Rojtar apo hajdut

24 Tetor 2013, 11:15Sociale TEMA

Rasti i objekteve të sekuestruara dhe historia publike e Gjergji Thimos. Kërkesat ndër vite për hapjen e një muze privat, intervistat dhe deklaratat e bashkëshortes pas arrestimit. Qëndrimi i prokurorisë dhe pritja për të mësuar të vërtetën zyrtare

Nga Alida Cenaj*

 

Pjesë ikonostasesh, ikona të përmasave të mëdha e të vogla, mesharë e objekte të tjera me funksion fetar ose jo, u përzien bashkë në hollin e Galerisë Kombëtare fundjavën e shkuar. Shenjtorë me ngjyrat e papërsëritshme të Onufrit apo vëllezërve Zografi, disa të dëmtuara, të rrjepura nga koha ose dora e njeriut, Shën Mëria, Krishti, Gjon Pagëzori, Shën Gjergji etj., dolën nga valixhe udhëtarësh, ashtu siç ishin gjetur, dhe u ekspozuan për një publik kureshtar, nën masa të rrepta sigurie. Një koleksion mbresëlënës nga ata që do t’i dëshironte çdo muze t’i kishte në arkivën e tij. Sidomos në një vend si Shqipëria ku trashëgimia kulturore po zhduket, vidhet e shkatërrohet çdo ditë dhe ku askush nuk di të thotë me saktësi se sa kemi humbur e sa na ka mbetur nga ajo çfarë kemi trashëguar nga e kaluara e largët. Prandaj dhe lajmi i fillimjavës që lamë pas ishte nga ata që nuk mund të kalonte në heshtje. Falë një aksioni të policisë, i quajtur “Ikona”, ishin sekuestruar plot 1077 objekte arti, të vjedhura në Shqipëri dhe Maqedoni, të destinuara për t’u shitur jashtë vendit. Kështu thoshte të paktën deklarata e dalë nga policia e cila më pas u shoqërua edhe nga prania e kryeministrit Edi Rama, Ministri i Rendit, Saimir Tahiri dhe ajo e Kulturës, Mirela Kumbaro ditën e ekspozimit të tyre në Galeri. Pamjet e objekteve të çmuara që dilnin një e nga një nga furgonët e policisë ishin njësoj të bujshme.

Më në fund pra një lajm i mirë: Në një kohë kur faqet e kulturës dhe jo vetëm, mbushen me foto kishash e zonash muzeale të vjedhura e të dëmtuara në mënyrë të pakthyeshme, një thesar me vlerë miliona dollarësh (për të mos folur për vlerat historike dhe kulturore), kishte shpëtuar. Me të drejtë secili prej qeveritarëve të lartë u tregua entuziast në deklaratat e tyre publike.

Specialistët thanë se ishin ngritur ndërkohë dy grupe pune, me ekspertë të trashëgimisë kulturore, të cilët veç identifikimit, fotografimit dhe kartelizimit paraprak të këtyre veprave të artit do të bënin edhe krahasimin me kartela që disponon Qendra Kombëtare e Inventarizimit, për të parë se cilat nga këto vepra janë të denoncuara si të vjedhura. Pas kësaj, origjina e të tjerave dukej më e thjeshtë për t’u gjetur: Nisur nga karakteristikat artistike që kanë, por edhe nga tipologjia, do të gjendeshin se prej nga janë shkulur e vjedhur për të vendosur në fund nëse do të ktheheshin mbrapsht në vendin e origjinës apo do të ekspozohen. Nisur nga deklaratat e policisë dhe të tjerat që dolën më pas, vlen të besosh se të gjitha objektet ishin të vjedhura, drejtpërdrejtë nga objektet e kultit, apo të shitura nga persona të tretë – kjo duket pa rëndësi krahasuar me problemin: Jo shumë larg qendrës së kryeqytetit, 1077 objekte me vlerë të pallogaritshme fshiheshin në pritje të shitjes diku larg. “Bazat” ku këto objekte ishin mbledhur ishin shtëpitë e dy të arrestuarve, Gjergji Thimo dhe Arben Spaho. Asgjë për t’u veçuar, sikur njëri prej të arrestuarve të mos ishte një emër i njohur, jo vetëm për gazetarët, por po aq edhe për publikun. Nëse i dyti u deklarua si një personazh problematik, i arrestuar disa herë për vjedhje, Thimo njihej prej vitesh si koleksionist, nga ata që ka dhënë me dhjetëra intervista këto 15 vjetët e fundit (e me po kaq ekspozita të hapura në Korçë, Tiranë e Durrës), ku deklaronte se posedonte një pasuri të tërë, ca të trashëguar e ca të blerë, dhe që i lutej çdo qeverie që vinte e shkonte t’i jepte me qira një mjedis për të hapur një muze privat ku t’i ekspozonte këto vepra. Në çdo intervistë a emision televiziv të realizuar për të, Thimo kishte deklaruar se posedonte 150 ikona “të shpëtuara nga duart e trafikantëve”. Nëse Gjergji Thimo ishte i kësaj kategorie, pra një koleksionist me një pasuri të dokumentar, sa prej objekteve të sekuestruara ishin pjesë e koleksionit të tij të ligjshëm dhe sa të vjedhura? A ishte apo jo i përfshirë në këtë rrjet Thimo apo bëhet fjalë për një gabim?

