën e madhe të gjyshit tim, i cili ka qenë komandant artilerie dhe donte që unë të luaja me Partizanin.
Vetë me kë keni qenë tifoz?
Tifoz gjithmonë kam qenë i Tiranës, sepse vetë kam lindur në Tiranë dhe familja e babait tim është tiranase. Megjithatë, futboll kam luajtur me Partizanin.
Është e vërtetë që ju kanë ardhur tifozët e Tiranës me daulle në shtëpi dhe ju thoshin: Hajde te Tirana?
Është e vërtetë. Kjo ka ndodhur kur kam ardhur nga Turqia dhe nuk doja të lidhesha me asnjë klub për punën e kartonit. Tirana dhe Partizani më bënë ofertë, por unë përfundova te Dinamo.
Së fundmi pati një nismë për rikthimin tuaj te Partizani…
Kam folur edhe me drejtuesit e Partizanit, por megjithatë nuk e mendoj të kthehem në Shqipëri. Ndoqa dhe ndeshjen Partizani-Tirana, ishte një derbi me luftë sportive. Kisha shumë vjet pa parë një ndeshje në kampionatin shqiptar, megjithatë kur e pashë, atmosfera ishte shumë e bukur.
Karrierën ndërkombëtare e keni filluar në Turqi…
Po. Kam luajtur 6 muaj në Turqi. Ishte një futboll shumë më i fortë se ai që luhej në Shqipëri. Nuk u ambientova dot. Ishte një eksperiencë e vogël. U ktheva në Shqipëri pasi luajta pak ndeshje me ekipin e Dinamos dhe pastaj shkova në Kroaci.
Kroatët ju morën, ju përgatitën, ju bënë gati për në treg dhe ju hodhën në Itali…
Kam luajtur nga jugu deri në veri të Italisë.
Si ishte atëherë atmosfera, kishit emocione kur shkuat në Itali?
Kisha shumë emocione. Madje kur kam firmosur me ekipin e Rexhinës, firmosa 10 minuta para se të përfundonte orari zyrtar i transfertave. Dhe kur kam shkuar për të fjetur, në mendje më gjëmonte, jam unë lojtar për të luajtur në Kategorinë e Parë në Itali, apo nuk jam? Mbaj mend që të nesërmen në mëngjes u nisa me presidentin e Rexhinës nga Milano në Firence, pasi ekipi kishte ndeshjen e radhës kundër Fiorentinës.
Na tregoni pak për raportin tuaj me Luçiano Moxhin, një personazh shumë i njohur në Itali…
Po, është babai i menaxherit tim, Alesandro Moxhit. Dy herë e kam takuar në jetën time, por mendoj se është një ndër drejtorët sportivë më të mirë në Itali vitet e fundit dhe ka shumë nuhatje për futbollistët.
Kur e keni takuar për herë të parë, çfarë ju ka thënë?
Më tha që të vazhdoj të punoj kështu për ekipin dhe për veten, sepse ka shumë skuadra në Itali që interesohen për shërbimet e mia.
Keni qenë ndonjëherë afër marrëveshjes me ndonjë ekip të madh?
Po, afër Romës dhe e mbaj mend mirë, sepse ishin 20 minutat e fundit kur do të mbyllej merkatoja. Roma duhej të largonte një ekstrakomunitar. Ishte Nonda, që shkoi te Gallatasaraji dhe unë isha shumë afër, por në fund, pra në 5 minuta e fundit, zgjodha të shkoja te Livorno një vit në huazim. Kur mora vesh se në 3 minutat e fundit Nonda kishte shkuar te Gallatasaraji, atëherë nuk diskutohet që ishte një peng i madh për mua.
Na flisni pak për Ibrahimoviç?
Ishte ndeshja e tij e parë me Milanin dhe fitoi Çezena 2-0 me golin tim dhe të Xhakerinit. Pas ndeshjes folëm pak dhe ishte shumë i mërzitur, por i thashë se me ekipin që kishin do fitonin kampionatin, dhe ashtu doli.
A është ai një ndër sulmuesit më të mirë në planet?
Po, është ndër sulmuesit më të mirë në qarkullim. Është një nga sulmuesit që në Itali, edhe pa shumë ndihmë nga skuadra, bën diferencën.
Ju keni pasur shansin të jeni pranë lojtarëve të mëdhenj. Çfarë mbani mend nga sallonet e mëdha të futbollit italian?
