Bëri shumë bujë rikthimi i tij në Ukrainë. Mediat vendase e cilësuan si një përforcim të madh, por ja që ditëve të fundit ai po kalon nëpër momente aspak të mira.
Fjala është për mesfushorin kosovar Debatik Curri, i cili gjatë merkatos së verës, kur u nda nga kampionati turk nga skuadra Gençerbirligi, vendosi të rikthehet në Ukrainë, por jo në skuadrën ku kishte bërë “boom”, Vorksla, por nte Hoverla Uzhhorod.
Dëmtimet e shumta që e ndoqën në Turqi, bënë të besohet se ai në Ukrainë do ta rigjente përsëri formën e tij më të mirë, por ja që duket se ky vendim nuk doli të jetë edhe aq i qëlluar.
Ka kohë që atë nuk po e shohim në fushë, madje nuk po mblidhet as me ekipin, por këtë herë jo pse është i lënduar, ose nuk është në formë, por për shkak të mosmarrëveshjeve që ka me trajnerin ukrainas, Vyacheslav Grozny dhe për këtë duket se shkas është bërë kombëtarja e Shqiperisë.
“Janë disa mosmarrëveshje më trajnerin ato që po më shtyjnë të mos luaj. Ajo çfarë po bëj tani për tani është se po stërvitem shumë dhe nuk kam ndonjë problem me dëmtime, por problemi i vetëm është trajneri dhe derisa të zgjidhet kjo mosmarrëveshje më të, unë vështirë se do të luaj në këtë ekip”, tha nga Ukraina për “Zëri”, Debatik Curri, duke njoftuar se fillimi i mosmarrëveshjes kishte nisur në kohën kur ai iu bashkua kombëtares, pas rikthimit nga dëmtimi që kishte.
“Pasi që erdha te Hoverla Uzhhorod, mora ftesë nga kombëtarja dhe unë si gjithmonë iu bashkova asaj, por në ato takime unë nuk luajta. Kur u ktheva në Ukrainë, trajneri më tha që duke qene se nuk po luaja, atëherë mos t’i bashkohesha fare kombëtares. Dhe këtu nisen mosmarrëveshjet, pasi unë assesi nuk pranoj të mos jem pjesë e kombëtares”, tha 29 vjeçari, i cili ka në plan të presë deri në përfundim të këtij sezoni dhe pastaj të vendosë për të ardhmen e tij.
“Tani po pres derisa të përfundojë ky sezon dhe pastaj do të vendos se çfarë të bëj. Nëse mbetët ky trajner, më siguri duhet ta ndërroj ekipin, por gjithsesi në këtë moment nuk mund të them asgjë të sigurt”, tha mesfushori prishtinas, i cili kishte planifikuar të largohej më herët nga kjo skuadër, por ishte presidenti që e ka ndaluar.
“Trajneri ishte buzë shkarkimit dhe presidenti kërkoi të qëndroja. Por, për fat të mirë të trajnerit skuadra fitoi në testin e fundit që kishte dhe nga aty pastaj filluan edhe disa rezultate të mira, çka bëri që ai të mbetët në ekip”, njoftoi Curri, i cili më pas ka folur edhe për kombëtaren dhe planet e tij me fanellën kuqezi.
“Është normale që në ndeshjet e fundit nuk jam ftuar, pasi nuk kam luajtur fare. Sigurisht që unë pres të kthehem në ekipin e kombëtares në atë moment që filloj të luaj, qoftë në ekipin aktual apo në ndonjë ekip tjetër”, përfundoi Curri. Djaloshi prishtinas deri më tani ka pasur 38 paraqitje për kombëatren kuqezi dhe ka shënuar një gol.