Deri kur hetimi i prokurorisë të përfundojë dhe të kemi një deklaratë zyrtare që i përgjigjet këtyre pyetjeve, mbetemi tek intervistat, personazhi Thimo, deklaratat e bashkëshortes dhe objektet e sekuestruara. Siç ka rrëfyer në intervistën e fundit, atë të marsit të vitit të kaluar për gazetën Mapo, Thimo posedonte punime të mjeshtërve të mëdhenj të ikonografisë shqiptare si Onufri, Kostandin Shpataraku, David Selenicasi, vëllezërit Zografi, Çetirët e shumë autorë anonimë. Rreth 150 të tilla (pa llogaritur objekte të tjera), që prisnin prej vitesh hapjen e një muzeu privat (Thimo ka edhe licencë si muzeolog, e marrë në kohën kur ministër Kulture ishte Teodor Laço), për të cilin ai i lutej çdo qeverie, kryeministri e ministri kulture. Sipas tij, ikonat i kishte shpëtuar nga një tentativë për vjedhje në vitin 1997 e meqë nuk arriti të shpëtonte nga flakët shtëpinë e tij në Korçë, ku edhe ruante këtë koleksion – i krijuar, sipas tij, mbi bazën e një trashëgimie familjare dhe të pasuruara vit pas viti prej tij – u detyrua të zhvendosej në Tiranë ku jetonte me bashkëshorten dhe katër fëmijët në një shtëpi me qira në rrugën “Don Bosko”.

“Nuk kam ku t’i mbaj”, ka thënë ai në intervistën e fundit. “Është një koleksion me vlera të mëdha dhe që do kujdes, Që prej vitit 1996 po luftoj për të ngritur të parin muze të ikonografisë shqiptare me qëllim ekspozimin, por edhe ruajtjen e këtyre vlerave”.

Kartën e fundit, Thimo e përdori vjet, për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ai kërkoi ndihmën e 100 intelektualëve shqiptarë, shkrimtarë, historianë, muzeologë e akademikë, (duke filluar që nga Ismail Kadare, Ferid Hudhri, Beqir Meta, Pëllumb Xhufi etj) që ta mbështesnin këtë iniciativë. Siguroi rekomandimet dhe firmat e këtyre 100 intelektualëve dhe pretendonte që dosjen t’ia dërgonte kryeministrit të vendit. “Mendoj se tani është momenti më i mirë për të ngritur një muze të tillë. Jemi në 100 vjetorin e pavarësisë dhe këto vepra janë pjesë e identitetit tonë kombëtar”.

Siç ka treguar Thimo në këtë intervistë, por edhe të tjera dhënë për televizione të ndryshme shqiptare, koleksioni i tij ka filluar të ruhet që në kohën e diktaturës.