Kam luajtur me shumë kampionë. Jam mundur, kam fituar, kam shënuar, por ka qenë një futboll shumë i fortë. Është krenari që kam luajtur në nivele të tilla me lojtarë kaq të mëdhenj.
Me Totin jeni grindur?
Po, jam grindur në një ndeshje Çezena-Roma, por pas ndeshjes gjithçka shkoi normalisht.
Si janë këta lojtarët kaq të mëdhenj në jetën e përditshme?
Unë mund të flas me kompetencë për njërin prej tyre. Ai është Andrea Pirlo, një njeri shumë i thjeshtë dhe i komunikueshëm me njerëzit edhe jashtë futbollit. Kam folur me shumë lojtarë. Unë kam takuar jashtë futbollit edhe Ambrozinin, Trezegen, Kielinin dhe Del Pieron, të cilët janë njerëz të thjeshtë. Kemi qenë bashkë në dy apo tri evenimente dhe darka miqsh.
Keni pasur ndonjëherë probleme me trajnerët në Itali?
Jo, asnjëherë, për vetë natyrën që kam. I keni thënë mirupafshim Serisë A dhe futbollit të luajtur? Do ta marr këtë vendim në dhjetor ose janar. Edhe sot që po flasim, kam pasur telefonata nga ekipe të Serisë B.
Keni një ofertë nga SHBA-ja, është e vërtetë?
Po, kam pasur ofertë dhe bisedime, por të shohim.
Cili ka qenë raporti juaj me median në Itali dhe Shqipëri?
Në Itali raportet kanë qenë shumë të mira, por ama kur ekipi nuk ka ecur, ka pasur edhe raporte direkte, pasi edhe të kritikonin. Por, një profesionist duhet të mësohet me kritika dhe lavdërime.
Është e vështirë të jesh futbollist në Serinë A?
Po, është e vështirë, sepse media është agresive. U bë 13 vjet që luaj aty dhe kur shoh që kanë kritikuar Zidanen, Totin, Henrinë, Ibrën etj., atëherë mendoj se është normale që edhe të të kritikojnë. Megjithatë, kjo ka qenë forca ime, sepse mendoja kur kritikojnë kampionët dhe nuk reagojnë, atëherë kështu duhet të veproj edhe unë. Mbaj mend njëherë kur Siena luante kundër Milanit dhe në pjesën e parë Milani na shënoi tre gola. Ditën tjetër kisha notën më të ulët në gazetë, si dhe pashë që shkruhej se Bogdani nuk është në formë dhe thoshte se duhej të isha vetëm rezervë. Pas pesë ditësh luajtëm në Palermo dhe shënova 3 gola. Aty pashë se isha më i miri dhe isha super… Mendoj se duhet të ketë ekuilibër edhe në media.
Stërvitja në Itali është më shumë fizike apo taktike?
Nëse ndeshjen e luajmë të dielën, atëherë të martën dhe të mërkurën kemi një stërvitje shumë fizike. Pra, është shumë e rëndë dhe me një ngarkesë të lartë, por gjithsesi është regjimi dhe mënyra e të ushqyerit që e bën një futbollist të përballojë këtë intensitet në formë.
Cili është ushqimi special?
Ushqehemi me të gjitha gjërat, por nëse mund t’ju them diçka të veçantë, ka të bëjë me pastat, të cilat na këshillohen t’i konsumojmë përpara ndeshjeve për të marrë sa më shumë karbohidrate. Në Itali janë tepër të rreptë për këto gjëra dhe dietologu ndodhet gjithnjë pranë skuadrës.
Ju kanë gjobitur ndonjëherë për mbipeshë?
Sinqerisht nuk kam marrë asnjë gjobë, pasi kurrë s’kam qenë mbipeshë.
Për ata që nuk e dinë, ju keni edhe një vëlla binjak…
Po, me Adin, por faktikisht nuk ngjaj shumë me të. Ai ka qenë portier, ndërsa unë sulmues. Shpesh vinte kur unë stërvitesha me Kombëtaren dhe bënim batuta, pasi më kërkonte të kujtoja penalltitë që më ka pritur dhe bastet e humbura.
Të kalojmë te trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, i cili ka rinovuar kontratën. Cila është përshtypja juaj?
