Sot, ora 18.00 në Galerinë Kombëtare të Arteve, akademiku dhe njeriu i letrave të Kosovës, piktori Rexhep Ferri paraqet për publikun në Shqipëri ekspozitën vetjake e kuruar nga studjuesja e GKA-së, Suzana Varvarica Kuka.
Në ekspozitë paraqiten rreth 50 vepra në pikturë, në teknikën vaj mbi pëlhurë. Veprat janë një pjesë e krijimtarisë së tij 50 vjeçare.
Vepra më e hershme është e vitit 1967, me titull “Porosia”. Atmosfera e ekspozitës ndërtohet në idenë e titullit të saj: “Larg dhe Afër”, si një ndjesi e natyrshme dhe e gjeneruar nga hapësira e zhvillimit të arteve pamore në të dy vendet tona shqipfolëse, që në fillim të shek. XX.
Rexhep Ferri, u lind në Kukës, me 10 tetor 1937. Familja dhe jeta e tij ka përshkruar pothuajse të gjithë Veriun e Alpeve shqiptare. Ferri ka përfunduar shkollën e mesme të artit në Pejë në vitin 1958 dhe është diplomuar në pikturë në Akademinë e Arteve në Beograd në vitin 1966.
Kreativiteti i tij ka rrugëtuar në dy paralele: në pikturë dhe në letërsi, që njëkohësisht, janë zhvilluar sëbashku. Në vitin 1962, botoi poezitë e para në librin ” Shëtitësit e vonë” dhe në vitin 1967 hapi ekspozitën e parë personale, në galerinë e Qendrës Kulturore në Prishtinë. Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë se Arteve Figurative në Prishtinë dhe në vitin 2000 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku punon aktualisht.
Rexhep Ferri i përket artistëve që e formuan stilin e tyre, përmes studimit dhe kërkimit në disiplinat e modernizmit botëror. Ai kapërceu me shumë sukses kahet e forta e ndikuese të tyre dhe arriti të ketë gjuhën e tij pamore.
Ajo spikat për imazhin e pastër figurativ, ku subjekti i nisur tretet si një mbresë e lënë dhe mediumi imagjinar merr pushtetin kryesor dhe dallon i pangatërrueshëm në mesin e pasurisë së pafund të eksperincave ndërgjegjësore figurative./A.XH