“Familja ime i përket ortodoksisë shqiptare dhe në shtëpinë tonë në atë kohë ruheshin ikona të cilat m’u trashëguan. Gjyshja ime ka qenë dhaskalicë në shkollën shqiptaro-greke, ndërsa gjyshi teolog. Ikonat i mbanim të fshehura në disa musëndra (dollape në mur) ku mblidhnim të tilla dhe i ruanim. Edhe babai im ka mbaruar teologjiken në shkollën greke dhe kur janë hapur kishat në Shqipëri ishte themeluesi i parë i Kishës në Korçë”.

Ndërsa për pjesën tjetër Thimo pretendon se i ka blerë vetë, “në ato vite ku ikonat shiteshin në Greqi për një vizë”.

Si biznesmen në vitet e para të pas 90-ës, Thimo ka pretenduar se ka pasuruar koleksionin e tij, të cilin e ka regjistruar në Qendrën e Inventarizimit të Pasurive Kulturore.

“Pasi mbarova gjithë dokumentacionin e kartelizimit të këtyre veprave iu drejtova edhe Këshillit të Ministrave, në atë kohë kryeministër ishte Fatos Nano, dhe i prezantova dosjen e plotë të projektit të muzeut, por as sot e kësaj dite nuk kam marrë përgjigje”.

Sa gënjen e sa thotë të vërtetën Gjergji Thimo, duhet të presim përfundimit e hetimit të prokurorisë. Mund të ndodhë që në shtëpinë e tij të jenë gjetur më shumë se 150 ikona dhe ndonjë prej tyre e paregjistruar, siç ende nuk mund të përjashtohet fakti se janë sekuestruar pikërisht ato për të cilat koleksionisti flet. Sidoqoftë e sigurta është që të paktën këto 150, të publikuara me foto dhe certifikata, nuk kanë qenë kurrë të fshehura madje përgjatë këtyre viteve janë ekspozuar më shumë se një herë në Tiranë, Korçë e Durrës, në Muzeun Historik Kombëtar e në Pallatin e Kongreseve, në prani edhe të qeveritarëve të lartë të shtetit shqiptar, trupit diplomatik etj, dhe kanë marrë vlerësimet maksimale.

Të njëjtit rrëfim, por jo me kaq shumë detaje i qëndron edhe bashkëshortja e Gjergjit, Esmeralda. Pranë shtëpisë me qera në “Don Bosko”, ata kanë ngritur edhe një biznes të vogël, bar-restorant dhe Esmeralda pothuaj të gjithë ditën e çon aty. Vizitat e gazetarëve gjatë këtyre ditëve duken të zakonshme për Esmeraldën, e cila, siç thotë, shpresën e ka varur tek media për ta vënë drejtësinë në vend.

“Gjergji nuk është marrë kurrë me trafik e as me vjedhje. Ai ka kaq vite që flet për këto ikona në gazeta dhe televizione, që lutet të hapë një muze e madje ka sakrifikuar shumë për ta bërë atë koleksion. Tjetërkund fshihet e vërteta. Pas gjithë kësaj historie është loja e poshtër e një deputeti të pozitës së sotme, por jam e sigurt se shumë shpejt e vërteta do të dalë në shesh”.

Esmeralda nuk di ta thotë numrin e saktë të ikonave e as objekteve të tjera që ruante i shoqi. I vetmi shqetësim prej gruaje është vendi që ato zinin në shtëpi, por edhe një dhomëz në lokal, e cila ishte e mbushur me objekte prej druri.

“I vumë aty sepse lëshonin pluhur druri dhe në shtëpi nuk i mbanim dot”, tregon me dorë nga një derë e mbyllur në prag të së cilës është mbështetur një punim në dru, ndoshta jo aq i rëndësishëm sa të sekuestrohej. Rrëfen me detaje ditën e arrestimit, mbërritjen e furgonit të policisë në lokal dhe në shtëpi, prangosjen e të shoqit dhe sekuestrimin e gjithçkaje. “Më morën edhe të gjitha qëndismat e mamasë time madje edhe një vazo lulesh, pa pjesën e poshtme, që e kisha vënë në banak për zbukurim. As tani nuk di të të them se çfarë më mungon në shtëpi”.