Mendoj se është diçka pozitive dhe e menduar mirë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Nën drejtimin e De Biazit, Kombëtarja ka bërë një fillim edicioni shumë të mirë, edhe pse e mbylli me disa ndeshje jopozitive. Gjithsesi, unë do ta cilësoja si zgjedhje të duhur vazhdimësinë e tij si trajner i përfaqësueses, sepse ai e njeh mjaft mirë këtë grup lojtarësh dhe kjo ka shumë rëndësi.
Si shpjegohet që në ndeshjet më të rëndësishme Shqipëria gabon gjithnjë?
Kjo është e vërtetë, por duhet të kemi parasysh se në këtë edicion ekipi ynë ka qenë në një fazë tranzicioni. Janë bërë shumë ndryshime dhe nuk duhet të harrojmë që nga ekipi janë larguar emra si Skela, Lala dhe Duro, por jo vetëm. Lojtarët e rinj që kanë ardhur, natyrisht e kanë shumë të vështirë, por duhet t’u lihet koha, sepse jam i bindur që në edicionin e ardhshëm Kombëtarja do arrijë rezultate më të mira.
Ju ka mbetur peng fakti që nuk luajtët si titullar ndaj Norvegjisë, në ndeshjen ku barazuam 1-1 në Tiranë?
Ishte një ndeshje ku kisha shumë dëshirë të luaja dhe është e vërtetë që më ka mbetur pak si peng. Megjithatë, më duhet t’ju sqaroj se raporti im me trajnerin ka qenë korrekt dhe i kam respektuar gjithnjë vendimet e tij.
Ndryshimet e shpeshta të formacioneve dhe grumbullimet e shumë lojtarëve gjatë një edicioni, a mos ndoshta i kanë prishur ekuilibrat në skuadër?
Ndryshimet e shpeshta nuk janë të mira, pasi bojarëve që e kanë nisur si titullarë dhe më pas nuk grumbullohen fare u humbet besimi. Gjithsesi, De Biazi i njeh mirë të gjithë lojtarët aktualë, por më duhet të them se trajnerë të mëdhenj si Murinjo apo Ançeloti, në harkun e një sezoni punojnë gjithnjë me 22 lojtarë, duke i evituar ndryshimet e shpeshta.
Çfarë përshtypje ju la rasti i Edgar Çanit, i cili në ndeshjet e fundit nuk u grumbullua nga De Biazi?
Në fakt, të them të drejtën, mosgrumbullimi i Çanit së fundmi ishte shumë i çuditshëm. Them kështu, sepse ka pasur një periudhë kur Edgari ka qenë pa skuadër për më tepër se një vit dhe grumbullohej gjithnjë nga De Biazi, duke qenë madje titullar. Ndërkohë, ky vendim për lënien jashtë të tij, në një kohë kur po aktivizohet tek ekipi i tij në Itali, ishte disi absurd. Ai mund të ketë luajtur dy-tri ndeshje të dobëta te Karpi, por kjo nuk do të thotë gjë. Sidoqoftë janë vendime të trajnerit.
Keni kaluar shumë trajnerë në Kombëtare, çfarë ju kujton gjermani Brigel?
Me Brigelin kam pasur një mosmarrëveshje kur kam qenë i dëmtuar. Fola në telefon me të dhe më tha se unë duhet të vija patjetër në Kombëtare, ndërkohë që isha i dëmtuar. Megjithatë, më shumë kam mbetur i zhgënjyer nga Brigeli në ndeshjen ndaj Zvicrës, ku më la në tribunë. Nuk e meritoja këtë trajtim.
Çfarë do të thotë të shënosh 19 gola në 74 ndeshje me Kombëtaren dhe për më tepër të jesh golashënuesi më i mirë i Shqipërisë?
Kur kam nisur të luaj futboll si profesionist te Partizani, ëndrra ime ka qenë të bëhesha pjesë e një klubi me famë në Europë dhe të vishja fanellën e Kombëtares. Për mua ka qenë një ëndërr e realizuar, pasi kam luajtur për 13 vjet në një nga kampionatet më të forta në botë dhe kam arritur të shënoj 19 gola, si askush futbollist tjetër me përfaqësuesen.
Cili ka qenë goli juaj më i bukur me Kombëtaren shqiptare?
Mendoj se ai që i shënova Qipros në fitoren 3-1 është një ndër më të bukurit e karrierës sime. Megjithatë, nuk u gëzova shumë atë ditë, sepse në orarin e ndeshjes ndërroi jeta gjyshja.