Puna më e vështirë për shumicën e botuesve shqiptarë në Panairet e Librave lidhet me faktin e sjelljes kur shkëmbehen me njëri-tjetrin dhe sidomos kur u duhet të bëjnë përshëndetjet e rastit. Deri më atëherë, nuk kanë lënë gjë pa thënë dhe shumica mundohen sesi e sesi t’ia hedhin njëri-tjetrit me një përshëndetje të thjeshtë, por ja që në Panair u duhet të gjithëve të rrëfejnë se janë të lumtur. Por, a mundet që për shembull “Dudaj” ta tolerojë rastin kur sapo ishte botuar Dan Brown dhe shitjet në të gjithë botën ishin në kreshtën rritëse të kurbës, të kishte përballë botimin pirat të një Shtëpie Botuese, që është rritur këto kohë dhe i qëndron afër në panair? A munden për shembull sot e kësaj dite pinjollët e përkthyesve të njohur të kalojnë në stenda dhe të shikojnë të qetë sesi veprat e paraardhësve të tyre, përkthyesve të mrekullueshëm të plejadës së viteve ’60, ’70 dhe ’80 të jenë të përkthyera fjalë-për-fjalë nga anonimë? Kohë më parë, një rast të tillë, e hasi me një nga veprat klasike, që kish përgatitur të botonte, botuesja Brikena Çabej. Teksa përgatitej, të nxirrte botimin e saj në marrëveshje të plotë me të gjithë hallkat e duhura, në librari ia kish behur botimi pirat, madje me vetëm ndonjë ndërrim të rastit të aty-këtuit në tekst. E ndihmuar nga një sërë njerëzish të shquar të letrave, ajo u mundua të bënte një furtunë për këtë rast dhe të tjera syresh, por shpejt ajo u braktis nga vetë botuesit, kolegët e saj që kinse e kishin inkurajuar, e që u duk hapur se të gjithë u pëlqente ky lloj informaliteti i pafre.
Por, dhimbja më e madhe në këtë panair mbetet rënia e botimeve të ndryshme. 1086 deri më sot, krahasuar me 2866 të vitit të kaluar, një shifër e cila duket më shumë e diktuar nga varfëria dhe kriza sesa nga politikat kulturore, që nuk e ushqejnë dot sot shoqërinë shqiptare, sa i përket ngritjes së estetikës së jetesës. Mbase më shumë cilësi thonë disa. Për hir të së vërtetës, për këtë shumë nga botuesit nuk duan t’ia dinë pasi duket se jetojnë mirë e më mirë edhe pse mekanizmat e tyre ankimtare nuk i inkurajojnë shumë autorët vendas, shumica e të cilëve botojnë me paratë e tyre apo punën e përkthyesve që paguhen gjithnjë pak e më pak.
Panairi i Librit 2013 i ka çelur dyert këtë vit me moton “Pirateria dhe informaliteti po e vrasin librin”, një element që do të thotë se më së fundi ka një ndërgjegjësim që lufta do të fillojë nga ajo që dhemb më shumë deri më sot e i janë shmangur të gjithë. Nga ana institucionale, ajo lidhet me mungesën e mbledhjes së rregullt të Këshillit Kombëtar të Librit, që duket se e ka injoruar dukshëm realitetin shqiptar të letrave.
“Këshilli Kombëtar i librit që ka vite që nuk funksionon, madje ka vite që nuk mblidhet, do të ishte një ndihmë e madhe në skicimin dhe realizimin e këtyre politikave”, u shpreh botuesi Petrit Ymeri në një intervistë duke shtuar edhe shqetësimin e të gjithë botuesve më tej se ndërkohë që “E gjithë bota e letrave sot flet për të ulur TVSH mbi ebook-un, në Shqipëri përveç faktit të mungesës së strukturës për këtë produkt të ri libror, mungon besimi i plotë për shkak të piraterisë, dukuri e cila po mbyt prej disa vitesh botimet shqiptare dhe në raste të formës alternative, të ebook të gjithë mendojmë: a do të piratohet edhe ky produkt? Në një kohë kur në Europë përpiqen të ulin tvsh-në mbi ebook-un, të ne kemi ende këtë tatim më të lartin në Europë me 20 për qind, një absurd që nuk kemi ditur kurrë ta kuptojmë”.