Siç nuk ia ka idenë e numrit të saktë të objekteve, as atyre që ishin regjistruar dhe të tjera në proces regjistrimi.

“Di vetëm se një pjesë e vogël e ikonave ishin në proces regjistrimi dhe Gjergji priste të merrte certifikatat”.

Por ndërkaq në deklaratën e policisë u tha se Thimo ishte arrestuar edhe një herë tjetër vite më parë për vjedhje. Diçka e ngjashme mbase?

“Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ajo ka qenë një histori ku ne u mashtruam nga disa individë të cilët na dhanë pajisjet e një lokali në Shëngjin. U besuam dhe më vonë doli se ata ishin në konflikt me të zotët e lokalit dhe Gjergji u përfshi vetëm se nuk u paraqit në gjykatë. I tillë është Gjergji, neglizhent për punët e veta. Atëherë thoshte se nuk ka problem, por e morën, pavarësisht se gjithçka u sqarua shumë shpejt. Thjesht dha dëshminë e tij”.

Një të tillë, siç shkruhet në të përditshmet e Tiranës ka dhënë edhe në prokurori. Nuk ka pranuar asnjë prej akuzave dhe i qëndron idesë se i gjithë koleksioni i tij është i ligjshëm. “Gjergji i ka marrë me vete certifikatat e koleksionit ditën që u arrestua”, shton Esmeralda.

“Prandaj e di se kjo çështje do të sqarohet shumë shpejt”.

Që Thimo nuk është personazh i panjohur, e ka dëshmuar edhe drejtori i Qendrës së Inventarizimit, Izet Duraku, një ditë pas publikimit të aksionit të bujshëm.

“Erdhi një moment që në vitin 2011 ne e ndërpremë këtë komunikim, pasi veprat që ai pretendonte se ishte pronar, ishin të dyshimta dhe pa dokumentacionin e duhur”, ka thënë Duraku. “Ndër to kishte vepra me dimensione shumë të mëdha, të cilat kishin prejardhje të paqartë ndërkohë që kuptohej se origjina e tyre ishin objektet e kultit. Në vazhdimisht i kërkonim vërtetimet përkatëse nga subjektet që i kishte blerë, nga Kisha Ortodokse e të tjera institucione, çka ai nuk i sillte”.

A bëhet fjalë për ato objekte që e shoqja e Thimos thotë se janë në proces legalizimi apo jo, as kjo nuk mund të thuhet.

Ndërkaq në raportin e prokurorisë figurojnë 1077 objekte të sekuestruara, ndër to, siç raportuan mediat, 223 ishin ikona, 4 piktura murale, 522 piktura bronzi dhe 322 objekte të periudhës mesjetare. Vetëm 477 ishin ato që u bënë publike dhe u ekspozuan. Informacionet që dolën nga prokuroria (ende në hetim), thonë se ekzistojnë të gjitha provat që vërtetojnë se Gjergj Thimo dhe Arben Spaho kanë kryer vepër penale. Lajmeve të publikuara në media, se operacioni nuk ishte asgjë tjetër veçse një bllof, meqë Thimo njihej si koleksionist dhe veprat i kishte të regjistruara, burime jozyrtare të prokurorisë iu përgjigjën me citime nenesh dhe ligjesh. Si fillim me Kodin Penal, në të cilin thuhet se “importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi në kundërshtim me ligjin i veprave të artit dhe të kulturës, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet”.

Në rastin konkret, sipas lajmeve të të përditshmeve shqiptare, Thimo dhe Spaho nuk kanë kryer importim, as eksport apo tranzitim, por kanë bërë tregti, çka përbën njësoj shkelje ligji.

A u kapën në flagrancë apo jo, kjo ende nuk dihet dhe as është sqaruar. Por, gjithashtu në Kodin Penal thuhet se “po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose sjell pasoja të rënda dënohet me burgim nga pesë deri në 15 vjet”. Edhe në këtë rast akuza thotë se ka faktuar tregtimin në bashkëpunim të këtyre veprave penale, që në gjuhën e ligjvënësve thuhet “trafik i veprave të artit”.

