Katër ministra u gjendën sot në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Fëmijëve, përballë një grupi fëmijësh nga shkollat e mesme, Sami Frashëri, Qemal Stafa, Ismail Qemali, fëmijë me nevoja të veçanta, fëmijë që vijnë nga përkujdesi rezidencial, fëmijë që vijnë nga familje me probleme varfërie, fëmijë në situatë rruge etj,
Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë e ndërmori këtë proces për të krijuar hapësirën e sigurt që fëmijët dhe të rinjtë (sidomos ata më vulnerabël), të kenë mundësi të njihen nga afër me programet e ndryshme, të prezantohen me punën dhe programet e ministrive respektive, si dhe për të diskutuar çështjet shqetësuese përmes dialogut dhe diskutimit të drejtpërdrejtë me fëmijët.
Gjatë takimit me përfaqësues të qeverisë, fëmijët ngritën pyetje në lidhje me shqetësimet dhe problemet që hasin ata në jetën e përditshme: mbi aksesin në shërbime arsimore, sociale, ekonomike, shëndetësore; arsimin cilësor; martesat e hershme, mbështetjen e fëmijëve të sëmurë; mbrojtjen dhe ofrimin e shërbimeve për fëmijët që largohen nga përkujdesi në moshën 16 vjeçare, fëmijët e shfrytëzuar për punë; reduktimin e dhunës ndaj fëmijëve etj. Vetë ministrat morën përsipër të sigurojnë zbatimin e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre. Përfaqësuesit e qeverisë kërkuan që takime të tilla konsultuese të bëhen vazhdimisht në mënyrë që, jo vetëm të promovohet pjesëmarrja e fëmijëve në vendime që u përkasin, por edhe që vetë fëmijët të monitorojnë ecurinë e zbatimit të kërkesave të tyre.
Neni 12 i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve flet për të drejtën e fëmijëve për pjesëmarrje në procese vendimmarrëse, të cilat lidhen dhe ndikojnë jetët e tyre – në familje, shkollë dhe komunitet. Kjo e drejtë themelore, qëndron si e drejtë më vete dhe njëkohësisht kërkon një premtim të qartë dhe veprime efektive në mënyrë që të kthehet në realitet. Kjo e drejtë nënkupton që fëmijët të jenë aktorë aktiv të proceseve dhe jo dekoracione me raste festash.