Por, elementët e mungesës nuk lidhen vetëm me këtë fakt, por edhe me pakësimin e shumë prej bibliotekave në vend dhe më shumë akoma: mungesën totale të librarive të duhura dhe sistemit të shpërndarjes, që nuk është fare ashtu si duhet ose si mund të pritej. Të jemi të ndërgjegjshëm, kemi shumë e shumë qytete ku nuk funksionojnë libraritë, madje edhe në qytete kryesore, ku ato ose janë shumë të kufizuara ose më shumë se kaq janë të vendosura në vende, ku askush nuk i vlerëson, për të mos thënë që as nuk vlerësohen fare.
Lista e të këqijave nuk mbaron këtu sepse e keqja lidhet dhe me kopjimin dhe mos demaskimin e këtyre botimeve. Shumë nga botuesit i ruhen demaskimit dhe mundohen ta nxjerrin të keqen thjesht nëpërmjet të tjerëve, por pa shtruar probleme që vërtete peshojnë.
“Plagjiatura është një dukuri negative që është rishfaqur në mënyrë agresive gjatë këtyre viteve të fundit në botimet shqiptare, dhe këtë problem ne si botues duam të bëjmë problem shoqëror, problem të institucioneve, problem të lexuesve”, është shprehur Ymeri, botuesi i “Diturisë, për një nga problemet kardinale të librit.
Kurse në ditët e panairit, një shqetësim i madh honorifik, vinte nga pinjollët e shquar të kulturës shqiptare si Çabej, por dhe Kokona e Kuteli edhe shumë të tjerë që e kanë marrë vetë përsipër gjithçka të botojnë nga veprat e prindërve të tyre, por më shumë se kaq të mbajnë gjallë kontributin e tyre përmes botimeve, të cilat kërkojnë sakrifica dhe që duhet normalisht të bëheshin nga struktura shtetërore. Pasi duket jo vetëm e jashtëzakonshme por edhe shumë luksoze ardhja në shqip nga “Çabej”, e “Mesharit” të Buzukut, një vepre që medoemos duhej të sponsorizohej patjetër prej shtetit.
Ndërsa do të shtonim se peshën e një panairi e mbajnë dhe emrat që vijnë ose promovohen. Përveç, një njohësi francez të Kamysë dhe një autori prezantuar nga TOENA, në mos gabojmë, Panairi ishte krejtësisht i privuar prej të ftuarve, që do të thotë se pesha e tij është ende shumë e vogël në aktivitetet simotra ballkanike.
Dhe, në fund, por ndoshta jo bash e fundit një kujtesë edhe për mbarëvajtjen e panairit. Edhe pse disa shtëpi botuese komunikojnë mirë, të tjerat për shkak të vendit dhe pamundësisë janë shumë të privuara. Kurse organizatorët, mendojmë se e kanë tepruar me lënien përpara të tezgave së ushqimit dhe prodhimeve artizanale, që e çedojnë shumë lidhjen e njerëzve me librin.
Per shembull, *uegen* eshte nje superpirat, e cfare pastaj!? Kush do t’ja dije.
Xhevair (pa H) Lleshi i UEGEN eshte pseudoperkthyesi i MADH i njemije faqeve te romanit “Familjet e medha” te francezit Moris Dryon. Perkthimi voluminoz e i veshtire u eshte vjedhur pa pike turpi perkthyesve te ndjere Sotir Caci e Bujar Doko, botuar ne vitin 1972.
Lexoni ju lutem….
http://sot.com.al/kultura/pedagog%C3%ABt-e-fakultetit-t%C3%AB-muzik%C3%ABs-akuza-bomb%C3%AB-dekanit-sokol-shupo-ka-grabitur-tituj-dhe
Ardhja ne shqip e “Mesharit” te Buzukut, shkruhet ne artikullin e mesiperm! Si mund te vije ne shqip “Meshari” i Buzukut, kur ne shqip e ka perkthyer vete Buzuku nga latinishtja, ndersa profesor Eqrem Cabej e ka transkriptuar, sepse Buzuku e pati perkthyer ne shqip me “scriptio continua”, domethene me fjalet te ngjitura njera me tjetren ose te pandara mes tyre.