Madje tregtimin, siç thuhet, e kanë pranuar edhe dy të arrestuarit, duke pohuar se Gjergj Thimo i kishte rreth 20 milionë lekë (të vjetra) Arben Spahos. Si këmbim, pa dokumente, ai i kishte dhënë disa nga këto ikona që janë regjistruar si vepër arti. Në këtë rast akuza thotë se ka vepruar në zbatim të ligjit për dy të pandehurit, ndërsa verifikimet e mëvonshme mund të zbardhin edhe vjedhjen e këtyre ikonave.

Por në të njëjtën kohë, të njëjtat burime nga prokuroria, pranojnë se Gjergji Thimo ka deklaruar se është koleksionist privat, madje ka shpjeguar se e ushtron këtë aktivitet në bazë të një vendimi gjykate. Ai u ka shpjeguar prokurorëve se nuk ka asnjë ikonë të vjedhur dhe se disa prej tyre janë në proces verifikimi nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit.

Sa për marrëdhënien me Spahon ai ka sqaruar se e ka pasur klient në lokalin e tij, ndërkohë që ky i fundit ka folur për borxhin, në këmbim të të cilit ka marrë ikonat, të cilat i janë gjetur në banesë. Sipas Spahos, ai ka bashkëpunuar me Thimon për restaurimin e ikonave, një zanat që e ka mësuar në Greqi. Por prokuroria këmbëngul se ka dyshime se disa ikona janë të vjedhura. Jo zyrtarisht, mbështetur në ato çfarë thuhen, i bie që i gjithë aksioni është mbështetur në faktet e transportimit të veprave nga shtëpia e Thimos tek ajo e Spahos (për restaurim ose jo) dhe tregtimi i tyre. E meqë ndryshimi i destinacionit është një tjetër shkelje ligji sipas prokurorëve, e parashikuar në Ligjin për Trashëgiminë (në nenin 19 të të cilit thuhet se lëvizja nga vendet e caktuara të objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, me vlera të zakonshme, për ruajtjen, restaurimin, studimin dhe eksportimin jashtë territorit të vendit, bëhet me lejen e ministrit të Kulturës), mbi dy të arrestuarit ngrihet edhe një tjetër akuzë.

Por të gjitha këto mbeten vetëm arsyetime ligjore sepse në Ligjin për Trashëgiminë nuk thuhet nëse neni 19 vlen edhe për koleksionet private në Tiranë. Mund të ishte arrestuar edhe një ose dhjetë vjet më parë, kur jepte intervista dhe hapte ekspozita me ikonat e tij. Por sigurisht asnjë prej këtyre nuk e shpall të pafajshëm, të paktën deri kur prokuroria të dalë me një raport të plotë, në të cilin të sqarojë nëse janë apo jo të vjedhura e nëse është bërë ose jo tregti me to. Ndoshta, asgjë prej këtyre nuk do të kishte ndodhur sikur Gjergji Thimos t’ia kishte vënë veshin ndonjë kryeministër apo ministër përgjatë këtyre viteve. Sikur të kishte ndodhur kjo, me shumë gjasë tani ikonat e tij do të ishin të ekspozuar në ndonjë muze privat, mbase më të famshmin në llojin e tij.

*Revista KLAN

13 komente në “Rojtar apo hajdut”

  1. Albanicus says:

    Ka ardhur koha qe te vendosen rregulla shume strikte per koleksionistet.
    Koleksionistet jane pasuri kombetare dhe me gjere.
    Koleksionet e tyre duhet te behen te ekpozueshme per publikun.

    Nje menyre shume e pershtateshme eshte qe te gjenden mekanizmat qe te ngrihet nje muze i madh me te gjitha kushtet per ekspozim dhe ruajtje te sigurte te koleksioneve private te te gjitha fushave.

    Cdo koleksionist do te kete pavionin e vete specifik, duke filluar nga koleksioniste shume te vegjel qe mund te jen me mijera dhe duke mbaruar me koleksioniste te medhenj qe mund te kene rendesi per trashegimine boterore.

    Une mendoj se ne Shqiperi duhet te stimulohet nga shteti procesi i koleksionimit privat te objekteve ndonjehere edhe shume te rendomta te cilat duken si pa vlere por ne te ardhmen marrin nje vlere te jashtezakonshme per deshmimin e trashegimise sone e me gjere.

    I rekomandoj kryeministrit te Shqiperise z. Rama te jape kontribut ne kete fushe qe te lere gjurme te forta e te sigurta ne trajtimin shkencor te koleksionisteve dhe koleksioneve.

    Ndertimi i nje muzeu modern te koleksioneve shqiptare do te jete nje terheqje magnetike per turiste nga gjithe bota.

  2. Albanicus says:

    Gjithashtu ndertimi i muzeve ne fushe shume te ngushta specifike por te menaxhuara sipas praktikave me te mira nderkombetare do te jete gjithashtu nje terheqje magnetike per turistet nga e egjithe bota por do te permiresoje edhe ambientin kulturor.

    Ne mund te kemi muze unike ne bote. Ne kete fushe duhet te perjashtohet ndikimi i politikes pasi frenon.

    Muze te tilla si : Muzeu i ndalimit te fese, Muzeu i xhubletes, Muzeu i sigurimit te shtetit te periudhes moniste, Muzeu i gastronomise tradicionale shqiptare, Muzeu i qendistarise tradicionale etj etj do te ngrejn ne nje shkalle te jashtezakonshme interesin e turisteve per te vizituar vendin tone ne vazhdimesi.

  3. Kendveshtrim tjeter says:

    Kush ka miqesi me piktor,skluptor,koleksionist etj,ka patur mundesine te shikoj ne banesat e tyre,te ekspozuara te gjitha veprat e tyre,neper muret e koridoreve dhe dhomave!
    Asnjeri nuk bashkepunon me pikat e shitjeve te veprave te artit.
    Kontrabanda me pikturat,ka kapur SHBA,ku ata jane hequr nga kornizat dhe ne beze jane “eksportuar”,ku me pas jane futur ne korniza te tjera.
    Te gjithe keta artist qe punojne me veprat e artit(pikture dhe sklupture),punojne dhe shesin pa liçenc,ne te zeze.

  4. tani says:

    Nese une blej ne rruge nje ore Rolex, pavaresisht se jam i bindur se eshte e vjedhur, kjo do te thote se une jam i ndershem apo jam bashkepunetor ne krim. Per mua eshte fajtor.

  5. ardi says:

    jepini ca cash dhe ca medalje ketij qe ka shpetuar me dashje dhe pa dashje gjithe kete [pasuri shqiptare qeverite prej leshi duan akoma te marrin meritat….po plera kemi ne krye…..

  6. I PAPAMI says:

    ka gisht nga mbrapa nje deputet thote gruaja…mendojeni mendojeni…

    1. cool says:

      Zori modh me e mendu!
      Koco Kokedhima ja ka kerku me i ble kur ky dilte ne media dhe kerkonte ndihme! U njoftua nipi i Stefan Çipes dhe ky i fundit nuk i “kapi” ne Qershor, por nje nate para se te behej Drejtor i Policise se Tiranes
      Dhe te nesermen bashke me emerimin Rama u ndje si kishte zbuluar kushedi se cfare por edhe i sigurte ne suksesin e emerimeve te reja!
      Rama eshte debili ne kete mes! Kokedhima Matrapazi e Drejtori i ri teper i rrezikshem per karriere
      Gjykojeni pa ngjyra partiake dhe pa i vene faj Rames, mos me gjykoni mua qe di akoma me shume.

    2. tiger says:

      po mer po – konspiracion gjigand eshte ?

      Lexoni pak me kujdes cfare thote Drejtori i Qendres se Inventarizimit…

  7. atdhetari says:

    denimi perjetshem
    ose 30 vjet burg keshtu te denohet qe te zen mend te tjeret kane 25 vjet qe e ropen kete vend por po na heqin dhe kulturen ato qe na tregojne qe jemi vendi me i lashte ne bote po na hoqen dhe keto jemi te vdekur as shqip sdo flasim me dot brezat e tjer do jemi si jevgjit apo zingaret pa atdhe
    si mund te maresh ti edhe sikur te jesh me regulla kulturen e nje vendi qe me mijra breza me zor e ka ruajtur dhe krijuar
    tu tek ty e mer e shet jashte le qe pastaj kur ske dokument dhe asnje leter per blerje se me ligj te gjith e dime qe keto vepra s ke te drejt ti blesh apo te shiten ne asnje vend te europes vetem nen dore pra kudraband tregu i zi po gjete nai kundrabadist andej qe dhe ai si ty i ka thene jetes ik pirdhu nje komb pa kulturen e vet vdes
    pra ju doni mos t ket me shqiperi se keto jane prova autendike skulpturat pikturat etj qe na tregojne sa te vjeter jemi nesi komb
    ne nje SHPATE te vjedhur te SKENDERBEHUT dhe se marim dot kemi vite qe e kerkojme dhe me florinj ta blejme dhe ata s na i japin
    pak kane vjedhur austohungarezet gjate luftes se pare boterore por duhet te vjedhim dhe tani keto vepra qe s kan cmim
    ketu per keta duhet hitleri qe ashtu si bente me cifutet te bej me keta dhe ligjet e europes qe ti bej cdo gje po ty krijua mundesi por po u kape ama kabesh ne burg celsat ne det si e ke europa s del pa i ber tamam 30 vjet burg
    shko ti ne ROME ITALI dhe prish nje skulptUr qe ata i vendon dhe ne shesh per zbukurim dhe ta shikosh ti c te bejne te zit karabinieri te plas brenda ta gervish pak jo me ta vjedhes qe ske shancec apo ne kishe
    kurse vjedhjen e nje ekspozite me vepra arti ne ROME dhe aq me shume te kultures anike italiane romake ti ta harosh o kalbesh ne burg gjith jetes o ha plumbin por ti s ke shnce kurre ti grabitesh ato vetem ne filma aventuresk ti mund ti shikosh skenat e fantazuara por ne realitet kurre se ruhen me sisteme qe ne s na i ha mendja dhe roje
    kur do mesohet me rrgulla ky popull se ka mare kuplet kot rrumpall dynjaja dhe njerez injorant nga do shikon popull i pa civilizuar akoma dhe injorant ne kulm jo te gjithe kuptohet por nje pjes po

    1. cool says:

      Po ik e mere Shpaten o Atdhetar se e padokumentuar e ka lene Shqiperine
      Mos na bej si intelektual e i kenduar! Thimo ka dale ne 5 televizione te ndryshme dhe ka kerkuar ndihme nga shteti qe ne Nentor. Shikoje se e ke dhe ne youtube
      Katunaret nuk bejne shtet se nuk dine me shkrujt!!!

  8. Meri says:

    Ju qe shkruani artikuj:per te akuzuar apo per te mbrojtur nji person duhen dekumete te firmosura e vulosura e jo Aji tha keshtu e Ajo tha ashtu,bolle me lajme sipas mides e hamendjes….

  9. zarari says:

    S’ESHTE ME ROJTAR SE SAPO E VODHEN…

  10. ilia says:

    Gjithcka e sekuestruar eshte prone e Kishes Orthodhokse te Shqiperise dhe duhet t`i kthehet asaj, keshtu qe duhet te fillojne takimet me Kishen per te percaktuar kishat nga ku jane marre dhe te vendosen ne vendet e adhurimit te Zotit Krisht dhe nderimit te se Tereshenjtes dhe shenjtoreve.
    Njekohesisht shteti t`i ktheje KOASH-it te gjitha Kishat “monument kulture” dhe te marre pergjegjesite e veta per ruajtjen dhe zhvillimin e pasurise kulturore.
    Nese vazhdohet ne rrugen e deritanishme, ..te tilla ngjarje do te perseriten..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje